Deflacioni, një rrezik i ri për Shqipërinë

Postuar në: Opinion |

Nga Eduard Zaloshnja

Gazeta Shqip kishte botuar sot një artikull për rrezikun deflacionist që i kanoset Shqipërisë.  Në qendër të këtij shkrimi ishte ecuria në rënie e treguesit të inflacionit gjatë vitit të fundit (ne e kemi trajtuar këtë temë në shënimin http://www.respublica.al/artikuj/2012/2/6/inflacioni-ne-renie-po-cmimi-i-ujit ) Le ta anilizojmë pak më thellë atë.

Banka e Shqipërisë ka si objektiv zyrtar që ta mbajë inflacionin në kufijtë 2%-4%. Përse inflacioni nuk duhet të kalojë mbi 4% është e qartë për këdo – inflacioni (shqip: rritja e çmimeve) bën që me të njëjtën sasi parash të blesh më pak mallra se ke blerë një vit më parë. Po zbritja e inflacionit nën 2% (siç qe rasti për muajin janar, kur inflacioni ishte në nivelin 1.6%) ç’të keqe ka? Është shenjë e rrezikut të spirales së deflacionit (shqip: rënies së çmimeve).  Në fakt, në raportin e fundit të Bankës së Shqipërisë i bihet kambanës së alarmit për deflacion. Aty thuhet se një afrim i nivelit të inflacionit afër zeros, mund t’i korespondojë një situate deflacioniste.

Dhe të dhënat e INSTAT-it për volumin e shitjeve me pakicë e përforcojnë këtë mesazh. “Indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë në  tremujorin e dytë  2011 arriti 164.5 përqind, kundrejt vitit bazë (2005=100). Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë është ulur 6.9 përqind”, raporton INSTAT-i. Një rënie prej pothuaj 7% e konsumit tregon një rënie të theksuar të fuqisë blerëse të konsumatorëve. Ndërkohë, kur konsumatorëve u bie fuqia blerëse, bizneset ulin çmimet për t’i joshur ata dhe, eventualisht, pakësojnë ofertën e mallrave dhe shërbimeve.

Ky skenar vërtetohet edhe nga shifrat e Drejtorisë së Doganave, e cila ka raportuar se ka patur një rënie të vazhdueshme të importit të mallrave të konsumit. Importi i mallrave të gatshëm për konsum final u ul në dhjetë muajt e parë të 2011-ës me mbi 11 për qind (http://www.respublica.al/artikuj/2012/2/4/nje-lajm-tjeter-i-keq-per-ekonomine-shqiptaret-po-konsumojne-me-pak)

Spiralja deflacioniste është gjëja që ekonomistët i tremben më shumë. Kur bizneset nuk janë në gjendje të shesin produktet e tyre, ngaqë ka rënë fuqia blerëse e konsumatorëve, fillon tkurrja e Produktit të Brendshëm Bruto. Dhe kjo, nga ana e saj, shoqërohet me ulje të mëtejshme të fuqisë blerëse të konsumatorëve. Në këto raste, ose bëhet një ndërhyrje fiskale (qeveria merr borxh dhe shton investimet e shpenzimet  publike), ose Banka Qendrore shton paranë në qarkullim (duke ulur normën e interesit). Qeveria shqiptare e ka arritur tavanin e përcaktuar me ligj të borxhit (60% e PBB-së), ndërsa Banka e Shqipërisë e ka zbritur normën e interesit vetëm deri në 4.5%. Një ulje e mëtejshme e saj mund të rrisë sadopak paranë në qarkullim – pra, të ndihmojë fuqinë blerëse, e cila ka qenë në rrokullisje teposhtë gjatë vitit të fundit.

 

*respublica.al

http://respublica.al/artikuj/2012/2/7/deflacioni-nje-rrezik-i-ri-per-shqiperine

2 Pergjigje per Deflacioni, një rrezik i ri për Shqipërinë

  1. joni  --  8 Shkurt, 2012 në 12:47 am

    Deflacioni nuk besoj se eshte rezik per shqiperine, se nje vend ne krize dihet qe ka inflacion, atehere si mund te kete dhe deflacion?, Keto lloj titujsh besoj jane paradokse dhe imagjinare, kur dihet qe armiku kryesor i konsumatoreve eshte inflacioni, sa me i vogel aq me mire, atehere si mund te rezikohet shqiperia nga deflacioni? Biles tani qe po shkruaj keto reshta me duket nje ide apo shkrim idiot fare.

    Përgjigjjuni

    • JeDu  --  8 Shkurt, 2012 në 9:07 am

      Kur punedhenesi yt, ngaqe nuk ja blen njeri me mallin, ul cmimin dhe, kur prape nuk ja blen njeri mallin, mbyll biznesin, te pushon ty nga puna. Ti ngaqe vete papune ske leke te blesh dhe e njejta gje i ndodh pastaj edhe nje punedhenesi tjeter, edhe ai pushon te tijet nga puna se ska ku te shese, e keshtu me rradhe…dhe behet pershesh ekonomia brenda disa muajsh. E keqja eshte qe nqs Banka Qendrore e ka interesin shume te ulet atehere ka pak hapesire veprimi per ta ulur. Megjithate zoti Zaloshnja i jep me shume vlere veprimit te Bankes Qendrore ne Shqiperi sesa meriton. Ne vende si Shqiperia, kanali i veprimit te interesit ne ekonimi eshte me i dobet se zakonisht, keshtu qe ulja e metejshme e interesit sjell lehtesim por maksimalisht te vogel.

      Përgjigjjuni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

*

Mund të përdorni këto etiketa dhe atribute HTML: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>