
Kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë e Lezhës Pjerin Ndreu ka folur sa i takon programit të tij për këtë qytet.
Ndreu u shpreh i bindur se për një fitore të thellë të mazhorancës në Lezhë, duke theksuar se qytetarët do e votojnë për shkak të punës së bërë në këto 4 vite që ai ka drejtuar bashkinë.
“Kemi interpretu një fushatë të jashtëzakonshme dhe besoj që mandatin e dytë do e kemi po ne. Unë e kam në kokë një përllogaritje, por le ta lëmë suprizë, do jetë fitore e thellë për arsye të punës që kemi bërë në 4 vite dhe me menaxhimin e situatave të vështira, nisur që nga godina e bashkisë, me një borxh prej 4.6 miliardësh, me një situatë shumë të rënduar të mbetjeve në territor apo të bujqësisë. Situata në qytet ka qenë e mjerueshme sa i përket fasadave, ku objekte social-kulturore kanë qenë të lëna komplet pas dore, lumi që kalon në mes të qytet ka qenë tejet i ndotur, rrugët në periferi kanë qenë skandaloze, por që ne jemi munduar që ta adresojmë dhe ka akoma shumë punë për të bërë.”
Ai tha po ashtu se ka gati projektet për një mandat të dytë, të cilat e kanë fokusin te turizmi dhe promovimi i Lezhës.
“Kemi projekte në proces dhe projekte që i kemi gati dhe do t’i implementojmë gjatë mandatit të dytë. Dy shtyllat kryesore të ekonomisë lezhjane janë turizmi dhe bujqësia. Do punojmë shpejt me infrastrukturën, me rrugët, ujin, kanalizimet dhe shërbimet e tjera që do jepen gjatë kohës së sezonit turistik, por edhe pas. Sot kemi një platformë ku ne promovojmë asetet turistike, ato religjioze, kulturore, “Ëelcome Lezha” dhe e gjithë bota mund ta shikojë. Kemi programe jo vetëm në Lezhë dhe Shqipëri, por kemi kontakte me operatorë turistikë dhe jashtë vendit. Pra është një kombinim që do sjellë në fokus një përsosje të turizmit mjedisor, artizan, religjioz dhe asaj që është qershia mbi tortë turizmi kulinar, për të cilin dihet Lezha është destinacion ndërkombëtar.”
Sa i takon situatës me përmbytjet që vite më parë ka qenë e zakontë në Lezhë sa herë kishte reshje shiu, Ndreu tha se ka një përmirësim të dukshëm.
“Nuk keni informacionin e vitit të fundit, vitin që kaloi ka pas 0 mbytje në det për shkak të mobilizimit, ka akoma shumë punë për të bërë, por e gjithë vija bregdetare ka qenë e mbuluar me roje, tek tuk ndonjë biznes që nuk e ka zbatu. Këtë vit do merren masa akoma më të rrepta.
Janë hap të gjitha kanalet e para të ujërave dhe në 90% të territorit të qytetit nuk ka më përmbytje, Lezha nuk ka qenë një problem i madh dhe kur është përmbyt ka qenë e shkurtër dhe reagimi ka qenë i menjëhershëm. Janë 400 km kanale kulluese, edhe kanalet vaditëse janë përmirsuar, duam të hapim dhe 600 km tjera kanale kulluese në mandatin e dytë.”
Investimin më të madh në 4 vitet e ardhshme nëse ai i fiton këto zgjedhje, thotë se do e bëjë për transformimin vizual të qytetit dhe Shëngjinit.
“Transformimi i qytetit dhe Shëngjinit në pamjen vizuale, pastërtinë dhe infrastrukturën. Kemi zgjidh probleme të mëdha dhe jemi në rrugën e zgjidhjeve të disa projekteve të tjera, është zgjidh problemi i ujit të pijshëm në zonën Tale 1 dhe Tale 2 që janë zona turistike, do fillojë projekti gjerman për kanalet e ujërave të zeza dhe të bardha, Lezha nuk do përmbytet më kurrë.”
Lini një Përgjigje