Bulqiza, kryeqyteti i kromit

15 Janar 2024, 11:21Sociale TEMA
Bulqiza, kryeqyteti i kromit

Të parët që e kanë zbuluar mineralin e kromit në Bulqizë kanë qenë italianët. Ata e shfrytëzuan minierën në vitet e L2B ku nxorën krom në sasi të vogla qe e transportonin me mushka.

Miniera e Bulqizës e nisi punën më 18 shkurt 1948. Në vitin e parë të punës u prodhuan 10 mijë e 500 ton mineral kromi.

Ndërtimi i qytetit të Bulqizës nis me disa baraka me dërrasa të ngritura në vitet 1949-1950. Në vitet 50-60 u ndërtuan ndërtesat njëkatëshe dhe pas 1960 u ngritën ndërtesa banimi me dy dhe tre kate. 

Për shfrytëzimin e minierës nuk mjaftuan punonjësit civilë. Më 1954 në Bulqizë u ngrit burgu i të dënuarve ordinerë, fillimisht me 600 veta. Kampi ka funksionuar për gati 35 vite me radhë, deri në rënien e komunizmit.

Më 1968 shtohet edhe një burg tjetër tek vendi i ndërtimit të fabrikës së pasurimit të kromit.

Fabrika filloi punë më 1971, por ajo u fut në prodhim me kapacitet të plotë pas 1975. Aty prodhohej mbi 8000 ton koncentrat kromi në muaj. Nga 850 ton mineral të varfër që merrte në ditë fabrika nxirrte po në një ditë 350 ton koncentrat me përmbajtje mbi 48 për qind.

Pas vitit 1976 numri I të burgosurve që punonin në minierë arriti maksimumin.

Më 1985 u ngrit një tjetër kamp të burgosurish që filluan ndërtimin e Qytetit të Ri në Bulqizë. Deri në përfundimin e banesave më 1988 aty u strehuan 1000 familje.

Me parullën ‘Kromi çan bllokadën!’ miniera pas viteve 1980, që përkon me ndërprerjen e marrëvedhënieve me Kinën, pati një shfrytëzim barbar.

Se përse ndodhi kjo e thotë studiuesi i statistikave Eqerem Beci. Në librin e tij ‘Mbi marrëdhëniet ekonomiko-tregtare të Shqipërisë 1945-1990’, Beci shkruan:

“Shqipëria ka qenë ndër vendet e para në botë për nxjerrjen dhe eksportin e mineralit të kromit. Pas vitit 1980 u kalua në prodhimin e më shumë se 1 milion ton në vit.

Rekordi u arrit më 1989 kur prodhimi vjetor qe 1 milion e 199 mijë ton krom… Nga shitja e një ton mineral kromi me përmbajtje 42 për qind, siguroheshin të ardhura mesatare 86 dollarë.

Për prodhimin e tij janë bërë shpenzime materiale të vlerësuara në valutë rreth 3.4 dollarë. Pra, për 1 ton mineral kromi 42 për qind përfitimi ishte 82.6 dollarë.”

Shifrat nuk lënë vend për koment, ata thjeshtë tregojnë se çfarë grabitje është bërë atje! 

Në nëntokën e Bulqizës janë kryer mbi 100 mijë kilometra punime minerare. (Adi Darsi)

1 Komente

  1. F
    Franci

    Mire e keni bere krahasimin midis dje dhe sot ne Bulqize .....vec qe te jemi te drejte me vetveten vendosni dhe nje foto te Bulqizes mbas Luftes dhe ate te djeshme ...dhe jo te sotme me parate e FMNdhe Bankes Boterore ...dhe faturen te brezat e ardheshem shqiptere ...

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje