Në një seancë maratonë që u mbyll në orën 04:15 të mëngjesit të së premtes, Kuvendi i Shqipërisë miratoi dy projektligje dhe pesë projektvendime, mes debatesh të forta politike dhe votimesh të ndara mes mazhorancës dhe opozitës.
Me 75 vota pro, 15 kundër dhe 1 abstenim, u miratua ligji për Shërbimin e Jashtëm, i cili parashikon testimin e diplomatëve në detyrë 12 muaj pas hyrjes në fuqi. Po ashtu, me 74 vota pro, 16 kundër, u kaluan ndryshimet që prekin Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, duke i hequr kësaj strukture të drejtën për të zhvilluar tendera. Sipas ndryshimeve, prokurimet do të kryhen nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara, ndërsa AKSHI do të mund të krijojë shoqëri aksionere ku shteti zotëron të paktën 51% të aksioneve.
Parlamenti zgjodhi gjithashtu katër anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Banka e Shqipërisë: Selami Xhepa, Holta Zaçaj, Ervin Mete dhe Jonida Prifti. Një emër tjetër i propozuar nga Kuvendi, Matilda Shehu, do të votohet në një seancë të ardhshme.
Në të njëjtën seancë u miratua edhe plani vjetor 2026 për zbatimin e programit të statistikave zyrtare 2022-2026. Ndërkohë, gjashtë projektligje të propozuara nga opozita u rrëzuan, përfshirë nismat e deputeteve Ina Zhupa dhe Jorida Tabaku, si dhe propozimet e tre deputetëve të Partisë së Lirisë.
Seanca u shoqërua me debat për parkun teknologjik “Durana Tech Park”, gjatë interpelancës me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, si dhe për ndryshimet në nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale. Opozita kërkoi futjen në rend dite të kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ndërsa mazhoranca njoftoi mbledhjen e Këshillit të Mandateve më 23 shkurt.
Debatet morën edhe tone politike, me akuza dhe ironi mes palëve për zhvillimet e fundit në arenën ndërkombëtare.
Lini një Përgjigje