Pas përfundimit të angazhimeve me Kombëtaren shqiptare gjatë muajit qershor, Arbër Hoxha ka shënuar një tjetër moment të rëndësishëm në jetën e tij personale, duke kurorëzuar dashurinë në një ceremoni festive mes familjarëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të afërt.
Mbrëmja mblodhi së bashku disa prej figurave më të njohura të futbollit shqiptar. Në mesin e të ftuarve ishin disa lojtarë të Kombëtares, ndër ta Elseid Hysaj, Mirlind Daku, Ardian Ismajli, Bujar Pllana, Julian Shehu, Adrion Pajaziti dhe Indrit Tuci.
Atmosfera u karakterizua nga emocione, muzikë dhe festë deri në orët e vona, ndërsa të pranishmit ndanë momente gëzimi me çiftin në këtë ditë të veçantë.
Për argëtimin e të ftuarve u kujdesën artistët e njohur Afrim Muqiqi dhe Sabri Fejzullahu, të cilët sollën një repertor të pasur këngësh që elektrizoi atmosferën.
Kjo ngjarje vjen në një periudhë të rëndësishme për futbollistin kuqezi, i cili vendosi të hapë një kapitull të ri në jetën e tij menjëherë pas përfundimit të detyrave me përfaqësuesen shqiptare.
Lini një Përgjigje