Në vitin 1984, Presidenti SHBA Ronald Regan, i dhuroi Prof. Isuf Luzajt medaljen më të lartë në fushën e Arsimit Amerikan: “PROFESOR I AMERIKËS”
Nga Kledian Lula
E ndërsa në jetën publike shqiptare përkujtohen, rivlerësohen e promovohen përditë figura që i kanë dhënë e po i shtojnë kontribute emrit, kulturës e çështjes kombëtare shqiptare, po lihen në harresë të tjera figura kombëtare, të përmasa të mëdha për nga vlerat si personalitete e për nga kontributet ndaj vendit. Një nga këto figura të mëdha, larguar nga jeta 11 vite më parë në Çikago-SHBA, është Prof. Dr. Isuf Luzaj, jeta e të cilit ka katër plane: Kontributi për çështjen kombëtare, ndëshkimi nga komunizmi, nderimi shkencor në SHBA dhe harresa e sotme.
Kujtesën për Prof. Dr. Isuf Luzaj ma nxiti njohja rastësore me një biografi dhe një pasuri të vyer shkencore, letrare, filozofike e letërkëmbimesh, që kjo figurë madhe shqiptare ka patur me personalitete të njohur të botës së asaj kohe. Kjo pasuri historike e shkencore, aktualisht gjendet e ngurosur brenda disa valixheve në familjen dhe të afërmit e tij, të cilët i ruajnë më shumë kujdes. Këto vlera, në fakt e kanë “nderin” në tjetër vend, por ja që ai vend ku gjenden gjithë figurat e shquara nuk është krijuar akoma për këtë shkencëtar e filozof të përmasave botërore. Isuf Luzaj kishte detyrimin të krijonte vlerat dhe të promovonte denjësisht emrin e shqiptarëve në qendrat më të mëdha shkencore e kulturore të botës, ndërsa shteti shqiptar, më konkretisht Ministria e Kulturës, Ministria e Arsimit dhe Akademia e Shkencave, kanë detyrën e pashmangshme për ta bërë pjesë publike figurën dhe veprën e tij. Si shkencëtar e filozof nuk ka asnjë “rrokje” vlerësim zyrtar nga shteti shqiptar deri sot në vitin 2011. Ndërsa Isuf Luzaj ka nderimin e vendlindjes së tij.
Isuf Luzaj u lind në Kaninë të Vlorës më 21 shkurt 1913, vetëm 3 muaj pas ngritjes së Flamurit të Pavarësisë. Pasi mbaroi Gjimnazin e Shtetit në Shkodër, ndoqi studimet e larta në Universitetin e Sorbonës në Paris. Më 7 prill 1939, si shumë shqiptarë të tjerë, bëhet barrikadë në Skelë të Vlorës, duke u ngritur kundër pushtimit fashist. Si delegat i Ballit Kombëtar, në Konferencën e Mukjes në gusht 1943, mbrojti tezën nacionaliste për Kosovën dhe Shqipërinë e bashkuar Etnike, duke luftuar më parimin: “Në gji e në ballë, me Flamur Kuq e Zi”, siç e citon edhe në një nga librat e tij për periudhën e luftës çlirimtare shqiptare. Në vitet e kësaj lufte, takohet disa herë me Enver Hoxhën. Thirrjes së Enverit për t’u bashkuar me të, Isuf Luzaj i përgjigjet me këto fjalë: “Jam i sigurt që fitorja sovjetike do të mbulojë Europën Lindore dhe atë Juglindore dhe ju do ta fitoni këtë luftë. Unë nuk kam as frikë dhe as turp, siç thua ti shok i mirë, por nuk bashkohem me ty. Unë nuk kam turp nga ndërgjegjja ime, që nuk beson në ideologjinë Marksiste-Leniniste, si zhvillimi më i mirë i popujve. Besoj në demokraci”.
Në nëntor 1944 detyrohet të lërë atdheun e të marrë udhët e mërgimit. Në fillim në Austri, pastaj në Itali, por atje nuk i shpëtoi dot burgut. Punoi më tepër se 2 vjet, me rekomandim të Sandro Pertinit, me të cilin ishte njohur në Ventotene, në Bibliotekën e Vatikanit, gjatë vuajtjes të dënim-internimit. Në vitet 1946-1950, Stalini i kërkonte qeverisë italiane kthimin në atdhe, për t’iu nënshtruar “gjyqit të popullit për krime lufte”, ndër të tjerë edhe të 10 shqiptarëve. Sipas dokumenteve, 10 të kërkuarit ishin këta: Shefqet Vërlaci, Mustafa Kruja, Mehdi Frashëri, Mit’hat Frashëri, Gjon Markagjoni, Kolë Bibë Mirakaj, Hasan Dosti, Qazim Mulleti, Faik Quku e Isuf Luzaj. Prof. Isuf Luzaj u ndëshkua nga komunistët, megjithëse kontribuoi dhe e deshi Shqipërinë, më shumë e më ndryshe nga ata. Edhe në kushte të vështira, madje tepër të vështira, Prof. Isuf Luzaj nuk pushon së luftuari për çështjen kombëtare shqiptare. Dëshmi janë një seri dokumentesh historike e letërkëmbime, që Isuf Luzaj ka lënë si gjurmë të formimit shkencor dhe kontributit të tij madhor, disa prej të cilave kanë rezistuar prej kujdesit të bijës së tij, Elizabetës. Mbi këto dokumente gjendet një leëtr-amanet e lënë prej tij: “Beti, vashë e vetme! Mbaji për kujtim, kur unë nuk do të jem më. Yt atë! Isufi“.
Brenda “Arkivës Luzaj” gjendet dhe korrespondenca me personalitete të huaja të mirënjohura të botës, si Sharl de Gol, Alcide de Gasperi, Palmiro Toliati, Alessandro Pertini, Stanislav Mikolajçik, gjeneral Anders Vladislav. Pa harruar letërkëmbimin me njerëz të shquar të kulturës e të letrave si Neruda, Borges, Fan Noli. Kalvari i shkencëtarit mërgimtar vazhdon. Në Argjentinë, fati e ndihmoi të bëhet mik i afërt me poetin e madh Jorge Luis Borges. Që nga viti 1965, profesor Isuf Luzaj jetoi në SHBA.
Është dhe mbetet një ndër figurat më të spikatura të kulturës sonë kombëtare. Por çuditërisht, ky gjigant shkencor, kulture, letrash shqipe e kontributesh kombëtare njihet ende pak në Shqipëri. Është paradoks heshtja ndaj vlerave të kësaj figure. Vepra e tij, shumica e pabotuar, përfshin mbi 100 vëllime të disa fushave. Krijimtaria letrare nis që në vitet ’30 të shekullit të kaluar me përmbledhjen poetike “Rrëfimet”, botuar më 1937. Në vitin 1954 botoi në spanjisht në Buenos Aires, romanin “Lumenjtë derdhen të kuq”. Prof. Dr. Isuf Luzaj ka punuar për një kohë të gjatë në disa nga universitetet e njohur të SHBA, si drejtues katedre e departamenti, si profesor i filozofisë, i letërsisë frënge, i gjuhës dhe i letërsisë spanjolle. Në vitin 1984, në jetën e Prof. Isuf Luzaj shënohet një ngjarje e historike për të dhe për Shqipërinë (siç e cilësoi ai). Në Universitetin e Indianës, ku nga katedra e filozofisë ligjëronte përpara studentëve nga të pesë kontinentet e Botës (por fatkeqësisht asnjë nga Shqipëria), i Ftuari i Nderit në këtë takim, Presidenti SHBA, Ronald Regan, i dhuroi Prof.Dr. Isuf Luzajt medaljen më prestigjioze në fushën e Arsimit Amerikan, me titullin: “PROFESOR I AMERIKËS”.
Më 27 nëntor 2000, Prof. Dr. Isuf Luzaj u nda nga jeta në Çikago të Amerikës. Nga 2 dhjetori i po atij viti, sipas amanetit të lënë prej tij, shkencëtari, poeti, filozofi e atdhetari shqiptar Isuf Luzaj, prehet në Kaninë, në tokën që e lindi. Por absurdi me këtë emër të madh të shkencave, vazhdon. Asnjë “zë” nuk po dëgjohet ende për vlerësimin e tij dhe nxjerrjen në dritë të figurës e kontribuuese të prof. Dr. Isuf Luzaj. Ky gjigand i mendimit shkencor, i filozofisë dhe letërsisë, deri me vlerësim botëror e me medalje të lartë të SHBA, akorduar e dorëzuar personalisht nga ish-presidenti i SHBA, Ronald Regan. Ky shqiptar, realisht është “kontribut” i dënuar nga komunizmi, i nderuar nga bota, por që çuditërisht vazhdon të jetë i harruar, i pa vlerësuar edh sot, 20 vjet pas ndryshimeve politike. Prof. Dr. Isuf Luzaj, dhe pse duhet, nuk po vendoset në “poltronin” që i takon brenda historisë së personaliteteve të shkencës dhe kulturës kombëtare shqiptare!
Comments are closed.
Ke te drejte Kledian! Intelektualet e mirefillte shqiptar nuk vleresohen sic duhet te ne dhe e di perse? Duhet te jesh intelektuale dhe qytetar qe te vleresosh figura te tilla si Noli, Konica, Fishta dhe Luzaj. Mirepo injorant fshataret e politikes shqiptare nuk e kane kete tager per kete gje, plus qe shtoi edhe mitomanine e tyre qe nuk duan qe figura te nderuara te kombit te vleresohen sepse veprat e tyre jane kryekeput ne kundershtim me ate qe keta injorant po i bejne Shqiperise sot. Keta fshatare injorant shkrin Akademine e Shkencave, sepse profesoret kishin te njejtin mjedis ne te njejten godine te parlamenti. Ndjenja e inferioritetit arsimor, kulturor, qytetar ben qe te shkrijne dhe sfumojne rolin e nje Akademie te tille, qe ne rajonin ton simotrat e saj kane nje rol deciziv keshillues dhe ideues te prosperitetit te vendeve ballkanike.
Kemi prof. dr Sali Berishen (karagjoz klasik),prof. dr, mba phd e cfare te doni Anastas Angjeli,Tritan Shehu,Nard Ndoka,Ilir Meta Genc Ruli dhe shume karagjoze te tjere.