Klubi i Elbasanit reagon për ndarjen nga jeta të Fatjon Bunjakut: Në këto momente të vështira, lutjet shkojnë për familjen!

7 Qershor 2026, 11:50Sport TEMA
Klubi i Elbasanit reagon për ndarjen nga jeta të Fatjon Bunjakut:

Ndarja tragjike nga jeta e Fatjon Bunjakut ka tronditur jo vetëm familjen dhe miqtë e tij, por edhe të gjithë komunitetin sportiv.

Pas lajmit të rëndë, AF Elbasani ka reaguar me një mesazh prekës në rrjetet sociale, duke shprehur dhimbjen për humbjen e sulmuesit 22-vjeçar.

Klubi verdheblu e cilësoi Bunjakun jo vetëm si një futbollist të rëndësishëm të skuadrës, por edhe si një njeri që përfaqësoi me dinjitet dhe krenari ngjyrat e Elbasanit.

“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të lojtarit tonë, Fatjon Bunjaku. Sot, familja e madhe e klubit tonë humbi jo vetëm një lojtar, por një njeri që mbajti me krenari ngjyrat e klubit dhe la kontributin e tij në historinë tonë”, shkruan klubi në reagimin zyrtar.

Më tej, Elbasani vlerëson përkushtimin dhe pasionin e futbollistit për lojën, duke theksuar se ai do të mbetet gjithmonë pjesë e identitetit të klubit.

Në mesazhin e ngushëllimit, verdheblutë shprehin mbështetjen për familjen Bunjaku dhe të gjithë ata që e njohën nga afër sulmuesin e talentuar.

“Në këto momente të vështira, mendimet dhe lutjet tona janë me familjen Bunjaku, miqtë dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin dhe ta duan Fatjonin. Fatjoni nuk do të harrohet”, mbyllet reagimi i AF Elbasanit.

Lini një Përgjigje