Neptun Bajko: Lista e Silvinjos cenoi ekuilibrat e Kombëtares

1 Qershor 2024, 15:00Sport TEMA
Neptun Bajko: Lista e Silvinjos cenoi ekuilibrat e Kombëtares

Kur analizova ndeshjen e fundit miqësore që Kombëtarja luajti kundër Suedisë në muajin mars, kam thënë se tani do të nisin edhe dhimbjet e kokës për trajnerin Silvinjo. Problemet dhe shqetësimet janë gati të njëjta për çdo trajner. Këto vështirësi ne si trajnerë i kishim në sens të kundërt në kohën kur drejtonim. 

Kishim lojtarë, por nuk na vinin dot për probleme nga më të ndryshmet. Ndërsa sot është krejt ndryshe, pasi ka shumë lojtarë, por duhet të punohet për të zgjedhur më të mirët dhe ata që kanë dhënë kontribut në ekipin kombëtar.

BESUESHMËRIA TRAJNER, EKIP DHE TIFOZË- Të them të drejtën, deri diku nuk e prisja që kjo listë të ishte kështu. Megjithatë, që një trajner i ekipit kombëtar ka të drejtën dhe përgjegjësinë të formulojë listën dhe të jetë ai që vendos për këtë, unë nuk e diskutoj fare. Por, kjo përgjegjësi s’është vetëm e tij. Kjo përgjegjësi lidhet edhe me stafin dhe drejtuesit e FSHFsë, por gjithashtu me sportdashësit, sepse Kombëtarja është e të gjithëve. 

Dhe, në këtë aspekt, nuk duhet të ketë asnjë lloj hezitimi ose mëdyshje në sens të kundërt për zgjedhjen e lojtarëve. Njeriu nuk duhet të pendohet për atë që ka bërë, por për ato që s’ka bërë. Nëse Silvinjo ka dilema në këtë aspekt, atëherë unë e quaj një diçka të paplotësuar. Unë mendoj se nuk është e vështirë sot të gjesh lojtarë. Ka disa të tillë që luajnë në klube të Europës, lojtarë të perspektivës dhe që po rriten.

Por, është shumë më e vështirë të luash në një vend të tillë, siç është ekipi Kombëtar, siç është Kampionati Europian. Këtë dilemë ekskluzivisht duhet ta zgjidhë trajneri dhe stafi i tij për të vendosur. Por, në të njëjtën kohë është edhe përgjegjësi. Në këtë botë nuk ka asgjë perfekte. Duhet të mendohet gjithnjë zgjidhja më e mirë dhe të ketë sa më pak dëme, qoftë morale, profesionale dhe gjithashtu sa i takon përgjegjësisë. 

Opinionet dhe mendimet rreth kësaj çështjeje nuk duhet të cenojnë aspak besueshmërinë trajner-ekipsportdashës. Në këtë aspekt, unë mund të bëj kritikën time si ish-trajner. Është shumë e rëndësishme besueshmëria trajner-ekip-sportdashës. Mendoj që sadopak, kjo vlerë e pacenueshme, besueshmëria dhe vlera profesionale në rastin e Uzunit, Bares dhe në veçanti të Cikalleshit, ka cenuar ekuilibrat e Kombëtares. (Panorama Sport)

 

Lini një Përgjigje