Kompanitë e pushtetit, trafik nafte

11 Mars 2011, 17:55Politika TEMA
Kompanitë e pushtetit, trafik nafte

Burri i Albana Vokshit ka qenë themelues i njërës prej kompanive, ndërsa mbesa e Berishës eksperte kontabël e saj. Zbardhet skema se si masakrohej tregu i naftës në Shqipëri

11 persona, mes tyre biznesmenë, janë arrestuar pas denoncimit të ish- ministrit Dritan Prifti. Ky i fundit ngriti akuza për kontrabandë të naftës vergine. Dritan Prifti akuzoi dhe nëndrejtorin e përgjithshëm të policisë Agron Kuliçi, i cili duket se nuk do të preket nga kjo fortunë.

Në deklaratën e prokurorisë së Përgjithshme thuhet se nga hetimet e zhvilluara deri tani është bërë e mundur të provohet se gjatë periudhës 2007–2009, sasi të konsiderueshme te nënproduktit te naftës bruto të përpunuar dhe të njohur si “Vergine”, është tregtuar në territorin e Republikës së Shqipërisë në kundërshtim me ligjin dhe në dëm të konsumatorëve, duke e paraqitur atë si benzinë të pastër për konsum.

Ky aktivitet është realizuar nga ana e subjektit privat “Euroil” sh.a, me ortak dhe administrator shtetasin Hajri Elezaj si dhe në bashkëpunim me subjektin tjetër privat “Fisheku” sh.a, me ortak dhe administrator shtetasin Ilias Fisheku. Sasia e nënproduktit të naftës të quajtur “vergine” është blerë nga shoqëria e përpunimit të naftës “ARMO” sh.a dhe në mënyrë fiktive është pasqyruar me dokumentacion si e eksportuar jashtë shtetit. Por në fakt ajo është shitur në tregun e brendshëm në kundërshtim me ligjin dhe duke mashtruar konsumatorin shqiptar. Në këtë aktivitet janë përfshirë edhe punonjës të caktuar të administratës tatimore dhe doganore, të cilët me veprimet e tyre kanë ndihmuar në fshehjen dhe mosdeklarimin e aktivitetit në fjalë.

Pra e shpjeguar thjeshtë, nafta e papërpunuar ose siç njihet ndryshe me emrin “virgine” faturohej sikur do të shkonte në Itali për eksport dhe përzihej në një depozitë në Fier me naftë të pastër duke na u shitur për makinat tona. Kjo rrit në mënyrë kolosale fitimet tek biznesmenët që kanë bërë këtë krim, ndërsa kanë shkatërruar jo vetëm konkurrentët e tyre, por dhe qytetarët e zakonshëm shqiptarë.

Kush janë të arrestuarit

Mbi bazën e kërkesës së organit të akuzës, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit Penal për shtetasit e mëposhtëm:

1. Hajri Hajredin Elezaj

2. Ilias Isa Fisheku

3. Martin Ilias Fisheku

4. Bajram Isa Fisheku

5. Dashamir Veiz Kasaj

6. Edmond Kaso Ferraj

7. Flamur Rexhep Merkaj

8. Vladimir Kilo Koteci

9. Gani Llazar Prence

10. Reshat Hamza Aleksi

11. Kadri Rakip Hajredini

Arrestimi i personave të mësipërm u bë në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Policisë Qarku Tiranë, të cilët, së bashku me Njësinë e Përbashkët Hetimore pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, po vijojnë ndërkohë veprimet e mëtejshme hetimore edhe ndaj personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë çështje.

Drejtori i Doganave Flamur Gjymyshka mbrojti të akuzuarit

Sapo shpërtheu skandali i naftës vergine, denoncuar nga Dritan Prifti vjeshtën e shkuar, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Flamur Gjymyshka gjeti rastin në një takim pune të hidhte poshtë akuzat duke deklaruar se nga hetimi në dogana nuk rezulton të ketë pas trafik me naftën vergine. Gjymyshka tha se nuk ka asnjë provë që të vërtetojë akuzat e ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, bërë ndaj zv.drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Agron Kuliçaj për kontrabandën e naftës vergine.

Kreu i Doganave e bëri këtë deklaratë në takimin ndërkombëtar të Task Forcës që përfshin policitë dhe doganat e 13 vendeve të Europës Juglindore. “Lidhur me disa të dhëna që kanë të bëjnë me një kontrabandë të mundshme të naftës vergine në një periudhë të caktuar kohe po merret informacioni i duhur. Po bashkëpunohet dhe me strukturat e vendeve homologe, por ju siguroj se për periudhën në të cilën bëhet fjalë në materialet e servirura nga një deputet nuk është periudha që përkon. Bëhet fjalë për një periudhë tjetër, është periudhë e mëparshme,” ka pohuar drejtori i Përgjithshëm i Doganave.

Por e vërteta e hetimeve zbuloi se ka qenë loja me doganat shqiptare ajo që ka bërë të mundur trafikun e naftës vergine, e cila i ka sjell dëme të pallogaritshme tregut dhe konsumatorit.

Lidhjet politike të dy kompanive

Të dy kompanitë kanë përdorur lidhjet politike për tu favorizuar dhe për të arritur në këtë nivel të trafikut të naftës brenda vendit. Kompania e parë Euroil sh.a është themeluar nga Arian Tartari, burri i Albana Vokshit dhe Hajri Elezi, një biznesmen që njihej para 2005 si prodhues i ujit Lajthiza (FAKSIMILE 1).

Faksimile e dokumentit që vërteton se Arian Tartari dhe Hajri Elezi kanë qenë partnerë në kompaninë Euroil sh.a

Me fitoren e PD ai u fut dhe në tregun e naftës, kryesisht në shitje- blerjen e naftës vergine nga ARMO, në atë kohë pronë shtetërore. Është interesant fakti se Tartari bashkëjetues me Vokshin, ka qëndruar pronar i kësaj kompanie deri në vitin 2007, ndërkohë që kunata e tij Mimoza Vokshi ka qenë në atë kohë Presidente e Bordit të ARMO, pra i bie që t’i ketë shitur kunatit të vet natën vergine. Më 2007 Tartari largohet pasi lidhet me kanadezët e Stream Oil dhe ja shet aksionet një qytetari nga Durrësi.

Detaji i dytë që afron këtë kompani me pushtetin është studioja e ekspertes kontabël që është sërish Shpresa Breçani, mbesa e kryeministrit Berisha emri i së cilës shfaqet në gjithë kompanitë e privilegjuara nga pushteti (FAKSIMILE 2).

Faksimile e ekspertizës së bilancit, bërë nga mbesa e kryeministrit

Nuk kemi ende ndonjë të dhënë mbi cilësinë e auditit të këtyre kompanive, por siç veprohet rëndom, emra të tillë përdoren si imunitet ndaj kontrolleve tatimore dhe gjobave që tatimet vënë mbi bizneset.

Fisheku është një kompani e njohur me bazë në Fier. Kanë qenë të lidhur me të majtën në Fier dhe kryesisht zyrtarë socialistë. Pas vitit 2005 janë afruar me njerëz të Berishës, kryesisht botuesin e gazetës 55, Fahri Balliu, i cili ka shërbyer shpesh si negociator për të zbutur probleme të tyre. Epërsia e tyre në treg është rritur ndjeshëm vitin e fundit kur ata kanë krijuar kompaninë e distribuimit Martini Petrol, e cila po zgjerohet ndjeshëm në Tiranë. Faktet e fundi shpjegojnë dhe suksesin e lehtë të kompanisë në treg për shkak të favorizimeve që ka pasur.

Denoncimi i Dritan Priftit për këto dy kompani është shoqëruar dhe me denoncimin për Agron Kuliçin, Nëndrejtorin e Përgjithshëm të Policisë, për të cilin nuk ka njoftim as që është hetuar dhe as që do të ketë pasoja nga hetimi.

9 komente në “Kompanitë e pushtetit, trafik nafte”

  1. 21Janari says:

    “Fishek” mbas “fisheku” aferat e Berishes janë bërë gjerdanë të varur në qafë të pupullit shqiptar.

  2. Falcon says:

    Tribuja Berisha masakroi shqiperine per 20 vjet

  3. ed says:

    mire ata jane bere gjerdan se ate pune kane po ky popully yne c.fare qafe qe paska pasur i mban te tere dhe “krenohet” me kete fare gjerdhani !!!!

  4. beso says:

    Po Taçi ka “gje”?Nafta e paperpunuar shkaterron motorrin dhe kryesisht impiantin e distribuimit,qe eshte shume i shtrenjte perriparim;pompa e naftes,injektoret,dhe ne motorret e gjenerates se fundit(common rail)ben deme te pallogaritshme.Sikur te ekzistoje ligji mbi akuzen kolektive(class action)te gjithe konsumatoret di hidhnin ne gjyq kompanite e naftes te perfshira ne afere,dhe tu kerkonin kompensim per demet.Sport i rende bisnesi,prandaj nuk i besohet kujtdo!..Mero Baze,beni nje reportazh tek konsumatoret dhe ne ofiçinat,ku te pyeten rastet e dendura te ketyre difekteve,dhe demet e shpjeguara nga mekanike eksperte.Do ishte nje kuader me i plote i situates;nuk ju kushton shume si sherbim,ndersa vlen shume per sqarim publikut,dhe per shperndarje njohurish.Qe te shihet sesi nje afere korruptive demton shume konsumatorin,pasi mjaft njerez keto favorizimet i kalon anash;pune pushtetaresh;ndersa demin e paguajne ata nga xhepi i tyre.

  5. gnt75 says:

    ky eshte nje nga qindra skandalet korruptive te kesaj qeverie.Imagjinoni demin e shkaktuar shtetit por njekohesisht dhe privateve tek automjetet e tyre si dhe ndotjen e ambientit.Te ishin tjeterkund keta biznesmen drejtesia do ti kishte shkrire fare,me burgim dhe me gjoba te papara derisa te kishin ngelur pa pike leku me.

    http://www.informohem.com

  6. arsen says:

    Po benzina (verde ne itali) JESHILE qe shitet ne Shqiperi, nga e ka prejardhjen?
    kjo benzine eshte NDALUAR nr tregun Europian…MESADUKET makinat tona dhe mushkerite e shqipetareve “mbajne”
    Ja! Berisha ka te drejte kur thote se Tirana eshte e ndotur!!!!

    1. beso says:

      arsen,mesa di,benzina verde ne Itali quhet keshtu sepse eshte me ekologjike se e dikurshmja qe quhej super ose”rossa”,dhe ka vite qe nuk perdoret me.Benzina”verde”perdoret kudo,eshte ne rregull,por ka dy çmime,njera eshte 95 oktane,tjetra98 oktane.Une ne Shqiperi shkoj gjithmone me makine benzine,pasi jetoj ne Alpe,ku makinat me nafte jane me problematike ne te ftohte.Benzina “shqiptare” eshte produkt importi,por trazohet ashtu si kjo nafta,dhe ne komputerin e bordit mua me jep nje harxhim mbi 30%,ndersa”terheq” me pak.Konkluzionin nxirre vete.Une mendoj se hedhin uje shqeto,uje lumi,se ai i çezmes eshte shtrenjtuar.Mbase duhen bere kontrolle mbi cilesine,por interesat ne karburante jane aq te medha,saqe ne ate fushe merren vetem bisnesmene te talentuar si puna e Taçit e kompani.

      1. Gramozi says:

        -Beso kete drejte—-Une kam qene prezet vete ne nje muhabet–
        -ku nje pronar karburanti thoshte se si e shtonte me vajguri tek nje pike tjeter
        qe kishte afer Lushnjes…

  7. mendimi_im says:

    Tek libri “The Origin of Species” (origjina e llojeve) i Charles Darwin, Darvini si ateist qe ishte tregonte se lufta per te mbijetuar apo per te mbizoteruar eshte nje sjellje normale e llojeve…

    Pra ne bote qendron ligji i xhungles. Duke pasur parasysh se ateistet nuk besojn ne Zot, atehere virtyte si meshira, turpi, te ardhurit keq, ndihma, perkujdesja etj nuk ekzistojne ne teorine e evolucionit.
    Shumica e njerezve jan mohues te fese, nuk kam per qellim asnje fe ketu por ne pergjithesi e kam fjalen pra mohojn Krijimin, mohojn besimin ne Zot.
    Perderisa njerezit sidomos keta tanet ne pushtet nuk jan njerez qe kan frike nga denimi I Zotit, nuk jan njerez qe kan meshire apo qe ju vjen keq atehere eshte mese normale qe te vjedhin dhe te bejn cdo gje per te pasur pushtet ne “xhungel”.
    Njerezit ateiste besojn se nje her kan lindur dhe nje her vdesin. Dhe se pasi te vdesin mbaron cdo gje.
    Atehere meqenese nje her jetojm pse mos te bejm cdo gje vetem e vetem te shijojm ne max te mirat emundeshme te kesaj bote.

    Automatikisht teoria e evolucionit ju shkon per shtat komunistave apo ateistave.
    Te dashur komentues, duke e ditur qe liderat, politikanet dhe biznesmenet e shumte jan ateiste dhe jan gjuajtes te parave pse ANKOHENI dhe qyrraviteni duke bere rolin e viktimes??

    A nuk jeni ju vete nder mohuesit e shumte te fese dhe pranuesit e shumte te teorise se Darvinit duke thene qe feja e Shqiptarit eshte Shqiptaria?
    A nuk jeni vete ju pra qe mohoni meshiren dhe te ardhurit keq?
    A nuk jeni ju qe mohoni ndihmen dhe drejtesine ndaj te ttjereve?
    Sipas po Darvinit qe eshte ne thojza babai i ateisteve cdo specie nuk duhet pse te kete meshire apo keqardhje per te tjerat sepse secila specie eshte ne lufte per mbijetese….

    E pra, KURRE mos pritni keq ardhje nga ateistet, dhe mos u ankoni, dhe mos pritni miresi apo drejtesi prej tyre.

    Eshte paradoks te pritet nje gje e tille.
    Mendohuni mire ne keto qe po them dhe mos me paragjykoni, por me studioni deri ne detaj per kete llogjike qe ju parashtroje me ndershmeri dhe sinqeritet.

    Nderime te tereve juve pa dallim:)

Comments are closed.

Lini një Përgjigje