Miqtë e Gadafit

26 Shkurt 2011, 19:36Editorial TEMA

“The Economist”

Shtypi ballkanik dhe përdoruesit e guximshëm të Facebook-ut kanë nisur një fushatë gërmimi në fotografitë e kolonel Muamar Gadafit, lideri i rrethuar i Libisë. Ai shfaqet me Stipe Mesiç dhe Haris Silajxhiç, ish- drejtues të Kroacisë dhe Bosnjes, Boris Tadiç, presidenti aktual i Serbisë dhe Behxhet Pacollin, që të martën u zgjodh president i Kosovës.

Si kudo në vendet e tjera, edhe në Ballkanin Perëndimor buletinet e lajmeve raportojnë në lidhje me evakuimin e qytetarëve nga Libia. Disa prej tyre po kalojnë kohë të vështira. Ka pasur raportime se boshnjakë dhe serbë janë sulmuar. Disa kroatë kanë mbërritur në shtëpi, por një grup tjetër mund të shpëtohet nga një anije malazeze.

Ish- shtetet jugosllave kanë një marrëdhënie të gjatë, e madje intime me zotin Gadafi. Ky i fundit ka qenë aq gjatë në pushtet sa mes fotografive të tij që qarkullojnë në shtyp ka prej atyre me Titon, që vdiq në vitin 1980.

Shtypi ballkanik po shkruan histori në lidhje me Sofije (tani quhet Safija) Farkas, gruaja e dytë e zotit Gadafi, një boshnjako- kroate nga Mostari. Djali i tyre i madh është Saif al- Islam, trashëgimtari i Gadafit, paraqitja televizive e të cilit dhe fjalimi për “lumenj gjaku” ishte shenja e parë domethënëse e përgjigjes së Gadafit ndaj kryengritjes libiane.

Gjatë viteve të luftërave në Jugosllavi, zoti Gadafi (senior) ishte një mbështetës besnik i ish- liderit serb të asaj kohe, Sllobodan Millosheviç. Ai madje u pozicionua me serbët ortodoksë kundër myslimanëve në Bosnje e në Kosovë.

Lidhjet serbo- libiane mbeten shumë të forta. Aq të forta në fakt sa të martën, Dragan Sutanovac, ministri serb i Mbrojtjes, u detyrua që t’i përshkruajë si një “budallallëk total” raportimet se avionët luftarakë serbë kanë bombarduar protestuesit anti- Gadafi.

Gjithashtu ka edhe lidhje të forta biznesi. Gjatë këtyre viteve të fundit, ish- jugosllavët janë mbështetur tek vitet e Luftës së Ftohtë dhe organizata e të parreshtuarve për të zgjeruar lidhjet e tyre të biznesit në Libi e më gjerë në Afrikën e Veriut. Ashtu siç kemi raportuar në fillim të këtij viti, Serbia është e interesuar që të shesë armë dhe të ndërtojë fabrika armatimi e spitale ushtarake në rajon. Boshnjakët janë në industrinë e ndërtimit e punojnë për kompani të mëdha si Energoinvest dhe Hidrogradnja. Në tetor u raportua se kishte nëntë kompani kroate në Libi me 500 punonjës.

Por jo gjithkush ka kaluar kohëra të mira. Në Ballkan kanë qeshur shumë me historinë e zotit Pacolli, që së bashku me një grup të madh kosovarësh shkoi në Libi si pjesë e përpjekjeve të tij për të bërë që zoti Gadafi të braktisë pozicionin e tij pro- serb dhe të njohë Kosovën. Në një pikë, i gjithë grupi i Pacollit fluturoi në mes të shkretëtirës për të takuar liderin e Libisë.

Sapo mbërritën, zoti Gadafi i urdhëroi ata që të këndojnë dhe të kërcejnë. Kur për një moment ata u çakorduan, u qortuan nga një ndihmës i Gadafit. Përfundimisht koloneli i mirë u tha atyre se mund të ndalonin dhe u bëri të qartë se ai nuk kishte ndërmend kurrë që të njihte Kosovën për sa kohë liderët e saj do të mbeteshin konet e amerikanëve. Me këtë, kosovarët e turpëruar u kthyen në shtëpi.

Megjithatë, çfarëdo që të ndodhë në Libi, operatorët turistikë në Kroaci janë duke lëpirë buzët. Ata imagjinojnë dhjetëra mijëra turistë që do zgjedhin tani plazhet e sigurta të Kroacisë për pushime në vend të atyre të pasigurta në Egjipt apo Tunizi.

2 komente në “Miqtë e Gadafit”

  1. Dino USA says:

    Normale:Per 40 vjet ne sundim ai do kishte miq nga gjithe bota.Historia nuk gjykohet,ajo shkruhet.Duhet te gjykohet aktualiteti dhe cfare bejne faktoret per te ardhmen e vendit te tyre.

  2. eddy says:

    FUTJA KOT GENJESHTRA TE DYJA GRATE E GADAFIT VIJNE NGA TRIBU LIBIANE NJERA VJEN NGA TRIBUIA E TRIPOLIT E TJETRA NGA NJE TRIBU TJETER

Comments are closed.

Lini një Përgjigje