Alessandro del Piero mund të jetë presidenti i ri i Federatës Italiane të Futbollit. Legjenda e Italisë dhe Juventusit konsiderohet nga mediat italiane si kandidat i mundshëm për të marrë drejtimin e institucionit më të rëndësishëm të futbollit në vend.
Del Piero, fitues i Kupës së Botës në vitin 2006, besohet se ka mbështetjen e duhur nga klubet dhe në këtë mënyrë pritet të jetë pjesë e votimit të përcaktuar më 3 shkurt të vitit të ardhshëm.
Del Piero do ta konfirmojë kandidaturën e tij javën e ardhshme, pikërisht të mërkurën. Asambleja e FIGC përbëhet nga klube të katër niveleve të futbollit italian plus 52 lojtarë, 26 trajnerë dhe nëntë përfaqësues arbitrash.
Janë 276 delegatë dhe Presidenti i ri zgjidhet nëse merr 50 për qind plus një votë më shumë se kundërshtari.
Presidentit aktual, Gabriele Gravina i mbaron mandati në vitin e ardhshëm dhe mbetet ende në dyshim kandidatura për tu rizgjedhur.
Edhe tek ne, mund të mendohej një duel midis Lorik Canajt dhe Igli Tares për president të Federatës. Por kuptohet, nëse mendohet më e paimagjinueshmja, që Duka të tërhiqej nga rikandidimi.