Dëme të rënda në Selenicë - Rrëshqitjet masive të tokës zhvendosin banesat me 20 metra. Banorët: Na shpëtoi Zoti!

7 Janar 2026, 15:08Sociale TEMA
Dëme të rënda në Selenicë - Rrëshqitjet masive

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar problematika të mëdha edhe në Qarkun e Vlorës, ku në fshatin Vajzë, në Selenicë, janë regjistruar rrëshqitje të mëdha dherash.

Këto rrëshqitje kanë shkaktuar dëmtime të rënda në rrugë dhe banesa, ndërsa disa nga objektet janë shtyrë deri në 20 metra më poshtë pas rrëshqitjes masive të malit.

Në fshatin Vajzë, tre banesa janë dëmtuar rëndë nga rrëshqitja e dheut, ndërsa dëmet janë të mëdha.

Banorët e fshatit Vajzë, të cilët u preken nga rrëshqitjet masive të tokës, kanë treguar momentet dramatike ku banesat u shkëputën nga themelet me rrëshqitjen e tokës duke përfunduar disa metra poshtë faqes së malit.

Banorët thonë se iu shkatërruan investimi i të gjithë jetës.

“Në orën 14:30, dëgjova disa krisje. Dola jashtë dhe nuk pashë asgjë. Më pas, muri ra. Dolëm jashtë menjëherë dhe nuk dinim çfarë të bënim, çfarë të merrnim. E gjithë shtëpia u dëmtua. Sa dolëm, ra pak, u larguam më tej dhe po binte gjithçka nga pak. Banesa jonë është dëmtuar komplet, me gjithçka ka brenda. Nuk e dimë ku do shkojmë. Nuk kemi asnjë këtu. Jetoj me djalin dhe burrin. Djalin e kam të sëmurë, nuk mund të ikë dot”, tha një banore.

“Dëgjova një gjëmim dhe pastaj ra toka dhe shtëpia ra poshtë. Është tërësisht e shkatërruar, na shpëtoi Zoti”, tha një tjetër.

Autoritetet vendore janë në terren dhe po punojnë për të vlerësuar pasojat dhe për të ofruar ndihmën e nevojshme për banorët e prekur.

Lini një Përgjigje