Partia Fryma e Re është bashkuar sot me Lëvizjen Vetëvendosje. Drejtuesit e të dy partive, Albin Kurti dhe Shpend Ahmeti, kanë thënë se “situata e rëndë politike, ekonomike dhe sociale në vend, e posaçërisht dinamika e ngjarjeve që nga 12 dhjetori”, kanë shfaqur nevojën e mobilizimit dhe bashkimit të forcave politike që për synim kanë ndryshimin rrënjësor për Kosovën.
“Duke parë që e ardhmja e Kosovës është në rrezik, Vetëvendosje dhe FER kanë vendosur të bashkohen për të ndalur këtë rrënim politik, ekonomik e social”, thuhet në një komunikatë për media të lëshuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Të dyja subjektet është thënë se kanë arritur marrëveshje për planin e ri qeverisës, si dhe për hartimin e Kushtetutës së re të Republikës së Kosovës.
Dy ditë më parë, Partinë Fryma e Re e braktisën bashkëthemeluesit Ilir Deda dhe Qëndrim Gashi, me arsyetimin se në këtë subjekt politik po mbretëronte një pasivitet pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit.
Vetëvendosje! dhe FER kanë arritur marrëveshje për:
a. Planin Qeverisës
• I bazuar në vijat programore të VETËVENDOSJE! dhe FER-it të publikuara më herët
• Plan i cili tregon qartas rrugën që do ndjek ky bashkim forcash që nga dita e parë në pushtet drejt përmirësimit të mirëqenies së secilit qytetar të Kosovës
• Për synim ka zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës përmes rritjes së investimeve, rritjes së prodhimtarisë vendore dhe politikave tjera që krijojnë vende të punës
• Plan i cili mbron interesat dhe pasuritë strategjike të Kosovës për të mirën e Kosovës dhe i vë ato në funksion të interesit të popullit të Kosovës.
b . Hartimin e Kushtetutës së Re të Republikës së Kosovës
– Kushtetutë e bazuar në vullnetin e popullit të Kosovës dhe ku sovrani është populli i Kosovës
– Kushtetutë që nuk ka dokument tjetër përmbi të
– Kushtetutë e diskutuar publikisht dhe e miratuar në referendum
– Kushtetutë që Kosovën e kthen në një shtet funksional
c . Decentralizim në baza qytetare e jo në baza etnike
“Gjatë javëve në vijim, përmes aktiviteteve të përbashkëta anembanë Kosovës, kjo forcë do të shpalosë pjesë nga programi i përbashkët për ta bërë Kosovën shtet të pavarur, sovran, funksional, të zhvilluar dhe demokratik. Ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që në numër sa më të madh t’i bashkëngjiten kësaj force”, thuhet në fund të komunikatës. /Zëri/