“Snajperi”, Uzuni/ “Marca” nuk ia kursen elozhet sulmuesit shqiptar: Si Rodrigo e Gerard Moreno

16 Prill 2024, 09:56Sport TEMA
“Snajperi”, Uzuni/ “Marca” nuk ia kursen elozhet

Myrto Uzuni gjeti përsëri rrugën e rrjetës këtë javë me fanellën e Granadës përballë Alavesh dhe arriti në kuotën e 10 golave në La Liga në këtë sezon. Jo pak për sulmuesin shqiptar, duke llogaritur se luan me një skuadër e cila duket e destinuar për të rënë nga kategoria e për më tepër, prej javësh me probleme fizike.

Edhe e përditshmja spanjolle “Marca”, i ka kushtuar një artikull sulmuesit shqip[tar, i cili po bën më së miri punën e tij në radhët e klubit të La Liga. “Uzuni, një snajper nga 11 metrat”, titullohet shkrimi, i cili kujton se sulmuesi e ka kthyer në specialitet gjuajtën nga pika e bardhë.

“Edhe pse ka luajtur me gjilpëra dhe me dhimbje prej javësh, atij nuk iu dridh pulsi. Uzuni e ekzekutoi goditjen me saktësi, duke e çuar topin pranë shtyllës, për të bërë shtrirjen e portierit kundërshtar të pavlerë. Me golin e realizuar, lojtari nga Berati ka që tani 4 gola të shënuar nga 11 metrat, duke iu bashkuar Majoral, Pepelu dhe Dovbyk si një nga specialistët e La Liga në këtë seksion”, shkruan e përditshmja spanjolle.

Ajo kujton se lojtari ka realizuar 11 nga 13 penalltitë që ka gjuajtur me fanellën e Granadas, me një përqindje të lartë realizimi. Ndërkohë, thekson më pas se pasi u shpall golashënuesi më i mirë i La Liga 2 me 23 gola, ai ka ruajtur edhe këtë vit standartin në elitë. “Shqiptari ka arritur që tani kuotën e 10 golave dhe e sheh veten përkrah sulmuesve si Gerard Moreno, Rodrigo, Hugo Duro dhe En-Nesiri”, shkruan gazeta spanjolle. /P.Sport

Lini një Përgjigje