Interi dhe Mançester Junaited mund të bëjnë një shkëmbim të bujshëm gjatë merkatos së kësaj vere. Siç bën me dije e përditshmja angleze “Metro”, Interi synon që të marrë mesfushorin portugez të Junaited, Nani. Për të arritur tek ai, zikaltërit janë të gatshëm që të ofrojnë si shkëmbim holandezin Uesli Shnajder, i cili kërkohet me ngulm nga ana e Aleks Ferguson. Kjo, duke qenë se Ferguson e konsideron holandezin si zëvendësuesin ideal të Pol Skollsit. Megjithatë, e gjitha kjo pritet që të sqarohet vetëm në verë, pasi aktualisht është një hipotezë e pakonfirmuar.