Gruaja më e re e Bin Laden, Amal
Shefi i Terrorit kërkonte një 11 Shtator të dytë. Senatorët amerikanë shohin fotot e tij: Plumbi i kishte hyrë në sy dhe i kishte dalë në vesh
Një nga shefat e Al Kaedës, Rashad Muhamed Ismael, ka rrëfyer se si i ka gjetur grua Bin Ladenit. Në shtator të vitit 1999, ai mori një telefonatë të jashtëzakonshme nga Shefi i Terrorit, me një listë me kërkesa për gruan e tij të pestë.
Ismael arriti të gjejë një vajzë nga Jemeni për tu martuar me Osamën. Në atë kohë ajo ishte 17 vjeç dhe i është dashur të kalojë gjithë këto vite duke u fshehur me të shoqin. Gjatë operacionit të forcave amerikane, ajo u qëllua në këmbë.
Ismael thotë se Bin Laden ishte shumë specifik në kërkesat e tij për gruan e ardhshme. “Duhet të jetë e devotshme, punëtore, e re, e sjellshme, nga një familje e mirë, por mbi të gjitha duhet të jetë e durueshme. Ajo duhet të durojë kushtet e mia të pazakonta të jetës,” kujton për ‘The Guardian’ Ismael.
Ai i gjeti një vajzë nga qyteti i tij, Ib, në Jemen. Ajo quhej Amal Ahmed Al Sadah.
Vajza u cilësua si gjetja perfekte. Bin Laden i dërgoi familjes së saj 5 mijë dollarë si prikë.
Pasi bënë festime paramartesore, Amal dhe vëllai i saj shkuan në Pakistan e më pas në Afganistan ku ajo takoi më në fund burrin e saj të ardhshëm.
Ata u martuan në Kandahar, në një ceremoni tradicionale jemenase, të gjithë të ftuarit ishin meshkuj dhe një qengj u sakrifikua në këmbët e dhëndrit, që në atë kohë ishte 44 vjeç.
Fillimisht Amal jetoi me gratë e tjera të Bin Laden në fortesën talebane.
Pas sulmeve të 11 Shtatorit ajo iku me të bijën në Jemen. Atje dha një intervistë për një revistë arabe ku tregoi se si fshihej në kodrat e Afganistanit pas bombardimeve amerikane.
Megjithatë, Amal u ribashkua me të shoqin e saj dhe u ka thënë hetuesve pakistanezë se ata kanë jetuar për 5 vite në të njëjtën dhomë në shtëpinë ku u vra Bin Laden.
Tani ajo ndodhet në një spital ushtarak dhe është në qendër të një debati. Amerikanët kërkojnë ta marrin në pyetje ata, por deri më tani nuk ia kanë dalë. Myslimanët kundërshtojnë që ajo të pyetet nga amerikanët. Fati i saj nuk dihet, ndërsa një i afërm i saj ka thënë se ajo vinte nga një familje shumë e nderuar, por jo konservatore dhe terroriste.
Nga ana tjetër, në media janë publikuar dhe të dhëna të tjera për Bin Laden. Kështu, nga dokumentet që kanë sekuestruar amerikanët, rezulton që Bin Laden po kërkonte të realizonte një 11 Shtator të dytë. “Na duhet një i tillë,” shkruante Bin Laden.
Ndërkohë, disa senatorë janë ftuar të shohin fotot e Bin Laden të vdekur. Njëri prej tyre tha se ato ishin 15 foto të tmerrshme. “Plumbi i kishte hyrë në sy dhe i kishte dalë në vesh,” thotë një senator që pa fotot.