Dy janë parakushtet që ruajnë kohezionin dhe unitetin e kombit politik dhe shtetit qytetar. 1) De-etnizimi i nacionalizmit dhe 2.) De-etnizimi i shtetit.
Këtë rrezik çarjeje, e kuptoi ende me kohë elita kulturore dhe kritike në Shqipëri duke e bllokuar regjistrimin, sipas formularit që kërkon deklarim të përkatësive etnike dhe fetare, duke mbrojtur qytetarinë përmes identitetit shtetëror.
Etnizimi i shtetit dhe deklarimi i përkatësive fetare, sidomos te shqiptarët e atomizon shoqërinë dhe e gërryen legjitimitetin e shtetit, pra, siç u cilësua edhe nga qarqet kulturore shqiptare, e cenon edhe sigurinë kombëtare. Regjistrimi i popullsisë nuk ka vetëm vlerë statistikore, siç propagandon Vangjel Dule i Omonias, por është kategori ligjore, që buron nga fryma e Kushtetutës së shtetit qytetar.
E Kosova e papjekur nuk e sheh vetveten si “njësi e rritur”, por si “grup etnik, fetar ose kulturor (sic!) dhe duke qenë peng e “zgjidhjeve të këqija” në Pakon Ahtisaari shquan komunitetet etnike, pra e shquan veten si parashoqëri në shkallë të ulët të strukturimit dhe zhvillimit shoqëror, politik e ligjor, duke iu shmangur definimit pra edhe kombkrijimit sipas vullnetit qytetar dhe të miqësisë qytetare, të mbështetur në ligj; si shkalla më e avancuar e një shoqërie të organizuar në shtet. Kështu, ligji Nr. 03/L-237 për regjistrimin e popullsisë i miratuar në Kuvendin e Kosovës, në nenin 8: “Të dhënat e grumbulluara nga regjistrimi, pika 1.1. thotë: “…të dhënat për identitetin e individit: emri, mbiemri, gjinia, data e lindjes, vendi i lindjes së personit (vendi, komuna), përkatësia etnike, fetare, shtetësia…”
Kur dihet se liria e besimit si e drejtë elementare e njeriut është e garantuar me Kushtetutë dhe me ligjet në fuqi, dhe nëse ekziston një konsensus në demokracitë e zhvilluara se feja dhe besimi si çështje private po ashtu janë të garantuara, kurse Kosova sipas Kushtetutës definohet si shtet laik, neni 8: “Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare”, atëherë shtrohet pyetja logjike, çka i vyejnë shtetit (administratës shtetërore) të dhënat e deklarimit të përkatësisë fetare të qytetarëve dhe përse një imponim i tillë cenon lirinë e ndërgjegjes dhe qytetarinë e individit dhe thyen kohezionin e kombit dhe shtetit?
Por formulari me të cilin do të “merret në pyetje” qytetari i Kosovës lidhur me përkatësinë e tij etnike dhe fetare e përmban edhe një skandal të pashembullt.
Në pyetësorin kryesor, pika nëntë, fle djalli: Cilit grup etnik apo kulturor i takoni?
Etnia si kategori sociologjike (gjaku dhe trualli) është domethënëse për rrethanat mesjetare, (ose edhe me hartën gjenetike. ADN-në që aplikohet në studimet arkeologjike, antropologjike. mjekësore dhe kriminalistike) por nuk korrespondon fare me shtetin dhe kombin modern. Francezëve, italianëve dhe shumë kombeve të përparuara, si ilustrim, u mjafton shtetësia, për të dëshmuar se ç’janë si qytetarë dhe nuk u intereson dhe shteti nuk i pyet qytetarët e vet për prejardhjen, prandaj ky do të duhej të ishte edhe modeli kosovar.
Mirëpo, “grupi kulturor”, vallë çfarë kanë dashur autorët të thonë me këtë formulim 100% banal?
A janë konsultuar ata me ndonjë ekspert, sociolog apo antropolog.
Del se jo, nga ngeja dhe mosdija. Janë injorantë. “Grupi kulturor” mund të jetë edhe një shoqatë folklori ose pasionantëve të peshkatarisë. Por mund të jetë edhe grup preferencash seksuale, homo, lesbian apo bi!?
Lë ta marrë vesh vetë djalli!
Kurse në pikën 10 të këtij pyetësori kërkohet deklarimi fetar, gjë që absolutisht është relikt i shekullit të 19-të kur feja ka luajtur rol parësor ose të qenësishëm në komb-krijim.
Por imponimi i deklarimit fetar nga shteti mëton ndërtimin e kombit anakronik që identifikohet fetarisht si “uma” (xhematë) dhe është absurd për shtetin modern pos në republikat islamike.
Në formularin e regjistrimit të kosovarëve do të ishte shtetësia (kosovare) si p.sh. në pasaportat e saj, ajo që do të shquante dhe identifikonte se ç’janë ata.
Kombi i vullnetit, me bazë miqësinë qytetare dhe ligjin si dhe gjuha përfaqësojnë vlerat e përbashkëta evropiane, e jo grupet etnike, fetare, “kulturore” ose raciale…
Pse shtetësia e jo grupi etnik?
Në nenin 155 [Shtetësia] të Kushtetutës së Kosovës thuhet: 1. “Të gjithë banorët e ligjshëm të Kosovës në datën e miratimit të kësaj Kushtetute, gëzojnë të drejtën e shtetësisë së Republikës së Kosovës”, pra e gëzojnë shtetësinë kosovare.
Dhe, bazuar në këtë formular, absurdi del në sipërfaqe, kur poshtë pyetjes për grupin etnik apo “kulturor” shënohet vërejtja se Kushtetuta e Kosovës, personi i regjistruar mund të zgjedhë të mos deklarojë.
Po ashtu, ky shënim jepet edhe nën pyetjen 10, që ka të bëjë me përkatësinë fetare.
Mirë boll, po nëse është kategori kushtetuese mosdeklarimi i etnisë, grupit “kulturor” ose fesë, përse qytetarit i nxirret “me zor” deklarimi, pra përgjigjja?
Nëse mosdeklarimi i këtyre përkatësive buron nga fryma e ligjeve, atëherë nuk duhej të shtrohej as pyetja. Mirëpo, ndikimi i Planit të Ahtisaarit dhe forma e dizajnimit të decentralizimit në Kosovë, e minon kosovarizmën që në ngjizjen e “kombit politik”, pra ky decentralizim etnik e mbithekson etnizimin e politikës dhe vetë shtetit dhe frenon idenë e kombit politik si “bashkësi qytetare” dhe sipas modelit të patriotizmit kushtetues, duke e rrezikuar rëndë vetë palcën kurrizore të shtetit.
Të gjitha kombet janë politike.
Aspekti më jonormal dhe johuman, madje që bie ndesh me vlerat e përbashkëta europiane në Pakon Ahtisaari, objektivisht është definimi i shoqërisë kosovare si multietnike, (gjë që klasikisht nuk është e tillë, nëse thuhet se 98 % të kosovarëve janë shqiptarë etnik); kurse njerëzit që jetojnë këtu definohen si pjesëtarë të komuniteteve etnike, gjë që qytetarët e Kosovës i trajton në stadiumin më të ulët të zhvillimit shoqëror. Dhe sipas kësaj ndarjeje në tablo biologjistike të origjinës, tentohet të çahet edhe kohezioni territorial dhe kombëtar (decentralizimi etnik). Kjo është një aksident në atë pako dhe duhet të ndreqet, nëse nuk e duam Kosovën si “lëkurë leopardi”, pra shtet jofunksional që vetëzhbëhet nga harta gjeopolitike e botës. Në shtet nuk ka komunitete kushtetuese, por ka një komb kushtetues, të vullnetit politik që bashkohet në “bashkësi qytetare” për ta vazhduar jetën e përbashkët përmes një plebishiti të përditshëm (Renan, Ortega Y Gasset etj.)
Në këtë kontekst, dikush normal në shtet, duhet t’ia bëjë me dije Behgjet Pacollit se nuk ekziston ‘komb multietnik’ (qysh e definoi ai në media kombin e ri) dhe as që mund të ekzistojë, por ekzistojnë kombe të vullnetit politik dhe të miqësisë qytetare (Zvicra) të mbështetur në ligj dhe ”kombe shumëkombëshe” (si SHBA-ja), po ashtu të identifikuara si kombe kushtetuese. Në këtë aspekt, modeli identitar që zgjedh Ahtisaari për kombin e ri, është racist, sepse është digë që s’e lejon krijimin e një shoqërie politike dhe një kombi modern.
Kosova së këndejmi nuk është multietnike, asaj i duhet de-etnizimi i nacionalizmit duke e kthyer atë në levë të shtetit qytetar, duke i ikur raportit shumica-pakica.
Bashkimi i vullnetshëm i individëve (Finkelkraut) formon kombin. Pra kombi është “bashkësi intersubjektive” dhe e krijon një trup i shëndoshë politik.
E përmenda shembullin e Francës dhe Italisë, por në fund, impresionon patriotizmi kushtetues i elitës shqiptare, që i tha STOP deklarimit të etnisë dhe fesë, duke e bërë të diskutueshëm vendimin e pushtetarëve aktualë etnonacionalistë, pavetëdijshëm po i kontribuonin “megali-idesë” helenike.
E Kosova?
E rëndë të thuhet por nuk ka krijuar elita as kulturore dhe as politike.
Këtejpari injoranca është fuqi…
Comments are closed.
Kosova ka elite kulturore, dhe e ka shume patriotike, dhe me shume poltike ne aspektin e formimit te shtetit se Shqiperia
dmth Elita kulturore kosovare eshte me shumee angazhuar ne politike se ajo shqiptare,por Kosova eshte ne pozicion te veshtire sepse fajin e ka Shqiperia qe nuk angazhohet fare me problemin e Kosoves dhe ta trajtoje ate si problem te sajin—
dmth Shqiperia dhe elita e saj duhet te disktuojne dhe te kerkojne edhe llogari per cdo gje qe ndodh ne Kosove ,
duke e konsideruar Kosoven pjese te Shqiperise
–Elita shqiptare duhet te hedhi hapine pare ne kete drejtim duke bere sa me shume takime t e perbashketa me eliten kosovare
( e kam fjalen per intelektualet ) dhe te dalin me zgjidhje t e perbashketa per cdo problem qe del si ne Kosove edhe ne Shqiperi,
si nga ana kulturore,artistike, gjuhesore, dhe edhe politike
–
——Pra gjithe fajin e ka Politika dhe Intelektualet e Shqiperise qe nuk ingranohen totalisht ne problemet e Kosoves dhe biles te krijojne presion tek politika e Shqiperise qe te angazhohet me shume per problemin Kosovar
,ne cdo aspekt te maredhenieve tona dhe ne kete menyre ti paraprije nje bashkimi Kulturor me Kosven dhe me vone bashkimit politik