Nëse para 20 vjetësh fjala e lirë ekzistonte dhe mungonte media, këto 20 vitet e fundit duket se ka ndodhur e kundërta. Edhe pse në numrin e parë të RD-së bie në sy frika për tu shprehur lirshëm, duke hamendësuar nëse do të dilte numri i dytë apo jo, ekzistonte dëshira dhe premtimi për fjalën e lirë. Në këtë numër ndjehet fryma e lirisë së shprehjes. Protagonistë të kohës dëshmojnë për emocionet që shoqëruan përgatitjen e numrit të parë të kësaj gazete dhe për detaje të natës kur të nesërmen do të dilte numri i parë i gazetës RD.
Një prej tyre, Dashamir Shehi thotë se atë natë, kur po përgatitej numri i parë i RD, një prej teknikëve që po merrej me shtypin e gazetës, pësoi një aksident, në të cilin humbi një gisht. “Nga godina nr. 8 në qytetin Studenti, jemi transferuar me zyra në rrugën “Fortuzi” te ish-shtëpia e Spiro Moisiut. Në katin e parë ishte një dhomë që shërbente si zyrë për PD e Tiranës, ndërsa në kat të dytë ishin dy dhoma që shërbenin për zyra për kryesinë e PD, si dhe një dhomë tjetër e cila shërbeu për të nisur punë gazeta “Rilindja Demokratike”, organ shtypi i PD-së. Në atë godinë ka dalë numri i parë i “RD”, për të cilin kemi kontribuar të gjithë, madje mbaj mend që një tipograf që po merrej me shtypjen e gazetës ka këputur gishtin në makineritë, duke nxjerrë numrin e parë të gazetës. Ndoshta edhe RD e deshi një kurban fare te vogël. Nuk ia mbaj mënd emrin atij tipografit, por shtypi po realizohej te Uzina Traktori, ndërsa lastrat e gazetës realizoheshin tek “Zëri i Popullit”, i vetmi vend ku mund të bëhej e mundur një proces i tillë. Ata që punonin për “ZP”, ata punonin edhe për “RD”,” thotë Dashamir Shehi.
Do të duheshin shumë vite të tjera, pas daljes së gazetës RD, gazeta të tjera, stacione te tjera radiofonike e televizive, ngjarje të tjera dhe gazetarë të tjerë, për të pretenduar ndërtimin e një ambienti mediatik ku fjala e lirë vërtet mund të gjente hapësirën e vet. Por për fat të keq pas shumë përpjekjesh e investimesh në media, Shqipëria mbetet nga vendet e fundit në rajon për respektimin e fjalës së lirë. Nuk e përmirësojnë dot renditjen e vendit tonë as numri i shumtë i gazetave të përditshme (rreth 30), as investimet e shumta sidomos në median vizive. Me pak fjalë, sasia e madhe e mediave që kemi sot nuk mund ta zëvendësojë kriterin e cilësisë.
Përveç kësaj, fjala e lirë nuk mundi t’i shpëtojë dot censurës së trashëguar nga e kaluara, fenomen ky që e vuajtën të gjitha vendet e ish- bllokut të Lindjes.
Duke ndërhyrë në media interesat ekonomike të ndërthurura edhe me ato politike, hapësirat për shprehjen e fjalës së lirë sa vijnë e po ngushtohen. Në vende si Shqipëria shumica e shoqërisë e konsideron median ende një mjet demagogjie dhe presioni dhe në shumë raste nuk ka rëndësi se çfarë shkruhet, po çfarë nuk shkruhet. Fakte të tjera që na kthejnë pas në standardet e respektimit të fjalës së lirë mund ti gjesh edhe pas 20 vjetësh. Po të hedhësh një vështrim në mediat kryesore vëren se janë rikthyer elozhet ndaj “udhëheqësve” dhe titujt demagogjikë se: “Shqipëria e para në botë…”, apo “Shqipëria e vetmja në botë…”.
“Fjala e lirë” duket se është duke e humbur edhe fuqinë e vet në një vend si ky i yni. Të shpresojmë që të mos ndodhë që edhe shoqëria s’do dojë ta dëgjojë atë.
Në numrin e parë të gazetës Rilindja Demokratike, e para gazetë që doli për të thënë fjalën e lirë, pas rrëzimit të sistemit komunist në Shqipëri, pasqyrohet situata politike e janarit të vitit 1991. Sapo kishte rënë sistemi dhe ishte themeluar Partia Demokratike. Frika nga “partia” ishte ende prezent dhe kjo ndjehet edhe ne artikujt e numrit të parë të “Rilindjes Demokratike”.
Më poshtë botohet e plotë artikulli i shkruar nga Preç Zogaj, asokohe drejtues i këshillit botues të RD si dhe artikulli i kryeredaktorit të parë të kësaj gazete, Frrok Çupi.
Partia Demokratike nuk është një “dele e zezë”
Nga Preç Zogaj
Gazeta “Rilindja Demokratike”, numri i I., 5 janar 1991, fq. 2
Më datën 19 dhjetor 1990, ditën kur u njoh me ligj Partia Demokratike, historia politike e Shqipërisë shënoi kalimin nga sistemi njëpartiak në sistemin shumëpartiak. Një fjalë goje është kjo. Por pikërisht ato ditë Shqipëria e lodhur me hallet e veta, që pakkush i ka këtë fundshekulli, kishte të drejtë të trokiste më në fund në dyert e Evropës së re, jashtë së cilës u patëm lënë jo më larg se tre javë para se të ngriheshin studentët. U patëm lënë sepse, veç të tjerash, Tirana nuk plotësoi njërën prej kërkesave bazë të mbledhjes së Parisit: parimin e pluralizmit si forma më e mirë e qeverisjes së kombit. Për t’u justifikuar para popullit zëdhënësit zyrtarë akuzuan si zakonisht disa vende të Evropës që votuan kundër dhe as që i zunë në gojë kushtet e pjesëmarrjes në KSBE. Por në ditët tona nuk besohet më se Evropa na ka halë në sy. Populli ka një fjalë të urtë që thotë: siç është vendi bëhet kuvendi. Kuvendi në Evropën e sotme bëhet me pluralizëm të sinqertë, pa të burgosur politikë, pa nen të krimit të agjitacionit e propagandës në kodin penal.
Më mirë vonë se kurrë. Më 19 dhjetor Shqipëria e kapërceu pengesën e pluralizmit. Pikërisht ato ditë lindi shpresa dhe mundësia e pajtimit kombëtar të shqiptarëve brenda dhe jashtë atdheut, të cilët sundimi i një ideologjie të vetme i ka diferencuar, i ka ndarë e shpërndarë andej këndej si zogjtë e korbit. Pikërisht atë mbrëmje lindi mundësia e një shteti juridik real, i cili mund të garantohet vetëm me përfaqësues partish të ndryshme në parlament.
Për këto e të tjera më shkon mendja se do ta kemi ditë historike edhe 19 dhjetorin. E patëm një parti, u bëmë me dy. Nesër mund të kemi edhe një të tretë… Mjetet e informimit publik e kaluan qetë- qetë këtë mrekulli dhe mbase kanë bërë mirë se jemi mërzitur duke shpikur ngjarje të mëdha deri edhe me dy keca që i janë lejuar fshatarit t’i mbajë, deri edhe me 20- 30 lekët që i janë shtuar pagës mujore të punëtorit, kur historia jonë ka qenë kaq monotone e kaq e varfër me ngjarje që shkaktojnë ngritje dhe thyerje të vërteta të jetës.
Ç’rëndësi ka? Rinia studentore ka festuar gjatë dhe deri vonë atë ditë. Gjithë forcat demokratike të vendit kanë festuar. Edhe komunistët demokratë kanë festuar. Edhe bashkë-atdhetarët në Kosovë e kudo në botë. Partia Demokratike si shprehëse e lëvizjes demokratike u nis për t’u mëkëmbur e modernizuar rrugës. Ajo doli fillimisht me programin e vet minimal dhe tani po e plotëson e po e detajon këtë program, duke ndjekur devizën e lëvizjes: Edhe ne si gjithë Evropa. Partia Demokratike u nis për t’i shërbyer përparimit të vendit; u nis për të zënë vendin e vet që koha e hapi e jo vendin e tjetërkujt. Natyrisht, dalja e saj sa e gëzoi vendin, po aq e tronditi kastën burokratike të kolltukofagëve, idhtarët dhe mbrojtësit e një rendi totalitar, të cilët panë se po u rrëshqisnin privilegjet e pamerituara nga duart, se po e humbnin pushtetin e pakufizuar dhe lavdinë e përlyer me të këqijat që mund të kenë bërë në prapaskenat e pandriçuara të jetës sonë. Njerëzit e shkolluar të kësaj kaste e dinë mirë, mendoj, se pluralizmi nuk drejtohet kundër komunistëve, se Partia Demokratike nuk lufton për të uzurpuar karrige. Megjithatë, ende pa u mëkëmbur mirë foshnja, ia nisën punës me forma nga më të ndryshmet për ta paraqitur në popull si mace të zezë, madje si djall të zi. Faktet që flasin për këtë janë të shumtë.
Një funksionar partie në rrethin e Tropojës i etiketon pa një pa dy si armiq aktivistët e Partisë Demokratike. Armiq të kujt? Ende mendohet nga dikush se populli shqiptar është tokë e plehëruar me dogma të tipit “po nuk je me Partinë e Punës, je automatikisht armik i atdheut, i popullit”. Ende mendohet se e drejta legjitime e qytetarit për t’u futur në partinë që dëshiron mund të shfrytëzohet për ta diferencuar atë. Një drejtor nafte në Fier i “konfiskon” statusin e PD-së një aktivisti të saj. Një drejtor tjetër në kombinatin e autotraktorëve në Tiranë kundërshton në mënyrë kategorike t’u hapet salla e mbledhjes punëtorëve që pas orarit të punës kishin vendosur të lexonin programin minimal të PD-së, veprim të cilin e kryen në shi. E po kështu edhe një drejtor miniere në Mushqeta.
Guximi i këtyre njerëzve për të shkelur një vendim të Presidiumit të Kuvendit Popullor të çudit. Nga një anë çirren për shtetin juridik, nga ana tjetër i japin të drejtë vetes të shkojnë të shkojnë kundër shtetit juridik. Sikur të kishin pasur kaq guxim e iniciativë për të kundërshtuar veprime të tilla me pasoja për jetën e popullit siç ka qenë tufëzimi për shembull, më mirë do të kishin shkuar punët. Do thotë dikush: “Eh, tani erdhi demokracia! Demokracia t’i hap fletët!” Sigurisht! Po demokraci pa njohjen e ligjit s’ka e s’mund të ketë. Dhe sot Partia Demokratike është e ligjshme, është person juridik.
Është e drejta e secilit të mos e simpatizojë një parti. Dikush do Partinë e Punës, dikush Demokratiken, dikush Ekologjiken, dikush preferon të rrijë mënjanë, dikush vetëshpallet bir dhe at i popullit, sado që biri i popullit e kërkon fort të madh e të mbushur thesin e provave të atdhetarisë; pra është e drejta e secilit të zgjedhë pozicionin që dëshiron në raport me partitë e politikën. E ndërkaq askush s’ka të drejtë të pengojë punën normale të partive.
Ndërsa kuadrovikët e llojit që përmendëm mund të veprojnë – na ruaj o Zot! – edhe me iniciativë, njerëzit e mbrojtjes së rendit si rregull duhet të veprojnë me urdhër. Një topograf në institutin e tokave në Tiranë shkon me shërbim në Cërrik dhe ndalohet e keqtrajtohet nga posta e policisë atje gjoja se po bënte propagandë për PD-në. Një kino-regjisor i njohur i televizionit ballafaqohet me një provokacion të ngjashëm në Patos. Polici B. Braho i rajonit numër 4 në Tiranë pushohet nga puna sepse mori pjesë dhe foli në një mbledhje studentësh në ILA ku ishte edhe prof. Zekeria Cana. Ku, me ç’ligj, me ç’urdhëresë mbështeten veprime të tilla arbitrare. Ato janë as më shumë e as më pak shfaqje terrori mbi Partinë Demokratike. Në një vend ku ka pluralizëm politik, organe të shërbimeve të veçanta si policia, ushtria, ministria e Drejtësisë etj. nuk janë vegla të asnjë partie, sikurse edhe shtypi i pavarur. Kështu duhet të bëhet edhe në vendin tonë, nëse dëshirojmë përparimin e demokracisë.
Gazeta “Bashkimi” doli e para publikisht kundër një thirrje të PD-së për shtyrjen e zgjedhjeve. Gazeta “Bashkimi” edhe më tej do të ketë rast të publikojë qëndrimet e veta për veprimtarinë e PD-së. Lënda nuk do t’i mungojë, sepse çdo parti bën gabime rrugës, ca më tepër demokratikja e sapolindur që po organizohet falë përpjekjeve vullnetare të disa intelektualëve pa përvojë në punët e politikës. Në rastin konkret gazeta “Bashkimi” si organ i Frontit mund ta botonte vetë kërkesën e shpallur të komisionit nismëtar të PD-së për shtyrjen e zgjedhjeve. E nëqoftëse pavarësia e saj nuk arrin deri këtu, korrespondenti i saj anonim që ia arriti të futej në zyrat e Kuvendit Popullor, thjesht për etikë gazetareske, mund të hidhej një vrap deri te selia e PD-së për të dëgjuar edhe palën tjetër.
Bllokut të fakteve të këtij lloji i shtohen pësh-pëshet e ulëta të nëpunësve mediokër që gjithë jetën s’kanë nxjerrë nga koka një mendim të tyrin. Ata gërmojnë me zell të veçantë në biografinë e anëtarëve të komisionit nismëtar, shpifin për ta, i paraqesin si karrieristë. Të mjerët nëpunës mediokër! Qenien në PD nuk mund ta shikojnë ndryshe veçse si ambicie për privilegje e poste. Nuk u shkon mendja se duke arsyetuar kështu akuzojnë veten e tyre dhe anëtarët e partisë së punës, se ne vetëm një parti kemi pasur. Nuk u shkon mendja se për të bërë alternativën nuk lipset doemos biografi e keqe, nuk lipset që doemos të kesh vuajtur. Nuk u shkon mendja se këtu është fjala për dallime në pikëpamje e jo për pakënaqësi vetjake.
Pluralizmi ishte menduar për më vonë dhe ndofta është befasia në të cilën na erdhi ajo që vuri në lëvizje paditurinë e disave, xhelozinë e disa të tjerëve, frikën e ca të tjerëve. Mandej qëlloi edhe fushata elektorale dhe lufta bëhet për të marrë sa më shumë vota.
Padija kalon. Gjithkush po e merr vesh se pluralizmi nuk të lë pa shtet, por e forcon shtetin, i shton liritë, të drejtat, detyrat. Xhelozia gjithashtu do të kalojë. Edhe frika e atyre që nuk i kanë hak njeriu dhe më kot frikësohen. Pra fushata e organizuar dhe e paorganizuar kundër Partisë Demokratike është një marrëzi jetëshkurtër. Do të kalohej pa vëmendje të madhe sikur faktet e verifikuara të mos rezononin më strategjinë e tensionit, të cilën e përgatisin nën rrogoz forca të caktuara nga kastat e burokratëve që nuk shohin asnjë të ardhme tjetër në Shqipërinë demokratike përveçse duke mbetur qytetarë të thjeshtë. Ata mund të përdorin si fëmijë të humbur, domethënë si mish për top, elementë revanshistë të djathtë që kanë mbledhur urrejtje të madhe për pushtetin popullor, si e si që të bëhet gjullurdia dhe të përligjet koha e tyre. Ata projektojnë incidente, deri edhe vrasje politike të maskuara si vrasje për motive personale, gjithë sipas një stili tepër të njohur, si e si që të minohet rruga e demokracisë. Ata e përfytyrojnë me nerva të qeta kasaphanën, kthimin mbrapa.
Demokratët dhe komunistët, në radhë të parë komunistët që kanë në dorë pushtetin, e kanë për detyrë të marrin mbi supe përgjegjësinë e plotë për të çuar përpara demokracinë në rrugë normale. Ata janë sot subjektet politike më të mëdha të vendit. Ata mund ta mbajnë dialogun për të gjitha problemet, pa rënë në grackën e kujtdo që punon për të hapur humnerën mes tyre. A nuk është grackë nxitja e politikës se kush e solli pluralizmin? A nuk është grackë për demokratët ngulmimi i paskajshëm i disave brenda dhe jashtë vendit se PD-ja është krijesë e Partisë së Punës? Dikush dëshiron nxemjen e gjakrave, asgjësimin e palëve. Por në këtë hapësirë të ngushtë do të jetojmë të gjithë, demokratë, komunistë, socialistë, me parti e pa parti.
Sot Evropa e re po shkon drejt bashkimit të kombeve që kanë dhjetëra parti brenda. Kështu na kërkon edhe neve si vend. Kushdo që i bëhet pengesë pluralizmit, përkatësisht Partisë Demokratike që e konkretizoi, është kundër rrjedhës, kundër tendencës së historisë. Është vonë, shumë vonë për ta. Popullin shqiptar nuk mund ta tërheqë për hundësh njeri. Populli shqiptar nuk bën lojën e kurrkujt. Ai tani e di se çështjen e pushtetit do ta zgjidhë vetë në mënyrë paqësore, pranë kutive të votimit, në zgjedhjet e para të lira.
Numri i parë i gazetës doli. Vallë a do të dalë i dyti?
Nga Frrok Çupi
Gazeta “Rilindja Demokratike”, 5 janar 1991, fq. 5
Me zor e pritëm gazetën! Si, të mos dalë më!? Pse?
Sepse redaksia nuk ka kushte të përshtatshme për të punuar, nuk ka zyra, nuk ka makina, nuk ka ngrohje?!…
Jo, nuk është kjo arsyeja. Lëvizja e fuqishme demokratike e popullit i mblodhi rreth vetes gazetarë, shkrimtarë, ekonomistë, piktorë, dhe, disa prej tyre morën përsipër ta nxjerrin gazetën pa kërkuar asnjë përfitim, asnjë konfort. U mblodhën për të përballuar shumë vështirësi të mëdha. Madje, pa ngrohje e në kushte jo fort të mira punojnë sot edhe disa redaksi gazetash që kanë 40 e ca vjet jetë.
Atëherë, pse të mos dalë numri i dytë i kësaj gazete?
Sepse shtypshkronjat tona janë në një gjendje teknike shumë të rëndë dhe me halle të mëdha përballojnë ato që botohen sot? Edhe Kombinati Poligrafik i ndërtuar si vepër e rëndësishme në një nga pesëvjeçarët e fundit “me ndihmën vëllazërore të RP të Kinës”, nuk e zgjidhi problemin më mirë se makineritë që hynë këtu që në vitet ’40, sidomos për shtypin. Shto këtu telashet e organizimit. Dje mezi u gjet reparti i shtypit për ne. Ditën e fundit. Nuk patëm kohë për estetikën e gazetës. Ndjesë lexuesit, mirënjohje punëtorëve të shtypshkronjës së re!
Po pse të mos dalë gazeta?
Sepse gazetarët e kësaj gazete do të pengohen? Natyrisht, këtë pengesë e mendojmë. Po pengohen në të katër anët aktivistët e Partisë Demokratike e jo më gazetari i gazetës së kësaj partie! Po pengohen gazetarët e organeve të tjera të shtypit për të pasqyruar veprimtarinë e Partisë Demokratike, e jo më gazetari i kësaj gazete.
Në miting ku hyhet pa trokitur. Ndërsa gazetari i “Rilindjes Demokratike” duhet të hyjë aty ku vihen në punë ingranazhet e makinës shtetërore: në qeveri, në ministri, në gjykatë, në kryesi, në drejtori, në arkiv, ku ndërtohet, ku pengohet, ku vendoset, ku dialogohet… E di, këto janë krejt normale për jetën e një gazete e statusin e gazetarit. Por… gazetari në vendin tonë nuk ka ende status. Në një çast të vështirë ai nuk ka asnjë mundësi që të mbrohet. Zotësinë e plotë për të mbrojtur gazetarin nuk e ka as vetë redaksia, nuk e ka madje as vetë Bashkimi i Gazetarëve. Mendoj se nuk është rasti këtu për të dhënë fakte nga praktika. As rasti, as koha, sepse ky është vetëm një shënim i shpejtë dhe i shqetësuar i mbajtur në kohën kur po çojmë në shtyp lëndën e gazetës. Po doli ky numër, vallë do të dalë i dyti?
Ka njëmijë mënyra për ta penguar. Ja njëra mënyrë: Gazeta që sot ose nesër do të kritikojë një ministër apo një program pse është burokratik. Ose do të paraqesë pamje të vërteta nga aspekti ekonomik, aspekti social, nga jeta e përditshme e njerëzve, e cila është bërë e vështirë dhe e ngatërruar, pa ndonjë perspektivë të qartë. Menjëherë do të dalë dikush e do të thotë: “Shkele vendimin e Këshillit të Ministrave, të datës 28 dhjetor 1990 “Për shtypin e organizuar dhe të shoqatave politike e shoqërore”, dhe, pikërisht në pikën ku thuhet se gazetës nuk i lejohet të përhapë sekretin shtetëror, nuk lejohet të ketë shkrime që prekin dinjitetin kombëtar të popullit… Si flet kështu për popullin tonë, i cili jeton i lumtur dhe shkon nga njëra fitore në tjetrën në rrugën socialiste? – do të thotë ai që kërkon të të zërë mat. Vallë, cili e prek ndjenjën fisnike dhe dinjitetin e njeriut të popullit tonë: varfëria dhe gjendja e vështirë, apo ai që nuk pajtohet me këtë gjendje?! Por shpesh herë gjëra kaq të mëdha sikurse janë dinjiteti e uniteti i popullit, liria e pavarësia, sekreti dhe personaliteti, ka vënë burokracia për mburojë dhe ka krijuar një fushë të lirë për të vepruar. Mendoj se edhe vetë ky Vendim i Këshillit të Ministrave lë një fushë të hapur që të ndodhë edhe kështu edhe ashtu, edhe të lejohet, edhe të mbyllet gazeta, që në numrin e dytë ose të tretë. Ky, me sa di, është akti i parë nënligjor që merret me kufizimet që kanë gazeta dhe gazetarët. Pra edhe nënligjor, edhe kufizues. Por megjithatë ky tani është. Ndërsa në legjislacionin tonë mungon plotësisht kolona për shtypin.
Pikërisht për këtë, kryesisht, kemi frikë nëse do të lejohet të dalë numri i dytë, i tretë… i gazetës.
Pra na duhet shteti juridik, që të krijojë garanci edhe për gazetën, edhe për vete edhe për shoqërinë. Kur nuk e ndërtuam gjatë gjithë kësaj kohe, të paktën tani sa më parë.
Comments are closed.
PD + PS = PPSH + UDB + KGB + EYP + Sigurimi
per ate liri fjale enveri te binte skoden te dera ti nginte plackat dhe te perplaste ne martanesh gjithe familjen dhe ty ne burg,po saliu te bije banden e cecenve te bathores dhe te vene tritolin apo zjarrin se plumbin ku po e gjen se i lan hesapet shpejt me kete bote
Falkon,
Te kam keshilluar si shqipetare qe te kerkosh ndihme mjeksore. Eshte ne te miren tende. Urrejtja kurre nuk ta sheron shpirtin e trazuar. Munde te urresh nje person por nuk eshte e drejte te kesh urrejtje kolektive.Ate qe e urren, nuk munde ta mposhtesh me urrejteje por vetem me argumenta.
Nje gje nuk ja fal Sales qe nuk beri “Nurembergun”. Ka me mijera familje qe akoma nuk dine se ku jane varret e baballareve te tyre te pushkatuar nga klika Hoxhisto-Mehmet-Kadri Hazbi-Koci-Xoxiste.
Do zoti ti nuk i perket kesaje klike. Por, urrejtja kolektive qe ke si psh ndaj: “Cecenve” eshte nje sinjal se policia duhet te te vezhgoje ty dhe te te dergoje tek doctori (jo tek Sala mos me keqkupto), familjare ose neurolog ne fillim.