Rregulla të reja për të huajt, ja si do të funksionojë lëshimi i vizave nga MEPJ, ajo e Brendshme dhe SHISH

10 Maj 2026, 18:40Politika TEMA

Rregulla të reja për të huajt, ja si do të funksionojë

Qeveria shqiptare ka përditësuar dhe forcuar rregullat për hyrjen, qëndrimin dhe tranzitimin e shtetasve të huaj në Republikën e Shqipërisë. Përmes Udhëzimit të Përbashkët, të firmosur nga Ministri i Brendshëm, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) si dhe Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), janë përcaktuar procedurat e reja, afatet dhe mekanizmat e kontrollit për lëshimin e vizave pullë dhe atyre elektronike.

Ky dokument shfuqizon udhëzimin e vitit 2022 dhe synon një harmonizim më të thellë ndërinstitucional, duke u mbështetur fuqimisht te digjitalizimi përmes platformave e-visa.al dhe e-Albania.

Konfidencialitet i plotë dhe ndalim i ndërhyrjeve

Një nga pikat më të rëndësishme të udhëzimit të ri është ashpërsimi i rregullave të sigurisë gjatë fazës së shqyrtimit të aplikimeve. Për të shmangur çdo lloj influence apo abuzimi, dokumenti sanksionon një ndarje të prerë mes aplikantëve dhe zyrtarëve shqyrtues.

“Aplikimi për vizë, në të gjithë statuset nëpër të cilat procedohet, do të konsiderohet konfidencial. Gjatë procesit të verifikimit të aplikimit për vizë, është rreptësisht i ndaluar komunikimi i aplikuesit, ftuesit, apo i çdo subjekti tjetër me strukturat përgjegjëse, përveç rasteve kur këto struktura i kontaktojnë,” theksohet në kreun e parë të udhëzimit.

Procedura e re përcakton afate strikte për institucionet e përfshira. Pasi aplikimi pranohet nga nëpunësi konsullor, Departamenti për Kufirin dhe Migracionin (DKM) dhe SHISH kanë në dispozicion 4 ditë pune për të vlerësuar aplikimet për leje unike dhe 3 ditë për leje qëndrimi, me të drejtë shtyrjeje në raste specifike.

Megjithatë, udhëzimi ka parashikuar një procedurë të përshpejtuar për profile të caktuara diplomatike apo me interes kombëtar. Për personalitetet e njohura shtetërore apo të shquara në fusha të ndryshme, Drejtoria e Çështjeve Konsullore mund të japë miratimin brenda 1 dite pune, pa pritur konsultimet e zgjatura me strukturat e sigurisë.

Gjithashtu, një trajtim i shpejtë brenda 24 orëve ofrohet për vizat turistike (Tipi C) për shtetasit nga Bahrejni, Indonezia, Jordania, Omani dhe Tajlanda.

Udhëzimi udhëzon qartë strukturat kufitare mbi përllogaritjen e ditëve të qëndrimit për shtetasit e huaj që hyjnë pa vizë, duke u bazuar në rregullin evropian të 90 ditëve të qëndrimit brenda një periudhe 180-ditore. Çdo tejkalim i këtij afati do ta klasifikojë të huajin me “qëndrim të parregullt”.

Nga ky rregull përjashtohen shtetasit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për ta, legjislacioni lejon një qëndrim të pandërprerë deri në 1 vit.

Përtej miratimit elektronik të vizave, autoritetet theksojnë se fjala e fundit mbetet te Pikat e Kalimit Kufitar (PKK). Sistemi TIMS do të jetë i përditësuar në kohë reale me vizat e lëshuara apo të anuluara, duke i dhënë të drejtë Policisë Kufitare të refuzojë hyrjen nëse i huaji, pavarësisht se posedon një vizë, nuk plotëson kushtet faktike të hyrjes apo kalimit tranzit në Republikën e Shqipërisë.

4 Komente

  1. A
    Ausländer raus

    Ky artikull vetëm në shqip që nuk është shkruajtur

    Përgjigjjuni
    1. T
      Teo

      Pra ne BE do hyjme por tolerojme SHBA...cudi.

      Përgjigjjuni
      1. T
        Ton

        Shikoni ata qe vijne gjoja per pune dhe ikin nga Shqiperia. Punemarresi te mbaje pergjegjesi.

        Përgjigjjuni
        1. A
          Asd

          Une do te lejoja te huajt (EU, USA) te rrijne per 2 vjet pa vize. Vetem lejet e punes duhen rregulluar me ligj. Per qendrimet e jashteligjshme apo shkelje ligjore largim brenda 5 diteve. Pra kush ka te ardhura dhe do te qendroje ne Shqiperi pa bere krime, mund te marre residence pa burokracira. Gjithashtu evitojme marrjen e nenshtetesise me shumice nga te huajt.

          Përgjigjjuni

          Lini një Përgjigje