Behxhet Pacolli ka reaguar gjatë ditës së sotme pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se e respekton dhe e pranon këtë vendim. Megjithatë, nëpërmjet këshiltarit të vet, Ibrahim Gashi, Pacolli është shprehur se do të rikandidojë sërish për postin e presidentit të Kosovës.
“Duke konsideruar se do të ketë përsëritje të procedurës së zgjedhjes së presidentit të Republikës së Kosovës, ju njoftojmë se z.Behxhet Pacolli do të jetë kandidat nga radhët e koalicionit, meqenëse sipas vendimit që pranuam sot nga Gjykata Kushtetuese, z.Pacolli nuk ka bërë asnjë shkelje kushtetuese”, theksoi Ibrahim Gashi.
Tashmë pritet që Kuvendi i Kosovës të ripërsërisë procedurat për zgjedhjen e presidentit. Për këtë arsye, kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka ndërprerë një vizitë që ishte duke kryer në Hungari.