Kongresmeni amerikan: Çfarë fiton Perëndimi nga politika e pajtimit me Serbinë autokratike, ndërsa izolon Kosovën demokratike?

24 Qershor 2023, 21:30Rajoni TEMA

Kongresmeni amerikan: Çfarë fiton Perëndimi nga politika e

Kongresmeni amerikan, Richie Torres, ka thënë këtë të shtune se Kosova “po bëhet gjithnjë e më demokratike, ndërsa Serbia më autokratike”, duke shtuar se “Kosova është pa rezerva aleate me Perëndimin, ndërsa Serbia është në thelb një satelit në orbitën e Rusisë”.

Por, përkundër këtyre, Torres mendon se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, janë duke ndjekur një linjë të njëanshme ndaj Kosovës, dhe e quan të padrejtë kërkesën e perëndimoreve që kryetaret e katër komunave Veriore të japin dorëheqje, pas tensioneve të krijuara atje.

“Pavarësisht këtyre dallimeve, ShBA dhe Evropa duket se po ndjekin një qasje të njëanshme që favorizon Serbinë dhe jo Kosovën. Pse duhet ShBA-ja t’i kërkoj Kosovës të heqë dorë nga kryetarët e zgjedhur në mënyrë demokratike, një akt nëpërmjet të cilit ushtrohet sovraniteti kombëtar, pa dënuar Serbinë për nxitjen e padrejtësisë në Veri?”, tha ai në një intervistë për “EuronewsAlbania”.

“Vëreni që BE-ja nuk ka thënë asgjë lidhur me rrëmbimin e tre policëve të Kosovës nga regjimi i Serbisë. Ka një perceptim të një standardi të dyfishtë brenda diasporës shqiptare dhe tek zyrtarët që ata i mbështesin, siç jam edhe unë. Heshtja nga BE-ja është e pashpjegueshme për mua”.

Ndërsa, pas raportimeve se ndaj Kosovës mund të ketë sanksione, në qoftë se ajo nuk zbaton kërkesat e ndërkombëtarëve për të depërshkallëzuar situatën në Veri, kongresmeni amerikan pyet se “çka do të fitojë Perëndimi nga politika e pajtimit me një Serbi autokratike, ndërsa izolon Kosovën demokratike?”.

“Kosova është renditur demokracia më e fortë në Ballkanin Perëndimor sipas vlerësimeve të pavarura, Kosova është kaq demokratike sa ka siguruar një grant prej më shumë se 2 qind milionë dollarësh nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), që është njohje e progresit që Kosova ka bërë drejt mirëqeverisjes, ndërsa Serbia po zhvillohet në drejtim krejt të kundërt”, theksoi ai.

Po ashtu, Torres potencoi se Serbia është një ndër vendet e pakta në Ballkanin Perëndimor që refuzon ta ndëshkojë (Presidentin e Federatës Ruse) Vladimir Putin-in për pushtimin e paligjshëm të Ukrainës.

“Nuk do të fitojmë mirëkuptim nga Serbia, ndërsa izolojmë një aleat si Kosova. Jetojmë në një kohë kur ndikimi amerikan mund të jetë në rënie dhe nuk mund t’i marrim për të mirëqenë aleatët tonë. Duhet të jemi proaktivë në mbrojtjen e aleancave tona”, beson ai.

Siç thotë kongresmeni amerikan “Vladimir Putin është personi më popullor në Serbi”, dhe duke pasur parasysh këtë ai mendon se “nuk ka prova se politika e pajtimit me Serbinë do të rrisë ndikimin e ShBA-ve dhe BE-së në Serbi”.

“Jam skeptik në lidhje me këtë”, shprehet ai, suke shtuar se “kur shkoj në Kosovë, ka një ndjenjë të thellë mirëkuptimi dhe besnikërie ndaj ShBA-së”.

Tutje, Torres pohon se është në favor të normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, por edhe shton se “prioriteti më i madh duhet të jetë sigurimi i njohjes së Kosovës si shtet i pavarur dhe integrimi në BE, NATO, dhe në bashkësinë ndërkombëtare”.

“Kjo duhet të jetë politika e Evropës dhe ShBA-së”.

Ai është i zhgënjyer sa i përket dialogut që zhvillohet ën Bruksel, pasi që mendon se është duke u zhvilluar në dëm të Kosovës.

“Kam frikë se dialogu është kthyer më shumë në shpatë se në mburojë. Në vend që të veprojë si një mburojë që mbron pavarësinë e Kosovës, është kthyer në një shpatë që Serbia e përdorë si armë kundër Kosovës”.

Lini një Përgjigje