Rrëfimi i Zllatan Ibrahimoviç: Gruaja lan e gatuan, unë çoj fëmijët në shkollë

3 Maj 2024, 17:25Sport TEMA
Rrëfimi i Zllatan Ibrahimoviç: Gruaja lan e gatuan, unë

Zlatan Ibrahimoviç e përfundoi karrierën e tij si futbollist në fund të sezonit të kaluar në një “San Siro” emocional dhe të mbushur plot. Vetë suedezi që përshëndeti Milanin me lot në sy, tashmë, në një bisedë të gjatë në podkastin “ABTalks” foli gjithashtu për arsyet pse vendosi të tërhiqej dhe për shumë tema të tjera.

Rikthimi te Milani, marrëdhënia me Kardinalen, Raiolën dhe familjen. Ja fjalët e tij të raportuara nga “Goal.com”.

Si ndihet dikush si Zlatan Ibrahimoviç pas daljes në pension?

Ndihem mirë, jeta është e bukur dhe më ka ecur mbarë. Padyshim që ndalova së luajturi futboll tetë muaj më parë, tani kam një jetë ndryshe, pranova të ndaloja së luajturi futboll që ishte një gjë e vështirë për shkak të egos sime, për shkak të asaj që mendoj për veten.

Çfarë mendonit në ato ditë para vendimit për t’u tërhequr?

Mendoja se isha më i miri, jam akoma më i miri, mund të vazhdoj… por zgjodha të ndalem.

Pse?

Dua një jetë të mirë për familjen time. Doja të isha në gjendje të bëja gjëra me fëmijët e mi, nëse do të kisha vazhduar nuk do të kisha mundur të bëja asgjë me askënd sepse kisha probleme me gjurin dhe isha vazhdimisht me terapi. Kështu që e pranova faktin, erdha në një moment ku thashë ‘në rregull, lëre të shkojë dhe fillo një kapitull të ri në jetën tënde’.

Si u mundësua rikthimi te Milani?

Xherri Kardinale më bëri një ofertë që nuk mund ta refuzoja. Fillova të punoj me Milanin dhe kam në këtë rol të ri tre ose katër muaj. Më duket se po ecën mirë.

Keni mësuar diçka nga Raiola që ju shërben tani që nuk luani më?

Kur ai ndërroi jetë ishte një goditje e rëndë për mua. Kam qarë shumë. Dhe nuk ka mbaruar ende sepse ndonjëherë më vijnë kujtime në mendje. Më mungon shumë. Të gjithë ata që më njohin mua dhe atë e kuptojnë sa afër ishim. Po sikur të mundja t’i dërgoja një mesazh do t’i thosha se më mungon.

Dikur mungonit shumë ndërsa tani jeni vazhdimisht në shtëpi. Çfarë ka ndryshuar tjetër?

Gruaja ime gjithmonë më thotë ‘kujto kush u kujdes për ty para se t’i të filloje të kujdeseshe për familjen’. Ajo hoqi dorë nga karriera për mua, më shoqëroi në çdo gjë që bënte, më dha gjithçka dhe hoqi dorë nga gjithçka për mua. Nuk mendoj se duhet të kesh një ego të madhe në një lidhje, të jesh mbi dikë tjetër. Mendoj se duhet të jetë 50/50, padyshim që ajo merr më shumë përgjegjësi për disa gjëra dhe unë për të tjera.

Po më thoni që bëni një jetë normale?

Njerëzit mund të mendojnë se jemi një familje që bëjmë një jetë luksoze, por ajo bën larjen dhe gatimin. E vetmja ndihmë që kemi është një pastruese. Unë i çoj fëmijët në shkollë, i marr nga stërvitja si një familje normale sepse kështu kemi zgjedhur. Në të gjithë shkollën, vetëm fëmijët e mi ngasin biçikleta. Familjet e tjera kanë dado që i linin dhe merrnin fëmijët, ose një shofer. Ne nuk jemi të tillë.

Lini një Përgjigje