
Nëse dëshiron të bëhesh lider, fillo të flasësh. Nuk ka domosdoshmërisht rëndësi se çfarë thua. Hulumtimet e reja tregojnë se grupet pa drejtues mund ta gjejnë një të tillë nëse njëri prej tyre fillon të flasë shumë. Ky fenomen, i përshkruar nga "hipoteza e llafazanit" të lidershipit, nuk varet as nga inteligjenca e anëtarëve të grupit dhe as nga personaliteti. Liderët dalin “në sipërfaqe” në bazë të sasisë së të folurit, jo cilësisë.
Studiuesi Neil G. MacLaren, nga universiteti Binghamton, autori kryesor i studimit të botuar në The Leadership Quarterly, beson se puna e ekipit të tij mund të përmirësojë mënyrën se si organizohen grupet dhe si trajnohen dhe vlerësohen individët brenda tyre.
Ndërsa ne priremi t'i mendojmë liderët si njerëz që shpërndajnë ide të rëndësishme, lidershipi mund të zbresë tek kushdo që "llafos" më shumë se të tjerët. Të kuptuarit e lidhjes ndërmjet asaj se sa njerëzit flasin dhe se si ata perceptohen si lider është çelësi për rritjen e njohurive tona për dinamikën e grupit.
Hulumtimi përfshiu 256 studentë të kolegjit, të ndarë në 33 grupe me nga katër deri në dhjetë persona secili. Atyre iu kërkua të bashkëpunonin ose në një lojë simulimi kompjuterik ushtarak (BCT Commander) ose një lojë të orientuar drejt biznesit (CleanStart). Lojtarët kishin dhjetë minuta për të planifikuar se si do ta kryenin një detyrë dhe 60 minuta për ta realizuar atë në grup. Një person në grup u caktua rastësisht si "operator", detyra e të cilit ishte të kontrollonte ndërfaqen e përdoruesit të lojës.
Për të përcaktuar se kush u bë udhëheqësi i secilit grup, studiuesit u kërkuan pjesëmarrësve para dhe pas lojës që të nominonin një deri në pesë persona për këtë dallim. Shkencëtarët zbuluan se ata që flisnin më shumë kishin gjithashtu më shumë gjasa të nominoheshin. Kjo mbeti e vërtetë pas kontrollit për një sërë variablash, si njohuritë e mëparshme të lojës, tipare të ndryshme të personalitetit ose inteligjencën.
Në një intervistë me PsyPost, MacLaren tha se "provat duken të qëndrueshme që njerëzit që flasin më shumë kanë më shumë gjasa të shihen si liderë".
Ah, ta kishim ditur më përpara, të kishim filluar të llapnim!
Me këtë logjikë i bie që të gjithë pepinot janë super lidera...