Intervistë me Sh.T.Z. Ali Amouei, Ambasador i Republikës Islamike të Iranit në Tiranë dhënë për “Javën”. Si i shikon ai prononcimet e Shqipërisë në lidhje me vendin e tij dhe situatën ekonomike dhe politike në Iran? Në këtë intervistë, ai tregon dhe angazhimin e Iranit për pasurimin e uraniumit në vendin e tij dhe perceptimin e Shqipërisë në vendin e tij.
Intervistoi Ben Andoni
Për shtetet e mëdha, duket se edhe përgjigjet e diplomatëve shpesh janë më të thjeshta. Ambasadori i Republikës Islamike të Iranit, Shkëlqesia e tij Ali Amouei, në këtë rast s’bën përjashtim dhe ka përgjigje të thjeshta për vendin e tij dhe madje hera-herës, pozicioni e lejon të bëjë dhe humor. Ne i kemi ndihmuar amerikanët në Irak sepse ata e dinë sa vështirë ishte tërheqja, thotë. I pyetur për shkencëtarët dhe pasurimin e uraniumit, ai thotë se gjërat s’janë kaq të lehta tani që kanë filluar të vrasin edhe shkencëtarët e vendit të tij. I shmanget me kujdes pyetjeve për thëniet e kryeministrit shqiptar, z. Berisha në Izrael, sepse në thelb të diplomacisë sonë është miqësia me Shqipërinë. Një moment të kujton se e shqetëson që në Shqipëri ka kaq të papunë dhe që kultura politike është jo e mirë. Nuk e anashkalon pyetjen për Holokaustin, por kujton shpesh se ndihma për Palestinën është një ndihmë shpirtërore që bëjnë ata. Sa për luftën i duket si utopi. “Po sulmove Iranin, je i destinuar të vetëvritesh,- shprehet kur ndajmë disa opinione-dhe historia e ka treguar më së miri këtë. Por realisht, edhe shtetet më të fuqishme të NATO-s, nuk janë për këtë”. Z. Amouei, sociolog dhe me gradën Doktor i Jurisprudencës fetare dhe të Drejtës Islamike, këtu e mbyll: “Jemi miq që në kohët e hershme me Shqipërinë, kjo është e rëndësishme”.
Zoti Ambasador, vendi juaj kohët e fundit, është sërish në vëmendjen e opinionit publik ndërkombëtar pas deklaratës së zyrtarëve të lartë të vendit tuaj për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit. A është kategorik ky qëndrim nëse do të bllokohen në të ardhmen eksportet e vendit tuaj?
“Politika e Republikës Islamike të Iranit në parim është për vendosjen e paqes dhe të stabilitetit të qëndrueshëm në Rajonin e Gjirit Persik dhe zhdukjen e çdo lloj tensioni nga Ngushtica e Hormuzit. Ne dhe vendet e tjera të rajonit kemi interesa të përbashkëta në këtë zonë të cilat bëhen të mundura vetëm nëpërmjet garantimit të sigurisë të këtij rrugë kalimi”.
Në vizitën e kryeministrit shqiptar në Izrael, Z. Berisha, gazeta më e madhe në vend, Yediot Acharonot ka bërë të njohur se ai u shpreh: Irani dhe Presidenti i saj Mahmud Ahmadinexhad janë ‘Nazistët e rinj’, dhe se bota duhet të mësojë nga Holokausti dhe ta ndalojë atë përpara se është vonë? Ndërsa në fjalimin e Berishës për Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, në Jerusalem dhënë nga faqja zyrtare e Kryeministrisë, është e shënuar se: “Ne ndoqëm me shqetësim të madh zhvillimet në Teheran. Një Iran nuklear është me siguri një kërcënim i madh ndaj paqes dhe stabilitetit në rajon dhe në botë. Ka një burrë sot, me aq sa di unë, në këtë planet, që përdor pothuajse të njëjtën gjuhë që përdornin nazistët 70 vjet më parë kundër popullit izraelit. Dhe ky është Ahmedinaxhadi”. Cilat janë marrëdhëniet tuaja të sotme politike me Shqipërinë, pas kësaj deklarate?
“Presidenti i Republikës Islamike të Iranit Zoti Ahmadinexhad, flet për mbrojtjen e të drejtave legjitime të një populli të shtypur dhe njëherazi me ndikim në paqen dhe sigurinë botërore. Ai u ka shtruar atyre që pretendojnë demokracinë disa pyetje të thjeshta si edhe një propozim konkret për zgjidhjen e problemit palestinez. Pyetja e parë: Nëse Holokausti ekziston në ato përmasa që thuhet, të gjithë e dimë që ky krim nuk ka ndodhur në Lindjen e Mesme dhe në Palestinë. Atëherë përse duhet që për të të paguajë populli i shtypur palestinez? Ai thotë: përse akuzuesit kryesorë i kanë lënë dorë të lirë Izraelit që të kryejë çdo lloj krimi në Palestinën e pushtuar?
Republika Islamike e Iranit ka bindjen se ky problem nuk zgjidhet me genocid ndaj popullit palestinez dhe me krijimin e tensionit në Lindjen e Mesme siç ka ndodhur gjatë gjashtë dekadave të kaluara.
Presidenti i Iranit pyet: përse Perëndimi që pretendon se mbështet demokracinë mbron pushtuesin dhe nuk lejon që të dëgjohet klithma e pafajësisë së popullit të pushtuar e madje minon dhe kundërshton ashpër edhe ato masa gjysmake të ndërmarra në drejtim të pavarësisë së Palestinës.
Ka vite që Republika Islamike e Iranit ka shtruar si rrugëzgjidhje për çështjen e Palestinës përdorimin e metodave demokratike dhe mbajtjen e një referendumi me pjesëmarrjen e të gjithë banorëve vendas të tokave të pushtuara, por me sa duket bota perëndimore mban qëndrime selektive ndaj demokracisë. Si mendoni ju a është fashiste kjo mënyrë shprehjeje, apo një rrugë e drejtë për zgjidhjen e çështjes palestineze? Presidenti i Iranit me të drejtë thotë se duhet të respektohet e drejta e sovranitetit dhe vetëvendosjes së popullit të Palestinës në mënyrë që në rajon të kthehet paqja, siguria, vëllazëria dhe barazia si edhe të garantohet mundësia e bashkëpunimit konstruktiv dhe pajtimit parimor ndërmjet popujve të Lindjes së mesme dhe botës islamike me botën perëndimore. Duke pasur parasysh këto thënie a mund të konsiderohet Republika Islamike e Iranit një kërcënim për paqen dhe stabilitetin në rajon? Nëse është kështu si duhet të gjykojmë për Izraelin e armatosur deri në dhëmbë me armë të shfarosjes në masë dhe sidomos me armë bërthamore?”
Si anëtare e NATO-s, Shqipëria ka qenë gjithnjë pro veprimeve të Aleancës. Kryeministri Berisha, madje, ka thënë në Izrael se do t’i bashkohet Aleancës nëse do të ketë ndonjë sulm të NATO-s kundër vendit tuaj. Si shikohen këto lëvizje të Shqipërisë në qarqet politike të vendit tuaj?
“ Republika Islamike e Iranit është një aktor i madh dhe i fuqishëm në rajonin delikat të Lindjes së Mesme. Bota perëndimore është më së miri e vetëdijshme për kapacitetet dhe potencialin e Republikës Islamike të Iranit për t’u përballur me çdo lloj kërcënimi ushtarak. Për këtë arsye, deri tani asnjëherë në qarqet zyrtare perëndimore nuk është përmendur opsioni ushtarak kundër Iranit. Zoti Rasmussen, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, deri tani disa herë ka theksuar mbështetjen e kësaj organizate për rrugën diplomatike të zgjidhjes së problemeve ndërmjet Iranit dhe Perëndimit dhe ka hedhur poshtë zërat në lidhje me një sulm ushtarak ndaj Iranit. Pra nuk është shtruar veprimi i NATO-s kundër Republikës Islamike të Iranit, që ndonjë vend të dojë paraprakisht të tregojë gatishmëri për t’iu bashkëngjitur këtij veprimi”.
Intervista e plotë- nesër në revistën Java
Paska vajtur dhe andej ky shpellari jone dhe u paska dhene mend edhe per çeshtjet e lindjes se mesme.Na beri me turp per dekada ky çyryk, duhet shkulur nje ore e me pare nga politika se na diskretitoj fare.
Si nuk nxori ky i flamosuri vendi yne nje udheheqes ne perputhje mepermasat e tij,por e ka denuar Zoti te nxjerre kurdohere udheheqes qe ju eshte mbushur mendja se jane te afte te udheheqin boten? Pse nuk jemi te urte, xhanem, por jemi te gatshem, qe kudo ku plas sherr te jemi pjesmarres? Zgjidhem punet tona ne dhe tani nuk na mbetet gje tjeter vec te zgjidhim hallet e botes…
Qe kur Irani ka caktuar per ambasador Adi Krasten?
Pse, nuk e di ti qe Adi Krasta e ka origjinen nga Irani?!
Urime,z.Krasta per detyren e veshtire te ambasadorit!Suksese per te mbyllur sherrin e Hormuzit,nga Shqiperia!Suksese,teknologjikas i vjeter!