Flamuri propozon shpërblime për “mbrojtësit” e Puçit

9 Shkurt 2011, 20:37Antena TEMA

Dje pasdite Flamuri u trondit kur lexoi lajmin e dalë nga zyra e atij burrit. Një amerikan, emrin e të cilit Flamurit ia përkthyen “burrë – fshati” (Countryman), paskësh detyruar atë burrin e qeverisë të hiqte dorë nga Puçi. Kjo i preu krahët Flamurit. Nuk dinte ç’të bënte. Kishte tre javë që punonte për Puçin dhe tani ishte në kulmin e punës dhe vjen një burrë fshati nga SHBA dhe ja çon punën dëm.

Kërkoi urgjent takim me Doktorin. Në zyrën e tij gjeti Arben Imamin. Ai po i dorëzonte një letër që një ushtar komando nga Afganistani i kishte dërguar sot kryeministrit Berisha pasi ishte prekur nga takimi i tij me kompaninë që sapo u kthye. “Zoti Komandant i Përgjithshëm,” fillonte letra. Këtu Ben Imami qeshi dhe i tha me shaka “të di akoma president, s’ka gjë mos ja vë re”.

–   S’ka problem, i tha Doktori, vazhdo.

“Ndoqa me lot në sy atë që kish ndodh para zyrës suaj më 21 janar, ndërkohë që ne jemi dislokuar në Kandahar dhe po luftojmë me talebanët. Më beso se ka qenë momenti më i vështirë në jetën time. Kam dashur të rrëmbej avionin dhe të nisesha prej Kandaharit në bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe të hapja zjarr mbi ata që kanë guxuar të të bëjnë shantazh ty. Të na e bësh hallall zoti Komandant që të lamë vetëm atë ditë dhe ishim këtu larg duke luftuar me talebanët,  të cilët për hir të së vërtetës janë burra dhe nuk qëllojnë me gurë, shkopinj dhe çadra si terroristët e kuq të Tiranës…”

Letra vazhdonte dhe Arben Imami kishte rast të ushtronte profesionin e tij të vjetër të aktorit duke ia lexuar gjithë patos.

Flamuri e dëgjonte i ngrirë.

– Doktor, si do t’ia bëjnë për këta njerëz, ku do t’i lëmë tani, i tha papritur.

– Pse, çfarë ka ndodhur, i tha Doktori.

– Më thanë që ke rënë dakord që nuk kishte puç.

– E ke gabim Flamur. Ka qenë puç. Ka qenë puç dhe një nga puçet më të fëlliqura në historinë e kombit tonë që nga Ismail Qemali. Por çfarë do bëjmë. Do ndryshojmë stil. Do ta kemi vetëm për përdorim të brendshëm. Kundërshtari nuk duhet ta dëgjojë më këtë fjalë se i rritet autoriteti dhe organizohet sërish. Do t’i injorojmë. Sikur nuk kanë bërë puç….

– Kush ta tha këtë, ai burri nga SHBA?

– Jo Flamur, unë ja thashë atij dhe ai u kënaq shumë ç’është e vërteta. Tani kjo fjala puç është vetëm për përdorim të brendshëm.

– Po do na demoralizohen njerëzit Doktor. I kemi hedhë njerëzit në betejë. A e shikon ushtarin që shkruan nga Kandahari…?

– Ke të drejtë Flamur. Më bëj një listë me njerëzit që duhen shpërblyer dhe e mbyllim këtë histori.

– E kam menduar Doktor. I kam gati. Ja ku e kam listën.

– Çfarë ke në atë listë, i tha Doktori kurioz dhe hapi letrën që i zgjati Flamuri.

Propozimi ishte i qartë.

Të parët që duhen shpërblyer janë ata që dolën në ekrane në 21 janar mbasdite. Arben Imami, Sokol Olldashi dhe Edi Paloka. Këta mbrojtën versionin që vrasjet i ka kryer Edi Rama dhe se protestuesit ishin të armatosur.

“Duke qenë se kanë sakrifikuar më shumë se të tjerët para publikut duke humbur shumë nga kredibiliteti i tyre, unë mendoj që të shpërblehen politikisht,” propozon Flamuri.  “Olldashi të shkojë në vend të Topallit, Imami në vend të Ritvanit, ndërsa Palokës t’i festojmë ditëlindjen me lekët e partisë”.

– Shumë mirë, u bë, tha Berisha. Po shiko pas zgjedhjeve këto ë? Nejse, këtij Palokës mund t’ia bëjmë sa herë të dojë ditëlindjen. Këta dy të tjerët të presin pas zgjedhjeve.

– Dakord, tha Flamuri. Propozimi i dytë. Ata që mbrojtën Puçin pasi doli videoja e News 24. Majlinda Bregu, Eduard Halimi, Gent Strazimiri, Fatos Hoxha, Enkelejd Alibeaj dhe Viktor Gumi.

– Ke harru Dashamir Sulën, i tha Doktori.

– Jo, s’e kam harru. S’ka bë sakrifica ai. Pastaj të ka bërë pyetje provokative ty. Të ka thënë a ke fakte? Jo, s’bën.

– Dakord, çfarë propozimi ke për ta?

– Mendoj që procesi i integrimit të shtyhet deri në fund të mandatit, pra të mos marrim statusin e vendit kandidat që Majlinda të jetë ministre. Sa për pesë anëtarët e komisionit kam propozuar për secilin diçka personale dhe kolektive. Kolektive është që gjithë Komisioni Halimi të hyjë në kryesi të PD-së.

– Dakord, u bë kjo, por pas zgjedhjeve.

– S’ka gjë, presin ata, tha Flamuri.

– E dyta. Këtij Eduard Halimit t’i blejmë zyrën që ka tek dy kullat e Fidelit me qëllim që të mos ketë mundësi të komprometohet aty, para se ndonjë njeri i revoltuar të hedhë në erë kullat binjake. Këtij Enkelejd Alibeajt t’i paguajmë një rrugë falas për në Mekë kur të ketë haxhillëk, këtij Viktor Gumit t’i japim siguri që nuk do të hetohet për faksin që i ka çuar Shkëlzenit… Me Gentin dhe Fatosin fola. Ata nuk duan asgjë. Duam vetëm diçka nga ty, kur i thërret në mbledhje, mos ua hiq vështrimin, shikoji dhe ata në sy dhe buzëqeshu.

– Pse të janë ankuar, i tha Doktori kurioz.

– Jo, nuk janë ankuar, por flitet që ti u ke prerë vështrimin dhe ata nuk duan asgjë tjetër vetëm t’i shikosh një herë në sy pa japin kokën për ty.

– Dakord Flamur, u bë. Ikim tani. Shiko, dhe një herë kujdes me fjalën Puç. Është për përdorim të brendshëm. Këto që the do t’i bëjmë, por aman mos e thuaj më publikisht se e kupton vetë ti.

– E di e di se jam vetë burrë fshati si ai amerikani, Countriman, si e ka emrin.

2 komente në “Flamuri propozon shpërblime për “mbrojtësit” e Puçit”

  1. Frederik says:

    Ehh Amerika , me duket se ia ka vene ne bige Saliut dhe tani po flet si burre i tredhur.

  2. Dino USA says:

    Gjynah qe ai “Burre fshati”i Amerikes nuk i doli ne mbrojtje ketij burrit te fshatit tone te Vicidolit!

Comments are closed.

Lini një Përgjigje