Buffon flet për penalizimin e Juves: Mazokizëm apo antipushtet që dëshiron të mundë pushtetin?!

16 Shkurt 2023, 20:40Sport TEMA

Buffon flet për penalizimin e Juves: Mazokizëm apo antipushtet që

Karriera e Gianluigi Buffon ishte e jashtëzakonshme. Në mbi 25 vite futboll në nivelet më të larta, ai e ka shenjtëruar veten jo vetëm si një nga portierët më të fortë të të gjitha kohërave, por edhe si një nga lojtarët më jetëgjatë në historinë e futbollit italian.

Në moshën 45 vjeçare, ai është ende protagonist në fushë me fanellën e Parmës dhe synon një vend në “play-off” e Serie B, që ofron ngjitjen në elitë. Buffon në një intervistë të gjatë për “La Stampa” ka shpjeguar se si po e përjeton këtë fazë të karrierës së tij: “Jam shumë i lumtur kështu. Nga ndërgjegjësimi i fituar deri te gëzimi i familjes, ndjej se kam më shumë kënaqësi tani”.

Buffon padyshim që emrin e tij e ka lidhur me Juventusin, skuadër që aktualisht po përjeton një moment delikat për shkak të penalizimit të fundit, zbritjen e 15 pikëve. Buffon, i cili përjetoi ciklonin “Calciopoli” në vitin 2006, ka disa këshilla për t’iu dhënë lojtarëve të Juventusit:

“Për të përfituar maksimumin prej tij është i vetmi aspekt pozitiv i historisë. Për sa iu përket atyre, bardhezinjtë nuk kanë më asgjë për të humbur. Gjithçka që fitojnë nuk do të kërkohet më, presioni i detyrimit për të shkuar në Champions League ose për të qëndruar pranë Napolit është zhdukur. Është një nuancë që i lehtëson”.

Legjenda e Juventusit ka zbuluar se cila është ideja që ka për këtë çështje: “Jam në pritje të përfundimit të procesit gjyqësor. Por në rast të një dënimi tjetër të ashpër në harkun kohor të 17 viteve, duke pasur parasysh që Juventusi portretizohet si superfuqi, sepse është fitimtar, nuk mund të mos i bëja vetes një pyetje: A është fuqia mazohiste që godet veten apo është antipushtet që do të mundë pushtetin?”

Buffon ishte protagonisti i jashtëzakonshëm i një cikli që sapo ka përfunduar; ai i Andrea Agnellit: “Unë ndalem në gjykimin e fushës, botës time dhe them se 10 vite si ato të presidentit Agnelli janë të papërsëritshëm. Do të kalojnë dekada para se cilido t’i barazojë ata”.

Lini një Përgjigje