Presidenti i FSHB Avni Ponari i përgjigjet akuzave të presidentit të Teuta Basket, Arqile Gorrea

7 Shkurt 2025, 14:50Sport TEMA
Presidenti i FSHB Avni Ponari i përgjigjet akuzave të presidentit

Federata Shqiptare e Basketbollit (FSHB) ka reaguar ndaj akuzave të presidentit të Teuta Basket, Arqile Gorrea, i cili ka kërkuar largimin e kreut të federatës, Avni Ponari.

Në një deklaratë zyrtare, FSHB e cilëson qëndrimin e Gorres si të pabazuar dhe të dëmshëm për basketbollin shqiptar, duke theksuar se federata ka vepruar gjithmonë në përputhje me rregulloret e miratuara.

REAGIMI

PËRGJIGJE NDAJ DEKLARATËS SË SHOQATËS TEUTA BASKET

Në lidhje me pretendimet e vazhdueshme dhe tekanjoze të Shoqatës Teuta Basket mbi zhvillimet e fundit në Kupën e Republikës, dëshirojmë të sqarojmë opinionin publik durrsak dhe komunitetin e basketbollit mbi pretendimet e Arqile Gorres, i cili vepron kundër interesave të sportistëve dhe sportdashësve durrsakë.

1. Organizimi i ndeshjes dhe respektimi i rregullores

Federata Shqiptare e Basketbollit (FSHB) ka vepruar dhe vepron në përputhje me rregulloret e miratuara, të cilat janë pranuar edhe nga Teuta Basket si shoqatë anëtare e FSHB-së. Vendimi për zhvillimin e ndeshjes në Elbasan është marrë në bazë të kritereve organizative dhe teknike, duke pasur si qëllim garantimin e një gare të ndershme dhe të barabartë për të gjitha ekipet pjesëmarrëse. Ekipi i Teutës ishte pjesë e këtij vendimi dhe ishte i gatshëm të luante në Pallatin e Sportit në Elbasan.

2. Ndryshimi i vendndodhjes së ndeshjes

Për arsye teknike, u bë e pamundur zhvillimi i ndeshjeve në Elbasan dhe federata vendosi që ndeshjet të zhvillohen në Pallatin e Sportit “Goga” në Durrës, në kushte më të mira, por me një kosto më të lartë për federatën. Kjo u bë për të garantuar vijimin e garës dhe për të mos dëmtuar ekipet.
Në të kaluarën, z. Gorrea ishte ankuar për kushte të papërshtatshme në këtë pallat, ndërsa këtë herë gjeti një justifikim tjetër për të mos marrë pjesë, duke kërkuar që ndeshja të shtyhej pa asnjë bazë të rregullt.

3. Refuzimi i pjesëmarrjes dhe pasojat

Nëse një ekip nuk pranon të luajë sipas rregullave të përcaktuara, atëherë nuk mund të ketë përjashtime të veçanta. Shoqata Teuta Basket, me vendimin e saj për të mos marrë pjesë, shkeli dëshirën e sportistëve për të luajtur, të sportdashësve durrsakë për të parë ekipin e tyre dhe, si pasojë, do të përballet me masat përkatëse disiplinore për tërheqjen nga Kupa e Republikës.

4. Akuzat e pabazuara dhe prapavija e sulmeve ndaj FSHB-së

Akuzat e Shoqatës Teuta Basket ndaj federatës janë të pabazuara dhe nuk kanë asnjë argument valid. Këto janë pjesë e një platforme të mirëorganizuar nga z. Gorrea, i cili ka zhvilluar takime të fshehta me subjekte të ndryshme për të sulmuar federatën dhe drejtuesit e saj.
FSHB rikujton sukseset e arritura si:
• 5 medalje me ekipet kombëtare U16, U18 dhe U20 vetëm vitin e kaluar.
• Liga UNIKE, nga e cila Teuta Basket u tërhoq, duke u kritikuar nga opinioni sportiv në Durrës.
• Liga SIGAL për U20, për djem dhe vajza.
• Organizimi i kampionateve ndërkombëtare në Shqipëri, që rrisin imazhin dhe nivelin e basketbollit vendas.

5. Financimi dhe mbështetja ndaj klubeve

FSHB është e vetëdijshme për sfidat financiare që përballet basketbolli shqiptar dhe ka lobuar vazhdimisht për rritjen e mbështetjes financiare për klubet. Ndërkohë, Shoqata Teuta Basket merr më shumë fonde nga Bashkia Durrës sesa federata për gjithë Shqipërinë dhe i përdor këto fonde pa asnjë përgjegjësi. Nëse një ekip refuzon të marrë pjesë në aktivitetet e federatës, atëherë duhet të ketë pasoja edhe në mbështetjen financiare që i jepet nga institucionet publike.

6. Respekti për basketbollin dhe sportdashësit

FSHB respekton historinë e çdo klubi dhe kontributin e çdo individi në zhvillimin e basketbollit shqiptar. Megjithatë, mbështetja e së shkuarës nuk mund të përdoret si justifikim për veprime që dëmtojnë frymën sportive dhe garën e ndershme.

7. Basketbolli do të ecë përpara

Pavarësisht pengesave dhe sulmeve të pabazuara, FSHB do të vazhdojë të punojë për zhvillimin e basketbollit shqiptar. Në vijim, do të organizohen dy ndeshje të rëndësishme për ekipet kombëtare dhe gjashtë kampionate të moshave, ndërkohë që Shqipëria do të presë edhe kampionate evropiane.
FSHB do të vijojë në rrugën e zhvillimit të basketbollit shqiptar me përkushtim dhe profesionalizëm.

Gjithashtu, vërejmë se sulmet ndaj FSHB-së ndodhin çdo vit përpara fazës së play-off-it, dhe i bëjmë thirrje opinionit publik që të reflektojë në mënyrë konstruktive mbi këtë situatë.

Basketbolli është mbi gjithçka – le të fitojë sporti!

1 Komente

  1. L
    Lajm tregëtie

    Hapni dosjet të dyve dhe keni për të parë se kush janë këta dy ish spiunë të sigurimit të shtetit. Zihen për punë fondesh, si dhe për faktin kush është më i gjatë, ai duhet të drejtojë. As u shkon njeri për t'i ndjekur ndeshjet, se të vjen turp t'i shikosh skuadrat e basketbollit.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje