KFOR café

12 Mars 2011, 18:08Blog TEMA

Nga Ernest Bunguri

Këmbët më sollën sërish te KFOR café. Simbolika e kafesë që nuk i njoh emrin e vërtetë, por këtë që i mbeti ashtu siç e kishin pagëzuar kolegët e mi kosovarë (të cilët tre vite më parë s’guxoje t’i quaje të tillë, por vetëm shqiptarë të Kosovës), përmban historikun e ngjarjeve të 12 viteve më parë, pra pak mbi kapërcim të njërës prej dekadave të Surroit. I ardhur do vite më vonë, aty nga fundi i periudhës së disa dinozaurëve evropianë, KFOR café na mblidhte para se të hidhnim këmbët në ndërtesën e vjetër të Komisionit, me në krye Romano Prodin, në cv-në e të cilit figuronin dhe takime me Zani çaushin. Apo ca më larg, në ndërtesën e sapo-rikonstruktuar të Komisionit, në rrethrrotullimin Schuman, një tjetër dinozaur me emrin Chriss Patten, festonte largimin e tij në një ndërtesë rindërtimi i së cilës kishte thithur 1 miliard euro. Augustin Palokaj, një gazetar i njohur kosovar, do ia hidhte me cinizëm, “Zoti Patten, s’ju vjen turp që kaq para i keni dhënë Shqipërisë në 10 vjet?” Përgjigja e Patten s’mund të ishte tjetër përveçse e një lordi të merituar britanik: Zoti Palokaj, dallimi është se këtu shihen ku janë investuar paratë, në dru, në xham, në hekur, tavolina e karrige, në Shqipëri jo!

Me KFOR café kujtoj dhe dihatjen e super të shëndoshit Ilir Meta, i cili ishte thirrur nga Patten për t’i dërguar një mesazh Fatos Nanos se nuk e mbështeste më, pak a shumë si kjo historia e BE-së me Gadafin, që s’të njohim më, por në një nivel më të ulët mediatikisht se ky. I hipur në një taksi të Brukselit që nuk i njeh institucionet siç i njohin shqiptarët pa viza, e kishte lënë në rrugë në Parlamentin Evropian, e ai që vraponte nëpër gjithë lagjen për të mbërritur në Komision. Thonë se kur taksisti kishte dëgjuar sharje në shqip e kish nxjerrë jashtë dhe e kish lënë në mes të rrugës. Patten pati lënë ministrin e jashtëm të të ndjerit Yasser Arafat jashtë, në pritje të Ilir Metës, të cilit i shtrëngoi dorën para dy kamerave të qelbura dhe ca shkrepje aparatesh dhe i tha mirupafshim.

E si të mos kujtosh me mall lamtumirën e një tjetër dinozauri evropian, nga ata për të cilët na ka marrë malli për vrenjtjen e vetullave dhe shkrepjen e deklaratave që të bënin të të skuqeshin veshët. Me Fatos Nanon të paktën pati funksionuar. Nga KFOR café pata ndjekur edhe protestat e para në Bruksel të lëvizjes “Nano Ik”, me pjesëmarrjen e aktorëve, piktorëve, artistëve, ish-ministrave apo politikanëve, refugjatëvë pa letra, hajdutëve e drogë-shitësve bashkë, për t’i bërtitur Evropës së nuk e donin Fatos Nanon. Kur Solana u largua, darkën e lamtumirës preferoi ta kalojë me gazetarët, të cilëve të gjithëve u bëri qejfin si dhelpër e vjetër që është. Gjeraqina Tuhinës, një tjetër kolegeje nga Kosova i tha, “sa kohë kemi kaluar bashkë, por me një fund të bukur”, e asaj iu skuqën faqet nga gëzimi. Ndërsa ca më tutje, një gazetari serb i tregonte se dita më e rëndë e jetës së tij ishte në vitin ’99, kur si ish-Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, duhej të jepte urdhrin për të bombarduar Beogradin. Edhe shqiptarët e Shqipërisë dolën të kënaqur me barsoleta për ambasadorët tanë, për të cilët po tregoj respekt duke mos treguar çfarë thoshte ai për ta, gjëra të cilat ata vetë i dinë.

Por këmbët më shpunë sot në KFOR café për tjetër gjë. Sot me një shërbim të jashtëm të shpërqendruar, me një Përfaqësuese të Lartë të ndarë më dysh me Zëvendës-presidenten e Komisionit, me një lëmsh ekipesh e ekspertësh ndonjëherë të rrezikshëm, por sot për sot të domosdoshëm se nuk paska të tjerë, bëri që, siç raportojnë nga brenda samitit, Nicolas Sarkozy i paska bërtitur zonjës Ashton në korridor, se ajo paskësh dështuar, dhe duke iu kthyer disa herë, i paska bërtitur, dështuar, dështuar, dështuar, gati në skizofreni, ndërsa Ashton, thonë dridhej para se të largohej nga Samiti me justifikimin se po shkonte të takonte ministrat e NATO-s. Për ngushëllim?

E mu në këtë katrahurë, këmbët më shpien në KFOR café sepse nis pas pak orësh dialogu Prishtinë-Beograd për Serbinë dhe Brukselin, Kosovë-Serbi për Prishtinën vetëm, ndërsa BE dhe SHBA mbyllin sytë e shtypin mesazhe në Prishtinë kundër demokracisë që po e kërkojnë edhe vendet arabe.

Për të dëgjuar çfarë, thoni ju, përveç atyre budallallëqeve me emra teknike si libri i amzës, kadastra e vulat doganore etj, por për të dëgjuar Edita Tahirin t’i dridhej buza kur pa sa kamera po e regjistronin zonjën e Harvardit që ka luftuar 20 vjet për lirinë e pavarësinë, të thoshte mu në fjalët e para: besoj se jemi të gjithë shumë të eksituar. E për të përsëritur dy ditë rresht (përveç kërkesës për tema të cilat nuk i dinte) kur shkonte t’i shtrëngonte dorën Borkos, xhentëllmenit nga Serbia, lëshonte një: uahh, vetëm për kamerat atëherë, duke na kujtuar batutat patriotike alla-LDK të kohës së të ndjerit dinozaur Rugova.

Në KFOR café që më kish kujtuar deri më sot ditë festash për bombardime, e protestash për largime, e sotmja po më sjell mbrapsht gati 12 vjet më parë, aty afër Rambujesë famëkeqe.

1 komente në “KFOR café”

  1. Sokol Tirana says:

    Me tone tè ‘qeta si muzika e trishtuar e njè mbrèmje tè erèt qè fsheh tè kundèrtèn e saj.
    Pèrsèri nè kurth ?!?!’

Comments are closed.

Lini një Përgjigje