Majmuni i vogël Punch, i cili preku mijëra njerëz në mbarë botën pasi u bë viral për lidhjen e tij me një lodër prej pelushi, duket se ka nisur një kapitull të ri në jetën e tij.
Punch, një makak i lindur në korrik 2025 në Kopshtin Zoologjik të Ichikawa-s në Japoni, u braktis nga nëna menjëherë pas lindjes dhe u rrit nga kujdestarët. Për të përballuar vetminë, atij iu dha një orangutan prej pelushi, të cilin e mbante vazhdimisht pranë si burim ngushëllimi.
Së fundmi, pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë Punch duke kaluar kohë me një makake femër, e njohur si Momo-chan. Në video, dy majmunët shfaqen duke u përqafuar, puthur dhe duke luajtur së bashku, ndërsa në disa momente shfaqet edhe lodra e famshme e Punch.
Kjo marrëdhënie e re ka bërë që shumë përdorues në rrjetet sociale ta quajnë Momo-chan “të dashurën” e Punch, duke sugjeruar se periudha e tij e vetmisë mund të ketë marrë fund.
Paralelisht, stafi i kopshtit zoologjik ka vënë re përmirësime në sjelljen e tij sociale. Punch po integrohet gjithnjë e më shumë me grupin e majmunëve dhe po mbështetet më pak te lodra e tij.
Fillimisht, ai kishte vështirësi të përshtatej, duke u përjashtuar nga të tjerët dhe duke u përballur me sjellje që u interpretuan si refuzim. Megjithatë, drejtuesit e kopshtit zoologjik sqaruan se këto janë pjesë e një strukture normale hierarkike te majmunët, ku individët dominues vendosin rregulla ndaj të tjerëve.
Sipas tyre, edhe pse Punch është qortuar shpesh, ai nuk ka qenë objekt i agresionit serioz.
“Synimi ynë është që Punch të zhvillojë pavarësinë dhe të integrohet plotësisht në grup,” është shprehur drejtori i kopshtit zoologjik.
Ekspertët theksojnë se është e zakonshme që majmunët të qëndrojnë të lidhur ngushtë me nënën pas lindjes. Në mungesë të saj, lodra prej pelushi ka shërbyer si një zëvendësim emocional për Punch, duke e ndihmuar të përballojë ankthin.
Tashmë, fakti që ai po distancohet gradualisht nga lodra dhe po krijon lidhje me majmunë të tjerë konsiderohet një shenjë pozitive për zhvillimin e tij.
Historia e Punch vazhdon të ndiqet me interes të madh në rrjetet sociale, ku shumë e shohin si një shembull të fortë të aftësisë për t’u përshtatur dhe për të krijuar lidhje, edhe pas një fillimi të vështirë në jetë.
Çudi se si ndodh që majmunët, sado peripeci të kenë në jetë, kanë më shumë fat se njerëzit.