Shqipëria ka bërë një hap tjetër përpara në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke mbyllur tre kapituj të negociatave gjatë konferencave ndërqeveritare të organizuara në kuadër të presidencës irlandeze të BE-së.
Në fokus të konferencës janë katër vende kandidate për anëtarësim: Ukraina, Moldavia, Shqipëria dhe Mali i Zi. Sipas një diplomati të Bashkimit Evropian, dy vende kanë hapur blloqe të reja kapitujsh negociues, ndërsa dy vende kanë përfunduar një seri kapitujsh, duke e cilësuar këtë si një zhvillim të rëndësishëm në procesin e zgjerimit të BE-së.
Shqipëria ka mbyllur tre kapituj negociues që lidhen me shkencën dhe kërkimin, arsimin dhe kulturën, si dhe marrëdhëniet e jashtme. Ky vlerësim konsiderohet një tjetër hap në përafrimin e vendit me standardet dhe politikat e Bashkimit Evropian.
Ndërkohë, Mali i Zi ka mbyllur dy kapituj që lidhen me politikën e konkurrencës dhe bashkimin doganor. Ukraina dhe Moldavia kanë hapur bllokun e gjashtë të kapitujve negociues, i cili lidhet me përafrimin e politikës së jashtme me atë të Bashkimit Evropian.
Komisioni Evropian kishte dhënë më herët vlerësimin pozitiv për hapjen e disa kapitujve të tjerë, por mes 27 vendeve anëtare nuk është arritur ende marrëveshje për të gjitha blloqet negociuese.
Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, e ka cilësuar këtë zhvillim si një tjetër hap më pranë Bashkimit Evropian. Procesi i negociatave vijon të mbetet i lidhur me përmbushjen e reformave dhe standardeve të kërkuara nga BE-ja nga secili vend kandidat.
Kapitujt që u mbyllën janë Shkenca dhe Kërkimi, Kapitulli 26, Arsimi dhe Kultura dhe Kapitulli 30, që përfshin Marrëdhëniet e Jashtme. Ky hap shënon herën e parë që Shqipëria përfundon kapituj negociues që prej nisjes së procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Një vendim i tillë vjen vetëm disa javë pasi Këshilli konfirmoi se Shqipëria ka përmbushur kriteret e ndërmjetme, pra kushtet e sundimit të ligjit që duhet të përmbushen përpara se negociatat të kalojnë në fazën tjetër. Njëkohësisht, u përcaktuan edhe standardet përmbyllëse për Grupkapitullin 1 – “Themeloret”, grupkapitulli i parë që hapet dhe i fundit që mbyllet në procesin e negociatave që do të hapet dhe që do të mbyllet i fundit.
Synimi i qeverisë shqiptare është që negociatat të përfundojnë deri në vitin 2027, për të arritur anëtarësimin e plotë deri në vitin 2030.
Lini një Përgjigje