
Ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried në konferencën e përbashkët për media me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Evropian dhe se vendi i ka kryer të gjitha reformat e nevojshme për anëtarësim në Union.
Ndër të tjera në fjalën e saj zyrtarja amerikane theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin aspiratat e vendit tonë dhe presin hapjen sa më të shpejtë të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm aspiratat tuaja dhe dëshirojnë që sa më shpejt të jetë e mundur një konferencë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ju keni përfunduar detyra të vështira duke përmbushur reformat e nevojshme dhe meritoni të ecni përpara. E kemi thënë edhe më herët, e them dhe tani: E ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në BE. Integrimi juaj do të kontribuojë për një stabilitet më të madh në Ballkan dhe një prosperitet më të madh në Evropë,” ka thënë Donfried.
Lini një Përgjigje