Si u votua kryetari i parë i PD

14 Dhjetor 2010, 00:58Dossier TEMA

Nga Lorenc Vangjeli, Revista Mapo

Ismail Kadare e ka ngritur në art përfytyrimin e tij sesi Enver Hoxha, njeriu që kushtëzoi historinë moderne të Shqipërisë, morri pjesë në mbledhjen themeluese të partisë Komuniste. Koço Tashko e gjeti në rrugë Hoxhën dhe i kërkon të marrë pjesë në mbledhje. Fillimisht, Hoxha, i pashëm, i veshur me pallto të madhe të zezë, me borsalinë dhe shkop “borgjez” në dorë, nuk pranon. Largohet, por ndal në mes të rrugës dhe kthehet mbrapsht. Kthehet për të mos u larguar në ngjallje nga partia që solli diktaturën në Shqipëri dhe pa harruar, madje, që në listën e gjatë të viktimave të tij, të shënojë edhe emrin e Tashkos.

Nga nëntori 1941, plot 50 vjet më pas, në shkurt 1991, historia ngjan e përsëritur: Sali Berisha, një i parë mes të barabartëve, i thirrur në Lëvizjen Studentore, sipas kritikëve të tij, nga Ramiz Alia, hyri në PD për t´u bërë kryetar i saj dhe për të pretenduar qëndrimin e tij mbi të, në një total prej 55 vitesh. Natyrisht, duke shënuar në listën e gjatë të “viktimave” të tij politike, edhe një mori emrash nga ata që e ndihmuan në ngjitjen e pandalshme në pushtet.

Ku bashkohet heshtja me kaosin

Edhe heshtja totale, edhe kaosi i “të vërtetave” që përjashtojnë njëra-tjetrën, shpesh bashkohen në një pikë: në asgjësimin e të vërtetës. Plot 20 vjet nga Lëvizja Studentore e Dhjetorit ´90, pothuaj askush nuk mund të thotë me saktësi se çfarë ka ndodhur. Me atë histori është lidhur jo vetëm fati i gjithë shoqërisë shqiptare në kufirin mes dy sistemeve, por edhe fatet individualë të shumë e shumë individëve që shenjuan dhe u shenjuan nga ato ditë të ftohta dhjetori. Qoftë dhe për këtë arsye, qoftë për dinamikën e jashtëzakonshme të ngjarjeve – krejt e panatyrshme për “rutinën” e deri atëhershme shqiptare – qoftë dhe për mungesë të theksuar të dokumentacionit të shkruar, pikëpyetjet e llojit: çfarë ndodhi, si ndodhi, pse ndodhi dhe roli i individëve të veçantë në to, do të vazhdojnë të shtohen. E bashkë me to, edhe paqartësitë, qortimet e vazhdueshme të “kujtimeve” të njërit apo tjetrit, do ta veshin të vërtetën me zhguallin e retorikës edhe romantike, edhe gënjeshtare.

Historianët e nesërm do ta kenë pafundësisht të vështirë të ndajnë ku fillon e vërteta dhe ku mbaron mburravecëria tipike ballkanase dhe komuniste shqiptare, do ta kenë të vështirë të ndajnë “heronjtë nga tradhëtarët”, të mirën nga e liga. Fakti që shumica e dëshmitarëve kryesorë të asaj kohe janë gjallë dhe ndikojnë fuqimisht në mënyrën e shkrimit të së shkuarës dhe për më shumë, që një pjesë e tyre janë ende në politikën aktive pikërisht falë “dekoratave” të marra në dhjetor ´90, i detyron ata të krijojnë fillimisht për veten dhe më pas, për gjithë publikun, një marëdhënie të kushtëzuar me të vërtetën. Njëri prej tyre është kryeministri i vendit, zoti Sali Berisha, që edhe këtë vit, si çdo vit, kërkon të bëjë “rishkim” të së shkuarës me kushtin e vetëm: të dalë antikomunist, të dalë idealist, të dalë pa asnjë lidhje me të shkuarën e tij komuniste.

Të njëjtën gjë, e ka bërë edhe alter ego-ja e tij ish-socialiste, Fatos Nano, që muaj më parë, në një rrëfim të gjatë në vetë të parë, ju kërkoi shqiptarëve të pranojnë disidencën e tij të hershme ndaj komunizmit.

Intervista e kryeministrit

Në intervistën e gjatë të dhënë në “Opinion”-in e gazetarit Blendi Fevziu, një nga njohësit më të mirë dhe dëshmitar i ngjarjeve të vitit ´90, Berisha megjithatë, pati një kulm: shpjegimin e tij personal sesi kishte dalë në krye të partisë së parë antikomuniste në Shqipëri, Partisë Demokratike. Në intervistën për “Opinion”, zoti Berisha i pyetur: “Në shkurt të vitit 1991, ju u zgjodhët kryetar i Partisë Demokratike. A keni pasur ju ndonjë ndihmë nga jashtë, apo nga faktorë të tjerë, për të ardhur në krye të PD-së”?, përgjigjet sipas mënyrës së tij: “PD-ja u themelua si e tillë, por larg së qenit një parti. Ishte një lëvizje. Në komisionin drejtues, ku unë isha anëtar, kisha fjalën time dhe peshën time. Me 4-5 përfaqësues të PD-së, isha në një takim me Ramiz Alinë dhe kur u kthyem, ishte bërë një mbledhje e befasishme, ku ishte shkarkuar Azem Hajdari. Dhe ishte vendosur në krye të partisë të Aleksandër Meksit”. Blendi Fevziu insiston: “Me votim”?, zoti Berisha përgjigjet: “Po, me votim”, duke shtuar dhe se nuk dinte asgjë për një votim të tillë, as ai dhe as Azem Hajdari. “Kur kthehem i them, kjo nuk mund të ndodhë. U gjetëm përpara një absurditeti. U them se është e papranueshme, një gjë që është bërë jashtë çdo kodi dhe morali. Ndaj jam i gatshëm të ndjek punën time se me këtë nuk pajtohem. Kjo krijoi një revoltë të fortë në të gjitha degët… Veprimi u konsiderua i shëmtuar dhe mbas debatesh të mëdha brenda, u vendos që të mblidhet një forum më i gjerë, u bë një aktiv i PD-së në pallatin e kulturës. Aty u votua për disa kandidatë, ku unë fitova me 70 për qind…”

Por sa i vërtetë është një deklarim i tillë. MAPO ka mundur të sigurojë një dokument të rrallë, pikërisht procesverbalin e mbledhjes së PD-së dhe votimin e parë, fillestar për kreun e ri të partisë. Një votim në të cilin zoti Berisha nuk ishte përfshirë fare si kandidat, megjithëse ndodhej i pranishëm në mbledhje. MAPO ka mundur të konsultojë dhe procerverbalin e mbledhjes, në të cilin, madje, zoti Berisha ka marrë disa herë fjalën.

E pavërteta e parë është që largimi i të ndjerit Azem Hajdari nga detyra nuk është bërë pa praninë e tij. E pavërteta e dytë, është mënyra sesi Berisha u zgjodh kryetar i PD-së ditë më pas.

Dokumenti

Eshtë një faqe e zakonshme fletoreje shkolle me vija. Në krahun e majtë të saj, është një fjali e Eduard Selamit që thotë: Kalojmë në votim, vijon me fjalinë tjetër: “Pranohet votimi për t´u bërë zgjedhjet” dhe me rezultatin e dalë nga votimi. Në këtë faqe shkruhet edhe se “Azemi largohet nga komisioni. Pas tij del edhe Ben Imami”. Dhe në fund të faqes shkruhet: “Saliu: S´jam fare dakort”.

Në faqen tjetër shkruhet në formën e titullit: U votua për kryetar dhe më poshtë, emrat e konkurrentëve dhe votat që ka marrë secili. Në garë ishte Azem Hajdari, Genc Ruli, Merita Zaloshnja dhe Aleksandër Meksi. Lista e konkurentëve shoqërohet nga fjalia tjetër: “Vërtetohet nga Komisioni i votimit” dhe pasojnë tre firma, të Arben Imamit, Arben Demetit dhe një firmë tjetër e paidentifikuar.

Në këtë votim, Aleksandër Meksi, njeriu që më pas do të bëhej kryeministri i parë jo komunist i vendit, fiton në garën për kreun e PD-së me 7 vota, kurse Hajdari morri 5 vota dhe Ruli e Zaloshnja nga një votë.

Debatet në mbledhje

Ka ndodhur në datën 12 shkurt 1991. Sipas asaj çfarë lihet të kuptohet dhe sipas titullit që ka procesverbali, fillimisht bëhej fjalë për një raport që Azem Hajdari bëri për takimin me ish-Presidentin Alia. Klima e mbledhjes është e nxehtë dhe Hajdari paralajmëron: “Unë jap dorëheqjen, por s´lejoj të më marrin nëpër gojë. Ka shumë anëtarë komisioni që nuk mund të më gjykojnë mua”. Më pas flasin me radhë, Pashko, që thotë se Azemi “…është shumë i nervozuar dhe me të nuk mund të flitet…”, Zogaj, Imami, Demeti dhe vetë Berisha. Nga procesverbali vihet re një qasje e ndryshme për të njëjtin problem: brenda PD-së, të parës parti antikomuniste në vend, po kristalizoheshin dy rryma, kishte një çarje: “Po ravijëzohen dy linja brenda për brenda partisë, linja e fortë dhe linja e butë”. Por nuk do të ndodhte kështu dhe për shumë kohë. Sipas RD-së të 16 shkurtit, aktivi i PD-së zgjodhi 19 anëtarë të komisionit drejtues. Dhe më pas, komisioni drejtues, mbasi vlerësoi punën e deriatëhershme të Hajdarit, zgjodhi me votim të fshehtë Sali Berishën si kryetar të partisë dhe Eduard Selamin si sekretar të saj. Rezultati i votimit ishte: Berisha 9 vota, Meksi 5 vota, Pashko 4 vota, Hajdari, 1 votë. Normalisht, duhet të kishte balotazh, por Meksi refuzon. Eshtë vetë ai që propozon që votimi të quhej i kryer dhe që zgjedhja e Berishës të konsiderohej legale.

Por për të mbërritur deri këtu, ka megjithatë një të fshehtë të jashtëzakonshme. Atë çfarë ka ndodhur mes datave 12 dhe 14 shkurt 1991, kur Aleksandër Meksi dhe Sali Berisha “këmbyen” vendet. Për të ndarë pak më shumë se një vit më pas, edhe dy postet më të rëndësishme të shtetit, presidentin dhe kryeministrin. Ka pasur disa emra nismëtarësh të PD-së ë kanë ndikuar në rrjedhën e atëhershme të ngjarjeve, që janë ndarë dhe afruar me Berishën, por që në të gjitha rastet, kushtëzuan zgjedhjen e tij si kryetar të PD-së, post të cilin ai premton ta mbajë edhe për 35 vjet të tjera nga ai mes shkurti i 20 viteve më parë.

Rishikimi i historisë

Ka një moment në jetën e një lideri, kur ai kërkon të “blejë” të shkuarën. Ky moment, në jetën politike të zotit Berisha ka vite që ka mbërritur. Të enjten, në “Opinion”, zoti Berisha ritregoi një version personal të dhjetorit ´90. Gjatë intervistës, kryeministri e shtyu disidencën e tij të munguar me regjimin komunist edhe në kohën kur ishte vetë i tillë. Zoti Berisha vuri në dyshim shumë ngjarje të cilat kishin marrë statusin e të vërtetës për shumë kohë dhe madje, edhe rindërtoi në mënyrën e tij, në mënyrën që do t´i pëlqente sot që të kishte ndodhur dje, edhe raportet e tij me Ramiz Alinë e të tjerë. Duke nisur që nga raporti i tij me ish-bllokun e famshëm, zemrën e regjimit komunist. Zoti Berisha pretendoi se nuk kishte pranuar të ishte pjesë e grupit special të mjekëve që kuronin udhëheqjen komuniste në përgjithësi, dhe Enver Hoxhën në veçanti. E vërteta me shumë dëshmitarë që e dinë dhe e pohojnë si të tillë, është krejt e ndryshme: zoti Berisha ishte anëtar i grupit special të mjekëve që kuronin Hysni Kapon, një nga tre udhëheqësit të fuqishëm të kohës. Madje, me këtë status, është takuar dhe prezantuar për herë të parë edhe me Ramiz Alinë, në klinikën pariziene ku kurohej Kapoja, në vitin 1979. Por ndryshe nga sa pretendon, zoti Berisha, ndonëse u propozua, nuk u pranua të ishte pjesë e grupit të mjekëve pranë Enver Hoxhës. Arsyeja ishte se organet represive të diktaturës, e kishin konsideruar si person të papërshtatshëm. Jo atë si individ, por për shkak të lidhjes së ngushtë me një njeriun e tij shumë të afërt, mbi të cilin kishte dyshime të rënda.

Në intervistën e tij të gjatë, zoti Berisha pohon se është shkarkuar në mungesë nga detyra si sekretar partie në spital sepse i kishte dalë në mbrojtje një berberi që kishte thyer një portret të diktatorit Hoxha. “…vendosëm të themi se ky e bëri këtë akt sepse i kishte syzet plus 11 dhe nuk pa kë kishte nën xham. Kjo nuk u pëlqye me sa duket. Nëse nuk do të ishte ky motiv, ai do të pësonte reperkusione. Në fakt, ai nuk pësoi probleme, por mua më zëvendësuan”, u shpreh zoti Berisha, i cili në fakt, është akuzuar pikërisht për të kundërtën. Fillimisht, në vitin e largët 1968, ai është akuzuar se ka qenë dëshmitar në gjyqin politik të Hysen Shoshorit, tiranasit që shpërndante trakte kundër regjimit komunist. Vetë ish-i burgosuri politik Shoshori e ka përmendur atë me emër dhe mbiemër. Më pas, një numër ish-kolegësh të tij mjekë, e kanë akuzuar atë për rolin që pati në internimin e dy kolegëve të tij mjekë, bashkëshortëve M. K. dhe M.V, të cilët përfunduan më pas në Kavajë. Ish-kolegë të ish-doktorit të djeshëm, madje, kanë dhënë dhe dëshmi video të këtij akti pak vite më parë. Vetë zoti Berisha i ka kundërshtuar këto akuza të kritikëve të tij.

Ka shumëçka tjetër që mund të thuhet për këtë pjesë të së shkuarës që kushtëzon edhe vetë të ardhmen e shoqërisë shqiptare. Nga 20 vjet më parë, zoti Berisha ka ndryshuar shumë. Ka ndryshuar të folurin, të ecurin, kujtesën vetjake për historinë e tij vetjake. Por në një pikë nuk ka ndryshuar absolutisht fare: në pikën e shënuar nga java e dytë e dhjetorit të vitit 1990, kur ai u ngjit nga zyra e Ramiz Alisë në Qytetin Studenti, për t´u ngjitur që atëherë, në majën e pushtetit politik në vend. Njëlloj siç kishte bërë dikur, në një rrugicë të shtrembër tiranase, ish-shefi i partisë së tij të parë, Enver Hoxha. Të cilin, rregullisht e “sfidon” për jetëgjatësinë në politikë.

5 komente në “Si u votua kryetari i parë i PD”

  1. I.B.B. says:

    Z Vangjeli te falenderoj per shkrimin.Eshte e vetmja rruge efektive qe te vertetohet nese ndertesa eshte e qendrueshme apo jo .Ti zbulohen themelet sepse nese bie vret njerez dhe nese s’bie s’eshte e shendeteshme per njerezit ti bashkengiten asaj.Te lutem hap nje rubrike per kete problem ke per te pare se do te gjesh ate qe kerkon ,ka plot njerez qe do te japin fakte .Faleminderit!

  2. Ediruci says:

    Zoti Vangjeli,te lutem botoni pjese nga procesverbalet e gjykates qe paraqiste Mero Baze per te provua se Edi Rama e ka divorcuar te shoqen se ka mbete shtatzene me Kristaqin(Ramen) dhe pastaj po te besojme dhe ato te Berishes.Nuk mund t’a sosesh jeten tende duke share vetem Berishen,qofte dhe se pagesa eshte e larte se edhe fjalori i pasur i sharjeve qe ke,eshte konsumuar tashme.

  3. Mjeku says:

    Artikulli qendron dhe eshte i drejte, nje nga mjeket e lincuar dhe me pas te internuar ne Kavaje ishte ish kolegja e Saliut, kardiologia e pare shqiptare Dr.Margarita Kristaqi, te ciles Sala nuk la flaje pa i thene, deri edhe kurve…, e me pas ky njeri i shkon edhe ne Kavaje ne kohen e demokracise per te lepire ato qe kishte peshtyre.
    Ky Sali ka qene aq komuniste aq konservatore sa qe edhe sot tregojne anekdotat me te ne analizat vjetore te organizates se spitalit.Romuzet e Sabit Brokajt dhe te Ylli Popes per bllokun e kuq ku mbante shenimet Saliu,(ne te planifikonte dhe shkruante me ke do te merrej dhe kujt do tia fuste), Keta dy te fundit sic duket te merzitur por edhe te “frikesuar” i thoshin njeri tjetrit ti vidhnin bllokun Saliut sa pa ia futur edhe atyre.Perfundimisht Sali Berisha eshte kalitur ne kudhren e komunizmit, i regjur me metodat komuniste dhe komunist konservator qe ka marre shume njerez ne qafe.Sa per mjek nuk kam cfare te them, akoma edhe sot teoria e kardiollogjise boterore i referohet studimeve te ketij politikani mjeran.

  4. Aranit Pojani ,Fier says:

    Fati i liderve shqiptar,si perfunduan ata

    I vetmi Smail Qemali
    Prehet i qete te varri
    Esat Toptan jeziti
    Copa Shqiperie shiti
    Pa varr mbet,shperblim mori
    Shtate plumba kraharori.
    Ahmeti u vetebe mbret
    U mundua te bente shtet
    Kur ne prag u duk armiku
    Vodhi floririn e iku
    Neper bot u englendis
    Varr humbur ne Paris.
    Kur u faneps Enver Hoxha
    Na rrinte shpata te koka
    Vrau e preu sa ja kish enda
    Na rrethoj me tel me gjemba.
    Ata qe me shume e qane
    Ja terhoqen bustin zvarre
    Dhe eshtrat ja lane mbi varr.
    Nuk na vodhi Mehmet Shehu
    Zbatoj urdhra vrau e preu
    U vetevra apo e vrane
    Dhjete vjete pa varr e lane.
    Erdhi edhe Leka Meksi
    Ishte si Ylli qe s’feksi
    E la Sala te aneksi.
    Sot rri ngrohet te ashefi
    Flet e shkruan si ja do qejfi.
    Per tete vjet erdhi Fatosi
    Duart e mendja te bixhozi.
    E hodhi koha te koshi
    La te tjere po vete shume vodhi.
    Eshte i vetmi nga trungu
    Qe mban dhe medalje burgu.
    Kur i sosin leket e torbes
    Vjen e behet luge e corbes.
    Intermexo ish Iliri
    Kur ne Krrabe u vodh floriri.
    Beri dhe nje pune te mire
    Dhjete ore arrestoj Saline.
    Sot sahanet e tij lepine.
    Buzqeshja ne buze na ngriu
    Votavjedhur vjen Saliu
    Vrau,vodhi ,shiti, dogji
    Ne Gerdec te gjalle i poqi.
    Na coj te tridhjet e teta
    Me gjakmarrje e keneta
    Sot di shkrim nje ne tre veta.
    Vidh e shit vec per familje
    Do sos uje moj gamilje.
    Zot i madh qe mban njerzin
    Ti qe Sulejman Delvine
    Qe punoj keq edhe mire
    E mbylle ne cemendine
    C’fat ke ruajtur per Saline
    Qe e shkretoj Shqiperine

    1. vlora says:

      e lumte dora.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje