AKR: E kandidojmë sërish Pacollin. Kushtetuesja bëri interpretim politik

29 Mars 2011, 16:18Rajoni TEMA

Aleanca për Kosovë të Re e konsideron vendimin e Gjykatës Kushtetuese më tepër si një vendim logjik dhe politik, sesa një interpretim juridik, të cilin kjo gjykatë është e obliguar që ta bëjë.
Ndërkohë, paralajmëron që në rast të kthimit në “pikën zero” të rastit të presidentit, përsëri Behgjet Pacolli do të jetë kandidat i Koalicionit për Kosovë të Re për president të Kosovës.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të AKR-së, Ibrahim Makolli ka thënë se në asnjë nen të Kushtetutës nuk përcaktohet kuorumi i veçantë për seancën në të cilën zgjedhet presidenti, sikur që nuk është e përcaktuar as pjesëmarrje e vetëm një kandidati për president.
Megjithatë, ai thekson se AKR-ja e respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por thekson se praktikat e tilla do mund t’i bëjnë dëm Kosovës, ngase asnjëherë nuk do të mund të ketë garancë se në Kuvend në rastin e zgjedhjes së presidentit mund të jenë të gjithë deputetët e opozitës.
“Gjykata Kushtetuese është autoritet i pavarur në Kosovë, por është pjesë e sistemit të Kosovës. Nuk është diçka që vjen nga jashtë. Nëse analizohet mirë Kushtetuta, më tepër kemi të bëjmë me një interpretim logjik dhe politik të dy të tretave, sesa juridik. Gjykata Kushtetuese është e obliguar që të bëjë interpretim juridik të Kushtetutës. Nëse në një nen të veçantë e thotë që kuorumi për seanca është 50 për qind plus 1 deputet dhe nuk ka shtesë tjetër që do të thoshte ‘përjashtimisht me rastet tjera’, nënkuptohet se seancat e Kuvendit pavarësisht për çfarë rasti kuorumi është gjysma plus 1 e deputetëve të Kuvendit. Dhe pikërisht në këtë pikë Gjykata Kushtetuese e gjen defektin e parë”, ka thënë Makolli.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese mund ta kthejë çështjen e presidentit në “pikën zero”, dhe në këtë rast, AKR-ja sërish do ta kandidojë Behgjet Pacollin për të parin e vendit.
“AKR dhe Koalicioni për Kosovë të Re do të kandidojë përsëri të njëjtin kandidat, zotin Pacolli. Presidenti Pacolli vazhdon të jetë kandidati i vetëm nga radhët e koalicionit për Kosovë të re, për president të vendit”, është shprehur Makolli.
Sa i përket numrave në Kuvend, duke pasur parasysh faktin që edhe brenda partnerëve të koalicionit ka pasur vota kundër Pacollit dhe me ardhjen e deputetëve të rinj, mund të ketë edhe të tjerë, Makolli ka thënë se kjo çështje do të bjerë në përgjegjësinë e klasës politike në Kosovë.
“Tash do të vijë në shprehje sesa klasa politike në Kosovë është e përgjegjshme për gjendjen në të cilën është vendi. Në rast të ndonjë dështimi eventual, atëherë vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditës. Kur krejt kësaj ia shtojmë se nga data 28 mars, nuk kemi as ushtrues të detyrës së presidentit, atëherë vendi hyn në kriza të thella, për të cilat përgjegjësinë duhet ta bartë klasa politike dhe në veçanti ata të cilët bojkotojnë seancat në të cilat zgjedhen institucionet”, ka thënë Makolli.

Ai nuk ka dashur të komentojë hapat që do të ndërmarrë presidenti Pacolli pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nëse do të jap dorëheqje, apo do t’ia lërë në dorë Kuvendit të ndërmarrë veprimet e nevojshme. /kosovapress/

Pacolli i gatshëm për dorëheqje

Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli është i gatshëm të jep dorëheqje nga posti i tij nëse kjo i kërkohet, pasi Gjykata Kushtetuese dje ka nxjerrë vendim për rastin e zgjedhjes së tij, me ç’rast ka konstatuar se ka pasur shkelje të nenin 86 të Kushtetutës së Kosovës.
Këshilltari i parë i Pacollit, Ibrahim Gashi ka deklaruar për Top Channel se çdo vendim i Gjykatës Kushtetuese do të respektohet nga Pacolli, që nënkupton se ai mund të japë edhe dorëheqjen nëse do t’i kërkohet.

1 komente në “AKR: E kandidojmë sërish Pacollin. Kushtetuesja bëri interpretim politik”

  1. raimondi says:

    Ta kandidoni perseri President Pacollin, se ai do hyje ne histori si Politikani me patriot i kombit shqiptar,
    Ai do jete NXITESI kryesor per bashkimin e Shqiperiseme Kosoven

    ———–Ai me patriotizmin e tij i vuri ne pozite te veshtire keta palacot politikane te Tiranes qe nuk kane as Mend as Kurjae dhe as Persoanlitet

    dhe natyrisht edhe me i pakorruptuari ———- Se te gjithe keta plitikanet e tjere jane njeri me hileqar se tjetri
    Ndersa Pacolli eshte njeri kristal dhe i ndershem — ABSOLUTISHT I SINQERTE NE NDJENJEN E TIJ PRO _ SHQIPTARIZMIT

Comments are closed.

Lini një Përgjigje