Gjykata Kushtetuese ka shpallur vendimin e plotë në lidhje me procedurat e zgjedhjes së zotit Behxhet Pacolli në postin e presidentit, në seancën e 22 shkurtit.
Ashtu siç kishte njoftuar dy ditë më parë, Kushtetuesja ka konstatuar se zoti Pacolli nuk është zgjedhur konform procedurave kushtetuese, andaj “ai nuk është president i Kosovës”.
Në reagimet e para pas këtij vendimi, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se institucionet do ta respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me rastin Pacolli.
Pas një takimi që zhvilloi me zotin Pacolli, kryeministri Thaçi thirri mbledhjen e qeverisë, ku ai u zotua se koalicioni qeverisës do të vazhdojë, ndërkaq rivotimi për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, sipas tij, do të organizohet javën e ardhshme.
“Do ta plotësojmë këtë agjendë që e kemi para nesh, besoj shumë shpejt, që javën tjetër, si Kuvend i Kosovës, si parti politike, por edhe si partnerë të koalicionit. Koalicioni vazhdon agjendën e vet të plotë shtetërore”, tha Thaçi.
Kryeministri Thaçi ftoi edhe opozitën që të luajë rol konstruktiv dhe të marrë pjesë në procedimin e mëtutjeshëm në Parlament të rastit të zgjedhjes së presidentit.
Njëherësh, ai u shpreh optimist se Parlamenti do të ketë mundësi që të zgjedhë presidentin sipas procedurave kushtetuese.
“Do ta bëjmë zgjidhjen e shpejtë kushtetuese, për çka besoj edhe në rolin pozitiv dhe aktiv edhe të opozitës, për çka edhe i ftoj për participim aktiv në jetën demokratike. Kam besim të plotë se do ta kalojmë me sukses këtë aspekt procedural në Kuvendin e Kosoëvs”, u shpreh Thaçi.
Për respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese u shpreh edhe vetë zoti Pacolli.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka pranuar kërkesën e 34 deputetëve të LDK-së dhe AAK-së, të cilët kërkuan interpretimin në lidhje me procedurat e zgjedhjes së Pacollit në postin e presidentit, në seancën e 22 shkurtit.
Ky vendim e bën të qartë se zoti Pacolli nuk është president i Kosovës, me vetë faktin se nuk është zgjedhur mbi bazën e procedurave kushtetuese.
Gjykata kërkon që për respektimin e kushtetutshmërisë në Parlament patjetër të ketë të paktën dy kandidatë dhe në sallë të jenë të pranishëm dy të tretat apo 80 deputetë./RFE/