Gjyqi mediatik ndaj Ina Ramës

29 Nëntor 2010, 17:58Editorial TEMA

Nga Besar Likmeta

Dëshira për të linçuar kreun e prokurorisë tregon shumë për ‘ndërgjegjen e keqe’ me të cilën mediet shqiptare justifikojnë mungesën e lirisë dhe kurajos së tyre

Ka pak muaj, afërsisht aq muaj që kur nga Tirana u largua ambasadori Amerikan Xhon Withers, që komentuesit e korridoreve politike në Tiranë kanë filluar një fushatë denigrimi ndaj kryeprokurores Ina Rama.

Shpesh herë titujt e komenteve i kursejnë gërmat dhe i drejtohen thjesht me Ina, zonjës Rama, dhe pa ndrojtje parashtrojnë tezën e tyre të përsëritur që ajo dështoi.

Hera e parë që e kam hasur në shtyp këtë tezë ka qenë në gazetën 55, edhe pse kryeprokurorja kishte më pak se një vit në krye të institucionit.

Tashmë mund ta hasësh kudo të përsëritur në forma të ngjashme, dhe shkrimi i Andi Bushatit tek gazeta MAPO, Ina pa mburojë, i së shtunës nuk bën përjashtim.

Sipas Z. Bushati kryeprokurorja “Në misionin e saj për të ngritur një institucion mbi palët, ka dështuar… ky dështim gjigant, … organi i akuzës nuk po bën gjë tjetër veçse po fle mbi këto dosje… tani Ina Rama është e zhveshur dhe pa mburojë.”

I solla këto pak citate të shkëputura nga shkrimi, sepse edhe sikur zonja Rama të ndodhej përpara Shën Pjetrit në dyert parajsës, dyshoj se në tefteret e tij do të kishte gjykime kaq hijerëndë.

Megjithatë, vlerësime të tilla absolute të hedhura nga mëngjesi e deri në mbrëmje në eter dhe në faqet e shtypit të shkruar ka shumë. Ata po shtohen çdo ditë, sepse siç shkruan zoti Bushati tashmë zonja Rama është ‘pa mburojë,’ dhe të gjithë jemi të lirë ta linçojmë për një honorar.

Sigurisht që çdo kush ka të drejtën të mbrujtur në etikën e fjalës së lirë që të komentojë, dhe argumenti të vlerësohet nën peshën e vlerës së tij. Ajo që nuk kuptoj, ose më mirë nuk dua ta kuptoj është pse tani, disa prej nesh- njerëzit e medies, qenkemi më të lirë se më parë.

Nuk e di kush ishte ky pushtet apo superfuqi që i ka censuruar më parë të drejtën e shprehjes kolegëve të nderuar të faqeve editoriale të shtypit, megjithatë si një punonjës i kësaj industrie, edhe pse jo i asaj lokale, jam i gëzuar që kjo shtypje e ndërgjegjes së lirë ka përfunduar.

Sartri ka shkruar një gjysëm shekulli më parë që individët nuk mund t’i shmangen lirisë edhe në situata të jashtëzakonshme tiranie, paksa kjo shtypja jonë është më mondane.

Thelbi i argumentit për dështimin e zonjës Rama sipas z. Bushati dhe shumë të tjerëve, është se dy vjet nga shpërthimi i Gërdecit po “zvarritet në gjykatë ky proces, kur po mendohet e paimagjinueshmja, që edhe aktorët teknikë të atij krimi makabër të gjenden të lirë për shkaqe procedurale (pasi aktorët me pushtet ia kanë hedhur me kohë), dështimi është i dukshëm.”

Nuk e dija se zonja Rama drejtonte përveç prokurorisë edhe Gjykatën e Tiranës dhe Gjykatën e Lartë, po me që komentet ne duhet t’i marrim si të vërteta absolute, atëherë ajo ka dështuar në drejtimin e këtyre institucioneve.

Sigurisht gjyqtarët që kanë drejtuar këto çështje, apo avokatët që mosparaqitjen në seancë e kanë kthyer në një formë arti në mbrojtje të të pandehurve, nuk kanë kurrfarë faji sepse zonja Rama ka dështuar.

Sipas të njëjtit argument zonja Rama gjithashtu ka dështuar edhe pse po rri spektatore “në kryqëzatën e fundit me akuza për korrupsion të të dyja palëve.”

Megjithëse prokuroria po bën hetime dhe të paktën, në mos mbështetje duhet t’i japim kohë për të nxjerrë përfundime penale, ne kërkojmë që ky institucion të japë menjëherë drejtësi, mundësisht brenda të njëjtit emision lajmesh kur akuzat janë bërë publike.

Gjyqe të tillë të shpejtë, duke marrë të dhënë se kryeprokurorja kontrollon edhe gjykatat, kanë qenë standard në Shqipërinë e shkuar dhe fatkeqësisht shumë herë pritshmëria jonë për drejtësinë është e njëjtë.

Te mundohesh të ç’ndërtosh shkrimet një kolegu më medien shqiptare nuk konsiderohet e hijshme, megjithatë nuk do isha lodhur kurrë ta bëja një gjë të tillë po mos të ndjeja një lloj “ndërgjegje të keqe” që shkon përtej shkrimit.

Po t’i hedhim një sy karrierës akademike dhe juridike të zonjës Rama, mund të shohim lehtë se ajo ka mbaruar fakultetin juridik me rezultate të shkëlqyera, është pranuar në Shkollën e Magjistraturës me rezultatin më të lartë në historinë e kësaj shkollë dhe ka dalë me të njëjtin rezultat prej saj.

Në gjykimet e saj në gjykatat e shkallës së parë dhe në atë të krimeve të rënda, e gjitha artileria e rëndë politike e mazhorancës dhe e opozitës nuk ka gjetur një cen deri më sot, e megjithatë z. Bushati shkruan që ajo u “katapultua.”

Sigurisht në ambientin tonë mediatik, ne jemi mjaftueshëm cinik të mendojmë që vetëm një njeri që vjen nga korridoret politike nuk katapultohet, por vjen natyrshëm ne krye të institucioneve. Të tjerët që kanë merita që shkojnë përtej zallamahisë që shqiptarët shohin në televizor çdo ditë, jetojnë në hapësirë boshe.

Faktet tregojnë se zonja Rama dështoi sepse u bë e para prokurore në historinë e shkurtër të sundimit të ligjit në Shqipëri, që dërgoi dy ministra për gjykim, duke mos pasur mbështetje politike, një polici që ishte nën kontrollin e të akuzuarve dhe gjykata që as nuk i lexuan ndonjëherë paditë e ngritura.

Në gjithë këtë dështim “gjigant” të saj ne po rrinim duarkryq dhe po prisnim rastin tonë për t’ju përveshur. Në një medie ku i vetmi shfajësim për mungesën e kurajos dhe komplicitetit me kompleksin mediatiko-politik mbetet cinizmi, sjellja e kryeprokurores na shqetësonte të gjithëve.

Na shqetësonte sepse me cinizmin tonë kishim krijuar një mburojë në “ndërgjegje të keqe,” për mungesën e kurajos që na karakterizon në përballjen me pushtetin politik.

Kush ishte ajo që guxonte që të tentonte të vendoste drejtësi, dhe të shkatërronte mburojën tonë të cinizmit, që e kishim ndërtuar me aq mund për dy dekada.

‘Ndërgjegjja e keqe’ në argumentin e z. Bushati qëndron në faktin se kërkon të përcaktojë punën e prokurorisë, me dështimet e institucioneve të tjera jashtë kontrollit të saj. Kjo nevojë për të anatemuar lirinë dhe zgjedhjen e një individi vjen nga ndrydhja dhe skllavërimi, ku ne si aktor të medies gjejmë vetveten.

Jemi të pafuqishëm të shkojmë përtej interesave tona të vogla, jo sepse nuk kemi dëshirë, por na mungon kurajo. Kur dikush këtë e bën në ambientin tonë, vrapojmë ta linçojmë me proverba absolute dhe cinizëm province, sepse ndryshe mburoja jonë do të binte dhe do të dilnim në sytë e te gjithëve me gjithë lakuriqësinë tonë.

Unë jam i lumtur që Ina Rama dështoi, dhe jo se nuk dua drejtësi për 26 viktimat e Gërdecit, por të paktën ajo ishte mjaftueshëm e lirë dhe kurajoze të fillonte një betejë e vetme kundrejt të gjithëve. Këtë liri nuk e shoh as në sallën e parlamentit dhe as në faqet e gazetave.

Mbase ka ardhur koha që si shoqëri, dështimet e përbashkëta, mos t’ia faturojmë një njeriu të vetëm, sepse në këtë mënyre ndjehemi më mirë duke u vet-gënjyer. Por gjithashtu nuk kemi pse dështimet e një institucioni si gjykata t’ia kalojmë prokurorisë së kështu na shkon për masë.

Mburoja e Ina Ramës me vërtet ka rënë. Ata që hiqeshin sikur e mbronin me zemër të thyer kur mburoja e ambasadës amerikane dhe presidentit qëndronte akoma, e kanë shumë të lehtë sot ta sulmojnë.

Megjithatë, të paktën duhet të pyesim veten a e ndihmojnë këto sulme – që kërkojnë vetëm të konfirmojnë mburojën tonë cinike të krisur – kërkesën për drejtësi të familjarëve të viktimave të Gërdecit ndërkohë qe gjyqi s’ka mbaruar ende?

Sigurisht që jo, dhe më duket e paudhë që ne si medie t’i lajmë duart tona të papastra, duke sulmuar ato që duhet të na jepnin shpresë.

Ne jemi të lirë t’i sulemi Ina Ramës dhe t’i shpëlajmë trurin shqiptarëve, që ajo është si gjithë ne të tjerët, ajo dështoi sepse çdokush që përballet me pushtetin në Shqipëri i vetëm do të dështojë.

Fatkeqësisht, jemi totalisht të ndrydhur në njohjen e vlerave që tentativa e saj kundër pushtetit mbart, dhe për këtë gjë nuk e ka fajin Ina Rama.

Nëqoftëse ne pjesëtarët e medieve do ta provonim njëherë ta luftonim të vetëm pushtetin politik, jashtë llogoreve të tij nga ku hedhim baltë me komoditet, mbase do ta kuptonim më mirë zonjën Rama.

 

Lini një Përgjigje