Hollywood-i është tronditur nga një ngjarje e rëndë që përfshin aktorin dhe regjisorin e njohur amerikan Rob Reiner dhe bashkëshorten e tij Michele Singer Reiner, të cilët u gjetën të vrarë në banesën e tyre luksoze në Brentwood, Los Angeles.
Sipas mediave amerikane, çifti ishte fotografuar së bashku me gjithë familjen vetëm disa javë përpara tragjedisë. Në shtator, Reiner dhe bashkëshortja e tij pozonin në tapetin e kuq me fëmijët Romy, Nick, Jake dhe bashkëshorten e këtij të fundit, Maria Gilfillan, gjatë premierës së filmit Spinal Tap 2, që Reiner e kishte shkruar dhe drejtuar vetë.
Pak javë më vonë, familja kishte shijuar edhe një pushim së bashku. Vajza e tyre, Romy Reiner, 28 vjeçe, kishte ndarë në rrjete sociale foto dhe video nga pushimet, ku prindërit shfaqeshin të qeshur në det, duke shkruar se ishte “mirënjohëse për familjen”.
Tragjedia ndodhi të dielën në mbrëmje, kur policia konfirmoi se trupat e një burri 78-vjeçar dhe një gruaje 68-vjeçare, që besohet se janë Rob dhe Michele Reiner, u gjetën brenda rezidencës së tyre 13.5 milionë dollarëshe. Ngjarja po hetohet si vrasje e dyfishtë.
Sipas raportimeve, trupat u gjetën nga vajza e tyre Romy, e cila jeton përballë shtëpisë së prindërve. Autoritetet kanë bërë të ditur se po merret në pyetje një i afërm, ndërsa deri tani nuk ka asnjë person të arrestuar.
Një zëdhënës i familjes Reiner konfirmoi vdekjen me një deklaratë të shkurtër:
“Me dhimbje të thellë njoftojmë ndarjen tragjike nga jeta të Michele dhe Rob Reiner. Jemi të shkatërruar nga kjo humbje e papritur dhe kërkojmë privatësi në këtë moment shumë të vështirë.”
Sipas fqinjëve, në vendngjarje janë parë edhe miq të ngushtë të familjes, mes tyre Larry David dhe Billy Crystal, i cili thuhet se ishte shumë i prekur emocionalisht.
Rob Reiner ishte një nga figurat më të rëndësishme të kinemasë amerikane, i njohur për filma si Stand By Me, When Harry Met Sally, A Few Good Men dhe This Is Spinal Tap. Ai ishte gjithashtu djali i aktorit legjendar Carl Reiner, i cili u nda nga jeta në vitin 2020.
Hetimet nga Policia e Los Angelesit (LAPD) vijojnë, ndërsa autoritetet kanë deklaruar se po flasin me të gjithë anëtarët e familjes për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes./ Burimi: Daily Mail
Herën e fundit më duket e pashë te filmi The Wolf of Wall Street... Vl, si është jeta. Shumë vl. Hajd ishallah e kapin atë pisllëkun vrasës së shpejti.