
Shatërvani i famshëm Trevi në Romë, simbol i magjepsjes italiane dhe atraksion që mbledh mijëra turistë çdo ditë, aktualisht është pa ujë për shkak të një projekti të restaurimi të iniciuar nga autoritetet italiane. Për shkak të punimeve, shatërvani nuk është i mbushur me ujë si zakonisht, duke i zhgënjyer ata që ëndërrojnë të hedhin monedhat për fat të mirë dhe kthim në Romë.
Në vend të tij, autoritetet kanë krijuar një minipishinë, duke i lejuar vizitorët të vazhdojnë traditën e hedhjes së monedhave. Kjo zgjidhje e përkohshme është bërë virale në rrjetet sociale, duke provokuar reagime të ndryshme, nga ironia te humori. Në një koment në Instagram, një përdorues shkruan me shaka: “Imagjinoni të udhëtoni 14 orë për të arritur te shatërvani i Trevit dhe të përfundoni në një pishinë të thjeshtë komunale.”
Punimet për restaurim filluan më 7 tetor dhe shënojnë fazën më të fundit të mirëmbajtjes së shatërvanit, pas rinovimeve të rëndësishme në vitet 1989-91, 1999 dhe rinovimit të fundit të madh në vitet 2014-2015, që zgjati 17 muaj.
Lini një Përgjigje