Një prej të dyve do të arrijë në finalen e “Uemblit”, për të realizuar një ëndërr që në fillimet e tyre, ndoshta as ata vetë nuk e besonin. Gjysëmfinalja e Ligës së Kampioneve mes Mançester Junaited dhe Shalkes do të vërë përballë Rajan Gigas, 37 vjeç, legjendë e “Djave të Kuq” dhe Raul Gonzales Blanko, 34 vjeç, legjendë e Realit të Madridit, i cili emigroi në Gjermani për të vazhduar që të jetë një aktor protagonist dhe jo vetëm një “simbol”. Një përballje, e cila do të ndodhë së pari pikërisht për kontributin e tyre në ndeshjet çerekfinale, përkatësisht me Gigs, i cili me asistet e tij në Londër për Runin dhe në Mançester për Fernandez dhe Park, ndikoi në eliminimin e Çelsit dhe me Raulin, i cili shënoi në të dyja takimet me Interin, duke u bërë tashmë galëshënuesi absolut në Ligën e Kampioneve.
Performanca e tyre ka qenë nga njerëz që duken se nuk duan të plaken kurrë, nga të rinj të përjetshëm, që paratë dhe sukseset duket se nuk kanë bërë që t’u shuhet dëshira për të luajtur dhe fituar. Raul, i ngritur në qiell nga shtypi gjerman dhe ai spanjoll, gjatë verës mori një vendim të guximshëm për t’u larguar nga Reali dhe për të provuar një përvojë jo shumë të lehtë, në një moshë që linte dyshime se ai mund të arrinte sukses. Tashmë është bërë golashënuesi më i mirë të të gjitha kohërave në kompeticionet evropiane dhe, me qetësinë dhe përulësinë që e ka karakterizuar gjithmonë, vazhdon që të ëndërrojë. Ëndrra e tij e madhe është që të arrijë në finalen e Ligës së Kampioneve dhe aty të gjejë Realin e Madridit. “Gjysëmfinalja mes Realit dhe Barcelonës është e ekuilibruar. Ne nuk jemi favoritë në sfidën e dyfishtë me Mançester Junaited, por, pasi arritëm që të eliminonim Interin, mund të ëndërrojmë që të arrijmë finalen. Është e qartë që të luaja përballë Realit në finale do të ishte fantastike”, ka thënë Raul, i cili ka kujtuar se sekreti i suksesit të tij është “pasioni për këtë sport, dëshira për të vazhduar që të luaj, iluzionet dhe fantazitë. Kur të mos i kem këto, do të heq dorë nga futbolli i luajtur”.
E njëjta recetë është duke u aplikuar prej vitesh edhe nga Rajan Gigs, me të njëtën qetësi, përulësi dhe seriozitet. Mançester Junaited ia ka rinovuar edhe për një vit kontratën dhe uellsiani do të luajë edhe gjatë vitit të ardhshëm, kur do të mbushë 39 vjeç, duke u bërë kështu një nga mesfushorët e krahut më jetëgjatë. Që nga debutimi i tij, në vitin e largët 1991, Gigs ka fituar trofe pafund, që do t’ia kishte zili çdo lojtar. Bëhet fjalë për 33 trofe, 27 prej të cilëve i ka fituar në Angli, ndërsa të tjerat janë dy Liga Kampionesh, një Kupë Kupash, një kupë Internacionale dhe një Botëror për Klube. Një palmares që ndoshta do të ishte më i pasur, nëse do të kishte vendosur që të luante për kombëtaren e Anglisë dhe jo atë të Uellsit, nga ka origjinën e jëma e tij. Kombëtarja e “Tre Luanëve”, ndoshta, nëse do të kishte në përbërje Gigs, mund të kishte arritur fitoren e ndonjë kompeticioni, që i mungon kaq shumë prej dekadash të tëra. Pas 870 ndeshje me Junaited, tonelatash të tëra me gola, asiste dhe lojëra klasi, Gigs ka mundësinë që këtë vit të fitojë një tjetër tripletë, si ajo e vitit 1999. “Është një ndjenjë e jashtëzakonshme të ndihesh ende i rëndësishëm në moshën time. Gjithmonë kam dashur që të luaj me Junaited dhe mund të them se ndihem me fat, pasi ka arritur që ta bëj këtë gjë për 20 vjet me radhë. Është një moment special, pasi në ekip ka të rinj shumë të talentuar dhe megjithatë, unë ende vazhdoj që të luaj”, ka thënë Gigs. Dhe, me një mjeshtër si uellsiani, këta të rinj kanë mundësinë që të arrijnë majat. Fjalë të Aleks Fergusonit këto. “Nuk kam më fjalë për të përcaktuar Rajan Gigs. Është një lojtar i mrekullueshëm dhe një njeri fantastik. Të vazhdosh për kaq gjatë në nivelin e tij është diçka e jashtëzakonshme. Vazhdon akoma që të jetë më i miri në fushë dhe në dhomat e zhveshjes është fondamental për të rinjtë”, ka thënë Ferguson për Gigs. Tashmë nuk na mbetët gjë tjetër veçse të presim takimin e “Old Traford” mes këtyre dy legjendave të futbollit dhe, para së gjithash, ata meritojnë një standing ovacion.