Përfaqësuesi i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka takuar të enjten në Paris zyrtarin e lartë të presidencës franceze, Emmanuel Bonne, ku në fokus të “diskutimeve strategjike” ka qenë situata aktuale në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit nën ndërmjetësimin e BE-së.
“Gjithmonë një kënaqësi të vizitoj Parisin! Kam pasur diskutime shumë të mira strategjike për situatën në dialog me këshilltarin diplomatik të Presidentit të Francës.
Kam shkëmbyer gjithashtu mendime edhe me shoqëritë civile në Kosovë dhe Serbi”, ka shkruar diplomati sllovak në platformën “X”, krahas fotos së publikuar.
Lajçaku ka vizituar së fundi Prishtinën e Beogradin në përpjekje për të caktuar rrethin e ardhshëm të negociatave, në kohën kur janë rritur tensionet midis dy fqinjëve ballkanikë. E presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka garantuar se do të vazhdojë t’i mbështesë përpjekjet diplomatike të Lajçakut në mënyrë që Kosova dhe Serbia t’i normalizojnë marrëdhëniet.
Një cikël i ri në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në nivel të kryenegociatorëve pritet të zhvillohet së shpejti. Një pajtueshmëri është arritur për raundin e ri të dialogut, por nuk janë dhënë detaje se kur do të vazhojnë negociatat mes palëve në Bruksel.
Lini një Përgjigje