Genc Ruli ka privatizuar jashtë ligjit kompleksin “Partizani” për dhëndrin e “gjysh Saliut”

17 Janar 2011, 22:17Blog TEMA

Nga Kledian Lula

Në dosjet që i përkasin punës së Genc Rulit si Ministër Ekonomie në qeverisjen e “duarve të pastra” të Sali Berishës nuk gjen asnjë “presje” ku të mos jetë shkelur haptazi e me paramendim ligji, duke realizuar aferat korruptive me pasuritë kombëtare e ato publike nën “bekimin” e kreut të qeverisjes Sali Berisha. Kudo ku janë privatizuar ndërmarrje, kudo ku janë bërë tendera me hidrokarburet dhe energjinë elektrike, kudo ku janë dhënë licenca minierash e hidrocentralesh, i vetmi emër që përmendet është emri i Genc Ruli, “etalonit” të botës së krimit ekonomik e financiar shqiptar, me shtrirje edhe jashtë kufijve. Biznesi shqiptar e ai i huaj është “mjel” fort dhe sistematikisht prej këtij ministri të babëzitur, i cili siç thonë biznesmenët e “rrjepur” prej tij, apo koncesionarët, “Genc Ruli nuk ta hidhte firmën e vulën në kontratë, sikur në ryshfet të mungonte qoftë edhe… 1 cent”. Ky ministër “lubi” është hajdut në natyrë dhe “trim” në afera, mbasi fuqia e tij “ushqehet” me mbështetjen e plotë e të vetëdijshme prej ortaku nga kryeministri Sali Berisha. Çdo firmë e hedhur prej Genc Rulit ka lidhje me një aferë, me një propozim dhe vendim prej hajduti, ose bashkëpunëtori qeveritar në hajdutëri korruptive në favor të vetes, të kolegëve ministra, deputetëve, të afërmve e miqve të familjes kryeministrore.

Në këtë “koleksion” firmash që gjenden në dosjet e veprimtarisë së tij korruptive ministrore, gjendet dhe procedura e dukshme, e qëllimshme anti-ligjore për grabitjen e kompleksit sportiv “Partizani” nëpërmjet metodës së privatizimit. “Zanatçiu i vjetër i korrupsionit” zyrtar shqiptar Genc Ruli, ka synuar ta pronësoj për vete këtë pasuri të madhe, por siç thonë ia “hoqi nga dhëmbët” (ar)miku i madh i korrupsionit, shefi Sali Berisha. Ky kompleks sportiv, i gjendur në pozitë të favorshme gjeografike në Tiranë, ngjalli lakminë e familjes kryeministrore. Këtë herë, si në shumë raste të tilla me leverdi në Durrës, Sarandë e Vlorë, “grabitqari” ishte  dhëndri i “gjysh Saliut”, biznesmeni i mega-ndërtimeve turistike Jamarbër Malltezi dhe motra e tij Olta Malltezi. Ndërhyrja e tyre për t’u privatizuar kompleksi sportiv “Partizani” në mënyrë të kundërligjshme, kishte lidhje të dukshme me pjesën premtuar nga pronarët për ndërhyrjen në realizimin dhe shpejtimin e privatizimit të kompleksit “Partizani”. Procedurat u bënë gati në mënyrë urgjente dhe u miratua privatizimi që e ndalonte ligji, deri 1 minutë përpara se të ndërhynte dhëndri i Berishës dhe motra e dhëndrit, më qartë “Malltez-markezët” e Shqipërisë. Për të vërtetuar këtë aferë të pisët qeveritare me autorë kryeministrin dhe ministrin e tij “Mon Kukaleshi” nuk ka nevojë për çimka, por vetëm të shikosh kontratën e bërë tek “Studio Argita” mes “Malltez- markezëve” të pushtetit dhe atyre që kërkuan privatizimin e kompleksit sportiv “Partizani”.

Skandali i grabitjes së kompleksit sportiv “Partizani” zbulohet nga vendimi i firmosur prej qeverisë për kthimin e sipërfaqes mbi të cilën ngrihej kompleksi sportiv “Partizani” në shesh ndërtimi. Në datën 29.12.2007 në mbrëmje, vetëm 2 ditë përpara Vitit të Ri 2008, megjithëse nuk ishte “çështje urgjente me interesa të dukshme kombëtare”, pas vendimit të paligjshëm të KRRT, qeveria “Berisha” ka miratuar shkatërrimin dhe kthimin e kompleksit “Partizani” në shesh ndërtimi, megjithëse nuk kishte VKM për privatizimin, ose vendim për kthim fizik si pronë, megjithëse edhe këto akte i ndalon ligji që është akoma në fuqi. Me po këtë shpejtësi bashkëpunëtorësh në afera korruptive, ditën dhe orën e parë të punës të vitit 2008, saktësisht në datën 4 janar 2008, ish-ministri Genc Ruli, ka zbatuar vendimin e qeverisë, të datës 29 dhjetor 2007, duke firmosur vendimin përkatës për të nisur procedurat “urgjente” të privatizimit të kompleksit sportiv “Partizani”. Por skandali qeveritar mbi këtë privatizim thellohet më tej, kur në “dosjen Ruli” konstaton se vendimi për privatizimin e kompleksit sportiv “Partizani” është shpallur 7 muaj më përpara se qeveria të nxirrte vendim për privatizimin e tij. Berisha dhe Ruli  firmosën privatizimin e kompleksit sportive “Partizani” në 4 janar 2008, ndërsa qeveria e nxori vendimin që lejonte privatizimin në muajin korrik 2008 (vendim i paligjshëm).

Urdhri zyrtar i ministrit Genc Ruli: Të mbyllet urgjent dosja e privatizimit

Procedurat qeveritare për të përshpejtuar me urgjencë realizimin e privatizimit të kompleksit sportiv “Partizani”, u kryen të gjitha brenda 16 ditësh me interesimin e plotë të ish-minsitrit Genc Ruli. Me një vendim qeveritar anti-ligjor në duar, të firmosur prej kryeministrit Sali Berisha, kompleksi sportiv “Partizani” duhej të bëhej “kurban” sa më shpejt. Po nën “vigjilencën” e tij, me përzgjedhjen e personave të besuar, ish-ministri Genc Ruli ngriti një komision të posaçëm për të përgatitur “dosjen e zezë” të shkatërrim-privatizimit të kësaj prone shtetërore. Për ta vërtetuar shkeljen e ligjit që shoqëron procedurën e privatizimit të kompleksit sportiv “Partizani”, po publikojmë urdhrin zyrtar të hartuar, të firmosur e të shpallur prej ish-Ministrit Genc Ruli “për zbatim urgjent”. Vendimi për nxjerrjen dhe zbatimin e këtij urdhri është firmosur brenda ditës edhe prej kryeministrit Sali Berisha.

URDHERI I GENC RULIT

Për ngritjen e Komisionit të Vlerësimit për Privatizimin e Objektit, Klubi Shumësportësh “Partizani”, Tiranë

Në zbatim të miratimit të privatizimit nr. 953/1, datë 22. 01. 2008, për fillimin e procedurave të vlerësimit të objektit Klubi Shumësportësh “Partizani”, Tiranë, në administrim të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si dhe në zbatim VKM nr. 794, datë 21.11.2007 “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet apo transformohet dhe për procedurën e shitjes”, kreu 1, urdhëroj ngritjen e komisionit te vlerësimit si më poshtë:

1. Irfan Hoxha, kryetar – Kryetar i Degës së Shoqërive Publike Tiranë

2. Afrim Tola, anëtar – Drejtor i Klubit Shumësportësh “Partizani”

3. Elvira Aliaj, anëtare – Eksperte Vlerësuese e Licencuar për Vlerësimin e Pasurisë së Paluajtshme

4. Sali Preçi, anëtar – Ekspert Kontabël i Autorizuar)

Sa më sipër, dokumentacioni i vlerësimit të objektit dhe të truallit do të përgatitet në zbatim të VKM nr. 794, datë 21.11.2007 “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet apo transformohet dhe për procedurën e shitjes”, si dhe akteve të tjera ligjore dhe nënligjore në fuqi, duke respektuar afatet e përcaktuara.

dv. Ministri, Genc Ruli

Ligji i shkelur nga Berisha-Ruli për privatizimin e kompleksit “Partizani”

Dosja e procedurës për privatizimin e kompleksit sportiv “Partizani” është hartuar dhe miratuar duke shkelur ligjin për urbanistikën, për kthimin e kompensimin e pronave dhe privatizimin e pronave publike kur ato janë mjedise publike të të gjithë natyrave. Këtë ligj e ka hedhur në koshin e plehrave dyshja Berisha-Ruli me veprimet e tyre për shkatërrimin e këtij kompleksi, prej të cilit ata dhe familjarët e miqtë e tyre kanë përfitimet e premtuara e të kërkuara. Pa nevojën e asnjë “çimke” kemi gjetur dhe po publikojmë ligjin përkatës, që ndalon krimin ekonomik të kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të “shushunjë” e të babëzitur Genc Ruli, mbi këtë pronë shtetërore-publike.

LIGJI I KUVENDIT

Ligji, Nr.8405, datë 17.9.1998, për Urbanistikën, neni 62, përcakton dhe detyron për zbatim kështu:

KRRT-të e rretheve, të bashkive të qyteteve të kategorisë së parë, të Bashkisë së Tiranës dhe KRRTRSH nuk kanë të drejtë të miratojnë asnjë ndërtim të përhershëm ose provizor, jashtë funksionit të territorit të përcaktuar në studimet e miratuara, në territore pronë publike të tilla, si: Territore të objekteve social-kulturore, territore të gjelbërta, territore sportive, sheshe dhe hapësira ndërmjet blloqeve të ndërtuara të banesave; rrugë, sheshe publike dhe vendqëndrime të përcaktuara dhe interpretuara në Rregulloren e Urbanistikës. Ndërtimet që mund të bëhen janë vetëm ato të përcaktuara në studimin urbanistik në përputhje të plotë me funksionin e miratuar. Për rastet e pronave të kthyera nga komisionet e kthimit dhe të kompensimit të pronave ish- pronarëve, kur këto prona gjenden në territore të tilla, KRRT-të e të gjitha niveleve nuk kanë të drejtë të ndryshojnë destinacionin e përcaktuar në studimin e miratuar. Në këto raste pronarët e tokave kanë të drejtë të kërkojnë kompensim sipas ligjeve në fuqi.

2 komente në “Genc Ruli ka privatizuar jashtë ligjit kompleksin “Partizani” për dhëndrin e “gjysh Saliut””

  1. demi says:

    Jam nje tifoz nga qindra e mijra tifozet e Partizanit. Doja ti thoja Genc Rulit dhe Sali Berishes qe e keni pas haram voten time dhe te familjes time.

  2. Epirioti says:

    Te drejte ke demi, se keta derra nuk e njohin as futbollin e asnje sport tjeter. Kenaqesia dhe tifozeria e te tjereve per sportin i ben te ndjehen inferior, ndaj nuk lane fushe e terren sportiv pa bere pallate dhe pa konfiskuar per veten e tyre. Ketu ka faj edhe opozita edhe pozita se jane fshatar me origjine dhe nuk kuptojne dot asnje loje sportive

Comments are closed.

Lini një Përgjigje