Media Sociale: Shamani i shekullit XXI

8 Prill 2022, 14:38Sociale Jola Osmënaj

Media Sociale: Shamani i shekullit XXI

Komunikimi sy më sy është zvetënuar; mediat sociale kanë arritur të tërheqin pas vetes gjithkënd, dhe janë të paktë ata që kanë një shpjegim për fuqinë e tyre. Në pak më shumë se një dekadë, ndikimi i mediave sociale është shndërruar nga një shtojcë argëtuese e përditshmërisë në një hapësirë plotësisht të integruar që, për hir të së vërtetës, ka ndikim gjithmonë e më shumë në rritje te individët, komunikimi dhe shoqëria.

Jola Osmënaj, Përgjegjëse e Zyrës së Karrierës në Kolegjin Profesional të Tiranës dhe Lektore e lëndës Media Digjitale dhe Menaxhim, vjen me një artikull informues, për atë se çka është media sociale dhe për natyrën e ithtarëve të saj. “Media sociale: Shamani i shekullit XXI” është një manual i kopsitur, me humor të hollë, që i jep përgjigje shumë pyetjeve, sidomos atyre që lindin në përballje me përdorues e komente gjithfarësoj.

Nga Jola Osmënaj

Media Sociale: Shamani i shekullit XXI

Termi shamanizëm vjen nga gjuhët Manchu-Tungus šaman. Folja “ša” do të thotë ‘të di’. Kështu që sipas këtij emërtimi, shamani është “Ai që di gjithçka”. Megjithëse shamanët ndryshojnë në varësi të kulturës që kanë, ndër cilësitë e përgjithshme dhe të përbashkëta, ata mendohet se kanë aftësi për të shëruar të gjitha sëmundjet, për të qenë udhëheqës fetarë, këshillues dhe gjithashtu të mbajnë kontakt me botën e përtejme. (Eliade, n.d.)

Origjinuar nga indigjenët, (amerikanët vendas, fiset e Amazonës, aborigjentët, indigjenët e Siberisë etj.) sot, shamanët i ndeshim rrallë dhe në Korenë e Jugut. Njëqind vjeçarin e fundit, dukshëm ne prehemi në të tjera forma, personazhe dhe pajisje. Nëse hulumtojmë mbi shamanizmin, historikun e tij, llojet, interpretimet dhe shpërndarjet e ndryshme të ideologjisë, ekziston një paralelizëm interesant i këtij udhëheqësi shpirtëror me Median Sociale dhe kanalet e saj.

A është kthyer Media Sociale në Shamanin e shekullit XXI?

Sipas Universitetit të Floridës së Jugut, Media Sociale (MS) është një formë komunikimi  e bazuar në internet e cila lehtëson ndarjen e ideve (sharing)[1], mendimeve dhe informacioneve të ndryshme nëpërmjet rrjeteve dhe komuniteteve virtuale. (Dollarhide, 2021)

Në vitet 2019 dhe 2020 përdorimi mesatar ditor i mediave sociale në mbarë botën arriti në 145 minuta në ditë nga 142 në 2019. Vendi me përdoruesit më të angazhuar janë Filipinet me një mesatare tri orë e 53 minuta për ditë. Shkalla globale e penetrimit në median sociale është gati 54 për qind. Evropa Perëndimore ka një normë depërtimi të mediave sociale prej 79 për qind, duke kryesuar renditjen e përdorimit global të mediave sociale sipas rajonit. (Department, 2022) Shumë sy apo jo?

Është e pamundur që të numërosh platformat e medias sociale në botë. Platforma të reja krijohen çdo ditë dhe në një ritëm dhe më të shpejtë platforma të vjetra dalin nga qarkullimi ose ndërrojnë target grup. Pavarësisht kësaj platformat më të njohura dhe përdorura në botë dhe në Shqipëri janë:

1. Facebook — 2.9 miliardë përdorues
2. YouTube — 2.2 miliardë përdorues
3. WhatsApp — 2 miliardë përdorues
4. Instagram — 2 miliardë përdorues
6. WeChat — 1.26 miliardë përdorues
7. TikTok — 1 miliard përdorues
8. Sina Weibo — 573 milion përdorues
9. QQ — 538.91 milion përdorues
10. Telegram — 550 milion përdorues
11. Snapchat — 538 milion përdorues
12. Kuaishou — 519.8 milion përdorues
13. Qzone — 517 milion përdorues
14. Twitter — 436 milion përdorues
15. Reddit — 430 milion përdorues
16. Quora — 300 milion përdorues
17. Skype — 300 milion përdorues
18.  Microsoft Teams— 270 milion përdorues
19. LinkedIn — 250 milion përdorues (Lua, 2022)

Si më poshtë, një renditje e kanaleve më të përdorur të Medias Sociale, renditur sipas përdoruesve aktivë, zbardhur në Tetor 2021:

Statista 2022

Media Sociale: Shamani i shekullit XXI

Arsyet që njerëzit angazhohen në mediat sociale janë nga më të ndryshmet. Disa prej tyre kënaqen kur gjejnë përmbajtje argëtuese ose informuese, disa të tjerë shpërndajnë foto apo media me rrjetin[2] e tyre, të tjerë e përdorin median sociale për të promovuar imazhin artistik apo bizneset e tyre por shumica pranon se janë aktivë për të ruajtur dhe qëndruar në kontakt me miqtë dhe familjarët e tyre.

Por sa i vërtetë është ky argument i fundit sot?
Pranohet gjerësisht se Media Sociale ka një ndikim gjigand dhe shumë të rëndësishëm jo vetëm në aktivitetet online por edhe në ato offline[3]. Gjatë një sondazhi global të përdoruesve të internetit në Shkurt 2019, një pjesë e konsiderueshme e të anketuarve deklaruan se mediat sociale kishin rritur aksesin e tyre në informacion, lehtësinë e komunikimit dhe lirinë e shprehjes. Nga ana tjetër, të anketuarit mendonin gjithashtu se mediat sociale kishin përkeqësuar privatësinë e tyre personale, kishin rritur polarizimin në politikë, nivelin dhe sasinë e shpërqendrimeve. Në këtë rend të ri botëror, miqtë janë audienca dhe postimet[4] janë forma e re e ditarit, tanimë publik.

Statista 2021

Media Sociale: Shamani i shekullit XXI

25.229 të anketuar në total
Grupmosha: 16-64 vjeç

Rrëfimi (hapja e thesit), këshillimi, dhënia e informacioneve të reja në lidhje me atë që na rrethon dhe me “të tjerët”[5] që nuk ndodhen pranë nesh është një funksion që Shamani e realizonte me shumë sukses në periudhën e tij të lavdisë.

Cilët janë disa nga tipat e ‘personaliteteve’ aktivë në Median Sociale?
“Çfarë ke në mendje?” është pyetja që Facebook na bën çdo herë që ne hapim llogarinë tonë.
Është kjo pyetje që bën të hapet diga e thashethemeve, revoltimeve, pendesave, videot e fëmijëve, sekuencat e lëndimeve të ndryshme fizike në një sport, rutinat e bukurisë apo qeni dhe macja që vrapojnë pas një kocke (aman se janë shumë të mirë!). Frika e të ngelurit pas dhe pa informacion (FOMO – fear of missing out)[6] na zhyt përditë në botën e të rejave të fundit të ditës, planet për të ardhmen, vendndodhjen, e detaje të tjera si këto të të ashtuquajturve “miq virtualë”. Gjëra që dikur ishin private, sot janë të rëndësishme për mullirin e medias sociale. Shtyrja për të qenë “autentikë” është ajo që e mban këtë cikël aktiv. Në fakt, kushdo që e lexon këtë ka 'personalitetin e vet në mediat sociale'. Ky personalitet diktohet nga marrëdhënia jonë me mediat sociale, duke filluar nga mënyra sesi ne i shikojmë, ndërveprojmë dhe perceptojmë e deri tek mënyra se si lidhemi me të tjerët ndërmjet tyre.

Personalitetet tona të mediave sociale janë krejtësisht të ndarë nga personat që ne jemi në jetën reale. Interesante kjo apo jo?
1-    Shpërndarësi i “çmendur” aka[7] tellalli.
Duke filluar nga ajo që ka ngrënë për mëngjes, “tellalli”, nuk harron kurrë të të informojë në lidhje me çdo detaj jetësor që për të është i rëndësishëm dhe ka nevojën e konfirmimit apo rrahjes së ideve nga ndjekësit e tij. E hasim në përditshmërinë tonë duke numëruar, të paktën dy apo tre postime në ditë dhe rreth 20 histori 24 orëshe.

A është ky personaliteti i një narcisizti, apo është thjesht një normë e re shoqërore? – pyet Prof. Asoc në psikologji Simon Boag.
Shumë histori-tregues supozojnë se qëllimi i tyre, i përkthyer në vlerë, është të kënaqin të tjerët me tregimet dhe shakatë e tyre.  Për shumë, numri i pëlqimeve, komenteve dhe ndjekësve në kanalet e tyre të MS është një matës i rëndësisë dhe ndikimit që ata kanë. Madje mund të përcaktojë shumë mirë humorin e ditës. Ekspertë të shëndetit mendor, shprehen se të flasësh hapur dhe ndershmërisht për vulnerabilitetet tona e bën shërimin më të mundur.
-       Ku mbaron vulnerabiliteti dhe nis narcisizmi[8]?
Le të flasim për mua! Duke lulëzuar nga adhurimi i masave, “të famshmit” përcaktojnë thelbin e jetës publike dhe asaj private. Njerëzit e bukur jetojnë në fantazinë e suksesit narcisizt, i cili përbëhet vetëm nga dëshira për të qenë jashtëzakonisht i adhuruar dhe jo për arritjet por për vetë faktin që është vetvetja pa rezerva dhe paragjykime.

Një studim zbuloi se mundësia e kthimit në këtë personazh, ose sigurimi i një dëgjuesi me shumë për detaje të parëndësishme, rritej me moshën. (Prof.Asoc Simon Boag - Kërkues, 2021)

Mënyra më e mirë për t’u qasur me ta? Mos të rëntë halli!

2-    I gjithëdituri. Le të pyesim Shamanin!

Jam e sigurt që dhe ju njihni një person i cili poston opinione, gjykime dhe artikuj në median e tij sociale! Këto informacione që ai prek janë nga më të ndryshmet dhe larmishmet. Në shoqërinë e tij virtuale ai cilësohet si i gjithëdituri. Për fitime personale se profesionale, ai gjithmonë qëllimin kryesor ka zgjerimin e rrjetit të njohjeve. I gjithëdituri është shumë pasionant në projektimin e mendimeve dhe ideve të tij, poston më shpesh se mesatarja dhe u kushton shumë kohë dhe rëndësi përmbajtjeve që përcjell tek ndjekësit. Ky tip shamani është mësuar që gjithmonë njerëzit të komentojnë në postimet që ai shpërndan dhe është gati për tu përballur “me jetë” nëse do ketë kundërshtime.

Mënyra më e mirë për t’u qasur me ta? Duke i fshirë ose duke u bërë unfollow[9], kjo do ta japë mesazhin.

3-    Artisti. Shamani përcakton modën!

Ata janë inovativë, “hipstera”[10], vintage[11] dhe përfundimisht trendet e reja përcaktohen prej tyre. Me internetin si telajon e tyre, frymëzohen dhe ndajnë idetë inovatore me botën. U shijon shumë të bëjnë foto, shkruajnë blogje[12], dhe zhbirojnë çdo platformë që u lejon të shprehin mendimet e tyre. Ndjekësit ose thënë thjesht, ne “të zakonshmit” udhëhiqemi prej tyre mbi trendet dhe modën e fundit. Tendenca e këtyre artistëve është të shndërrohen në influencera[13] apo ambasadorë/përfaqësues të brandeve të ndryshme.

Mënyra më e mirë për tu qasur me ta? Hap një sipërmarrje, kërko një përfaqësues dhe prit të magjia të fillojë!

4-    Shkuesi/ Bashkuesi (Eja mblidhuni këtu, këtu!) Shaman popullori.

Shkuesit ose bashkuesit janë “fluturat sociale” të botës. Ky është një grup shumë aktiv në median sociale dhe e kontrollon aktivitetin e platformave shumë herë në ditë. Shkuesit i japin një rëndësi shumë të madhe ndërtimit dhe kultivimit të marrëdhënieve. Priren të kenë një numër shumë të lartë ndjekësish që vazhdimisht i lajkosin me pëlqime dhe komente. I sheh në foto me këdo që ti njeh dhe të bëjnë të kuptosh se sa e “vogël” është bota. Ata gjithashtu njihen si njerëz empatikë dhe që u shkon mendja për ty sepse mund t’i ndeshësh duke të dërguar tutoriale[14] YouTube-i, artikuj informues, dhe vlerësime/gjykime mbi produkte apo shërbime të caktuara. Ndonjëherë do të të dërgojnë artikuj për të grumbulluar lekë ose ndërgjegjësim. Ky grup zë një përqindje shumë të lartë të përdoruesve të medias sociale dhe janë ata që i bëjnë kompanitë, VIP-at[15] dhe VIP-at në tentativë, të ngrihen në nivele të tjera. Shprehja e vjetër “Ji një udhëheqës, jo një ndjekës!” nuk na tregon ndonjë gjë të madhe. Në botën digjitale. Ne jemi të gjithë lidera dhe ndjekës. (Smith, n.d.)

Mënyra më e mirë për t’u qasur me ta? Të gjen vetë, mos lëviz as gishtin!

5-    Halla, tezja, dhe babi. Fisi knows best!

Të gjithë kemi në kanalet tona të MS, sidomos në Facebook dhe Instagram, hallën, tezen apo babin shpesh shumë krenarë për ne. Gjithmonë kanë qenë kundër internetit por sapo njohin rrjetet sociale nuk dinë të ndalen. Ata janë shumë të “rinj” në përdorimin e platformave sociale dhe i hasim shpesh duke komentuar në foton tonë të profilit për të na pyetur sesi po na shkojnë punët, kur do dëgjohemi në Whatsaap video, që jemi më të mirët dhe të bukurit në botë, krenaria e fisit, ose për të na porositur të blejmë vezët. Muri i tyre është i mbushur me postime gazmore apo melankolike, shprehje artistike, dëftesa dhe certifikata të tuat apo të kushërinjve të tu. I gjen duke komentuar në çdo postim të faqeve të ndryshme “Amin” ose “Marshallah” dhe duke debatuar me këdo që ka bindje të ndryshme politike apo sociale.

Mënyra më e mirë për t’i arritur: Nuk kam koment!

6-    I Fshehti

Ai di gjithçka për ty dhe këdo tjetër në rrjetin e tij, nuk poston kurrë dhe shprehet se Media Sociale është e pashëndetshme dhe një humbje e madhe kohe. Kalon shumicën e kohës duke parë postime dhe foto të tuat të 2015 dhe pa dashje mund të të vijë ndonjë njoftim pëlqimi prej tij. Nuk bën kurrë Like[16] apo komente në postimet e tua dhe pse mund t’i duken shumë interesante, sepse nuk i pëlqen të bjerë në sy. Një nënkategori tjetër e të fshehtit janë ata me profile false. Ka shumë mundësi që të mos e kesh vënë re kur dikush që i përket të shkuarës tënde (eksat), shoqëria, familja apo më keq akoma dikush që ti nuk e njeh fare di çdo gjë për aktivitetin tënd virtual. Këta persona ndryshojnë, moshën, gjininë dhe mund të bëhen gjithçka që nuk janë në jetën reale për të arritur qëllimet e tyre.

Mënyra më e mirë për t’u qasur me ta? Shmangi si Muhammad Ali.

7-    Trolli

Ky është ai person i cili kalon çdo parashikim dhe çdo limit në median sociale duke filluar nga kundërshtimet shumë të pakëndshme dhe harbute deri tek fjalimet e drejtpërdrejta të urrejtjes, pavarësisht ndjeshmërisë dhe parëndësisë që mund të ketë çështja. Ankohen e qahen për çdo gjë të mundshme që ka apo s’ka asnjë lidhje me ta. Këta njerëz nuk vlejnë më shumë se koha e nevojshme për tu bërë bllok.

Mënyra më e mirë për tu qasur me ta? Lëri pa bukë, mos i ushqe!

Këto janë disa prej kategorive kryesore të personaliteteve në Median Sociale të sjellë në mënyrë paksa gazmore. Secili prej nesh mund të veshë herë pas here karakteristika të njërit apo tjetrit personalitet në varësi të konteksteve apo situatave të ndryshme. Platformat e Medias Sociale kanë ndryshuar me një ritëm shumë të shpejtë e bashkë me to dhe ne. Fillimisht qëllimi i përdorimit të tyre ka qenë ruajtja e komunikimit me familjarë e miq, po sot ky funksion është transformuar në një formë të re jete me të cilën zgjohemi çdo mëngjes dhe flemë gjumë çdo darkë. Me anë të kësaj jete ne kemi aftësi dhe mundësi që më parë nuk mendonim madje as se ekzistonin. Media sociale është një armë, e cila në duart e duhura përdoret për mbrojtje dhe prosperitet dhe në duart e gabuara krijon konflikt, agresion dhe luftë. Na takon neve të zgjedhim! Na takon neve të vendosim a do të jemi një rrëfimtar, artist, troll, narcizist apo fantazëm. Historia e medias sociale daton që në 1997 po për më tepër do të takohemi bashkë në artikullin e ardhshëm...

Referencat
Department, S. R. (2022, January 28). Statistica.com. Retrieved from https://www.statista.com/statistics/433871/daily-social-media-usage-worldwide/

Dollarhide, M. (2021, August 31). Investopedia.com. Retrieved from https://www.investopedia.com/terms/s/social-media.asp#toc-what-is-social-media

Eliade, M. (n.d.). Britannica.com. Retrieved from https://www.britannica.com/topic/shamanism

Lua, A. (2022). Buffer. Retrieved from 20 Top Social Media Sites to Consider for Your Brand in 2022: https://buffer.com/library/social-media-sites/

Prof.Asoc Simon Boag - Kërkues, S. S.-s. (2021, March 26). The Lighthouse- Macquarie University. Retrieved from https://lighthouse.mq.edu.au/article/march-2021/Why-do-people-overshare-on-social-media

Smith, T. (n.d.). KM & A. Retrieved from https://wearekma.com/the-4-types-of-social-media-users/

Starr, L. (2020). PLANN . Retrieved from https://www.plannthat.com/9-positive-effects-of-social-media-you-might-not-know-about/

[1] Ndarja e një informacioni me të tjerët duke përdorur murin publik në kanalet e medias sociale, mesazhet ose opsionin e të etiketuarit (tag)
[2] Grupi i miqve dhe ndjekësve në platformat e ndryshme të medias sociale.
[3] Aktivitetet në natyrë, pa përdorimin e internetit.
[4] Material i shpërndarë në platformat e medias sociale (foto, video, artikull, etj.)
[5] Të tjerët për Shamanizmin konsideroheshin anëtarët e botës së shpirtrave. Në këtë rast është sjellë për persona të cilat ndodhen në shtet tjetër nga ai ku ne jetojmë.
[6] “Fear of missing out” është fenomeni i frikës se një ngjarje emocionuese ose interesante mund të ndodhë aktualisht diku tjetër pa prezencën tuaj, shpesh aktivizohet nga postimet, aktivitetet në mediat sociale.
[7] Also Known As (i njohur gjithashtu dhe si)
[8] Dashuria me veten: Miti grek i Narcisit, i cili bie në dashuri me reflektimin e tij, është origjina e termit narcisizëm.
[9] Nuk e ndjek më në median sociale, ndalon së pari aktivitetin e këtij personi.
[10] Një person që ndjek tendencat dhe modat më të fundit, veçanërisht ato që konsiderohen si jashtë rrjedhës së zakonshme kulturore.
[11] Dizajni vintage i referohet një artikulli të një epoke tjetër që ka vlerë të rëndësishme dhe të dallueshme.
[12] Ditar online ku një individ, grup ose korporatë paraqet një reflektim të aktiviteteve, mendimeve ose besimeve që ka.
[13] Një person me aftësinë për të ndikuar tek blerësit e mundshëm të një produkti ose shërbimi duke promovuar ose rekomanduar artikujt në mediat sociale.
[14] Një periudhë edukimi e ofruar nga një specialist për një individ ose grup njerëzish.
[15] Very important person (një person me rëndësi të lartë)
[16] Mjet i cili vlerëson pozitivisht materialin e shpërndarë në kanalet e medias sociale.

1 Komente

  1. d
    dhe si arrihet ky koncentrim ne kto Medie Koncerne

    Ky Koncentrim ne kto Shifra ne kto Rrjete Sociale arrihet ne disa menyra , nji nder te cilat eshte Degjenrimi i Medies se X -vendi si pesh ktu ne Shqiperi , ku Censurohen User dhe liria e shprehjes se lire , bllokohet cdo mundesi debati apo cdo lloj tematike te lire si ne cdo shoqeri psh ajo Europiane dhe nuk krijohen mundesi te tilla si psh ne vet kto Rrjete sociale ! Pra i largojne nga Shqiperia me te tilla Metoda Censure si ndodh ne Diktature dhe i len hapur portat e Medieve te tilla Sociale ku vershojne jovetem shqiptaret , mipro per kte nuk shqetesohet kush ne ate vend qorrash llapebukur

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje