Dhuratat për zyrtarët publikë, Qeveria zbut ligjin - Do pranohen kur jepen për kortezi

30 Prill 2022, 18:24Sociale TEMA

Dhuratat për zyrtarët publikë, Qeveria zbut ligjin - Do pranohen

Këshilli i Ministrave ka miratuar një rregullore të re për sjelljen etike të nëpunësve publikë, duke detajuar llojet e aktiviteteve që u ndalohet të ushtrojnë, por nga ana tjetër edhe duke lehtësuar pranimin e dhuratave nga ana e tyre. Ndërsa rregulloret e mëparshme përcaktonin prerë se çdo dhuratë mbi vlerën 10 mijë lekë duhej raportuar tek eprori dhe duhej dorëzuar te burimet njerëzore, rregullorja e sapomiratuar është shumë më e shpenguar.

Nëpunësi i administratës publike mund të pranojë dhurata nga qeveritë e huaja apo organizatat ndërkombëtare, brenda kufijve normalë të shprehjes së mikpritjes dhe trajtimit që buron prej saj, kortezisë apo protokollit, nëse nuk tejkalohen kufijtë e traditës e të zakoneve të vendit ku jepen, nuk vënë në dyshim objektivitetin, ndershmërinë dhe  paanshmërinë e nëpunësit e nëse nuk kompromentojnë imazhin dhe integritetin e Republikës se Shqipërisë, përcakton rregullorja e re.

Ndërkaq, nëpunësi i administratës publike mund të mbajë dhurata të lejueshme, pa qenë i detyruar t’i deklarojë ato, nëse nuk e kalojnë vlerën prej 10 000 lekësh për dhuratë. Nëse nëpunësi ka dyshim për vlerën e dhuratës, ai njofton eprorin direkt dhe i kërkon njësisë së burimeve njerëzore të kryejë vlerësimin e saj.

“Në rast se nëpunësi i administratës publike dëshiron të mbajë dhuratën me vlerë mbi 10 000 lekë, atëherë ai paguan diferencën e vlerës së saj, pas vlerësimit të bërë nga institucioni”, përcakton rregullorja e re.

 

Lini një Përgjigje