Arsimi shqiptar në udhëkryqet e politikës së papërgjegjshme

16 Shkurt 2012, 22:58Blog TEMA

Nga Çlirim Hoxha

Një nga zhbërjet më rrëqethëse të këtyre viteve të fundit është ajo e arsimit shqiptar. Ministrat e kësaj mazhorence, si Pollo dje dhe Tafaj sot i kanë varur hejbet arsimit me politikat e tyre të papërgjegjshme. Më i tmerrshmi ishte ministri Pollo, i cili ndërmori disa reforma që e kanë katandisur arsimin në vegël të politikës së krerëve të PD-së në rrethe. Askush nuk flet sot në Shqipëri për arsimim dhe edukim brenda kornizave të përcaktuara të epokës moderne. Arsimi shqiptar po jeton kohën më të vështirë të tij, duke humbur identitetin kombëtar të mbrujtur qysh në vitet e para të Shekullit të XX dhe të konsoliduar viteve pa fund.

Demokracia si rend dhe liria e të menduarit dhe vepruarit janë përbërës esencial të iniciativës së lirë. Pikërisht, në këtë aspekt abuzohet pa fund dhe faktet janë këtu. U lëshua kapistra e mbajtjes fortë nënë kontroll të situatës arsimore në Shqipëri. Me dhjetëra licenca u shpërndan, jo vetëm për biznesmen që nuk kanë haberin se ç’është arsimi, por edhe për militant partiak. Nuk jam kundra teorisë së lulëzimit të 100 luleve dhe 100 shkollave, pasi konkurrenca e çon zhvillimin përpara. Por ajo që më bren është fakti që, është lëshuar ca si shumë litari dhe ka humbur përfundimisht kontrolli.

Shumica e shkollave private është kthyer në vend depozitimi të nxënësve të niveleve të ulëta dhe në “banka” për grumbullimin e parave. Procesi mësimor është shthurur, edukata qytetare ka rënë përtokë. Gjysmat e klasave janë bosh për shkak të nxënësve që nuk e frekuentojnë rregullisht shkollën. Pak a shumë e njëjta gjë ndodh edhe në arsimin publik, sidomos në atë të mesëm. Nxënës nënë mesataren e pranueshme të sjelljes dhe përparimit, ndikojnë negativisht tek nxënësit e mirë dhe të sjellshëm. Mësues pa nivel profesional, por të përkëdhelur dhe rekomanduar nga politika në pushtet, paçka se po i vënë kazmën arsimit dhe edukimit të brezave.

Raste flagrante ka sa të duash, kur maturantët e shkollave të mesme janë përdorur nga politika në pushtet për fushatë elektorale. Janë kërcënuar se nuk do futeshin në provimet e maturës nëse nuk merrnin pjesë në mitingjet elektorale, apo nëse nuk ngjisnin postera për kandidatin e mazhorancës. Lëndë narkotike që pihen përmes cigareve prapa murit të shkollave, ose në tualetet e tyre. Gjimnaze me emër kanë ulur ndjeshëm nivelin e mësimdhënies, pasi në këto institucione arsimore mësuesit e aftë dhe me përvojë janë zëvendësuar me mësues me nivel të ulët profesional. Në krye të drejtorive të shkollave publike janë emëruar militant partiak, me nivel të ulët profesional dhe që sillen me mësuesit si të ishin xhandarët e tyre dhe jo koleg dhe drejtues të emancipuar. Frika nga përjashtimi apo transferimi në fshat i ka bërë shumë mësues të qepin gojën dhe të ulin kurrizin përball tekave të drejtuesve të shkollave, pasi kudo ndodhet mëma parti që të flak nëse nuk je me të. Në shkollat e vendit kanë humbur aktivitetet kalitëse dhe argëtuese. Përveç ndonjë ekskursioni me autobus dhe ndonjë diskoje, shkollat kanë hequr dorë nga piknikët e organizuar, nga vizitat në vendet historike dhe arkeologjike. Mësuesit e historisë dhe letërsisë kanë mbetur në nivelet e viteve të kaluara dhe nuk i pasurojnë orët  e mësimit me të dhëna dhe fakte të reja të zbuluara. Ata të edukatës qytetare nuk kanë njohurit e nevojshme për të edukuar, ndërkohë që në shkolla firmosin në bordero edhe disa të ashtuquajtur psikolog, që as të tillë nuk janë dhe asnjë punë trajnuese nuk bëjnë.

Situatë alarmante është në arsimin universitar, ku konkurrenca për të hapur universitete në çdo fshat tani është kthyer në anekdodë. Po ke pesë lekë dhe dy dhoma e një kuzhinë, shko dhe bli një liçensë dhe ja hodhe. Pesë student vitin e parë, shtatë student vitin e dytë, nëntë student vitin e tretë dhe ke bërë universitet. Këto 20 vitet e fundit universitetet e Shqipërisë kanë nxjerr nga auditorët e tyre të paktën 30-40% injorant, të cilët e kanë blerë provimin dhe pedagogun dhe bashkë me këta edhe diplomën. Të mos flasim për 10-15 vite më parë kur u dyndën drejtë universiteteve publike të ashtuquajturit student me diplomat e shkollave të mesme të falsifikuara. Estradë e vërtetë është bërë me arsimin e lartë në Shqipëri. Student me 8 vjeçare u regjistruan në universitete me diplomat e shkollave të mesme të falsifikuara dhe sot janë në poste drejtuese, apo në vende pune të preferuara fal mikut, parasë dhe partisë. Por Qeverisja aktuale dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk mund të rinte pa i shqyer dyert e arsimit të lartë dhe kjo e ka kënaqur shumë Kryeministrin Berisha, pasi ka “ulur” nivelin e papunësisë duke i rrasur të gjitha gjimnazistët në universitete?! Kështu që, u lëshuan me dhjetëra licenca për hapjen e universiteteve private. Konkurrenca është aq e madhe saqë, ka rrezik që për shumë pak kohë do të shohim universitet në çdo komunë. Kush ka paranë ai ka pushtetin, ai blen dhe mbretin, thonë për ata që se kanë për gjë që ta derdhin për të arritur qëllimet e tyre fitimprurëse. Sa për arsimimin e brezave dhe edukimin e tyre profesional, kush po pyet. Grykësia e këtij pushteti i ka kaluar caqet e normalitetit. Disa ministra janë vënë në garë që të pasurohen sa më shpejtë, pasi nuk dihet se çfarë i shkrep në mëndje Berishës dhe i zëvendëson, por edhe sepse po afrojnë zgjedhjet politike të 2013-tës dhe nuk i dihet nga anon kandari. Kush po pyet më për arsimin në Shqipëri. Çështja e licencave është bërë çështje për jetë a vdekje në institucionet e këtij dikasteri. Shikoni se ç’po bëhet për fushatën e zgjedhjeve në Universitetet publike. Makinacione nga më të ndryshmet, qarkullim parash dhe presione dhe dhunë ndaj pedagogëve me emër, por Ministria dhe Qeveria heshtin. Heshtin se duan përmes të gjitha formave paranormale të mbajnë në pozicione drejtuese drejtuesit aktual dhe tu vënë thembrën në fyt kandidatëve të tjerë të ndershëm. Ky është arsimi i lartë sot në Shqipëri. Arsim që nxjerr në pah korrupsionin dhe paaftësinë, ryshfetin dhe kërbaçin, militantizmin partiak dhe bllokimin e të gjitha shtigjeve për kandidaturat e tjera akademike. Ky është arsimi që mbolli dhe po kultivon kjo Qeveri dhe këta ministra. Vetëm një Zot e di se ku po shkojmë kështu. Mallkimi i brezave do të bjerë mbi kokat e të gjithë zuzarëve, që e bënë arsimin shqiptar arenë të korrupsionit dhe paaftësisë profesionale, që mbollën e pollën injorant me diploma.

 

11 komente në “Arsimi shqiptar në udhëkryqet e politikës së papërgjegjshme”

  1. Heron says:

    E vertete por e nevojshme per podhitikanet sepse vetem” te arsimuarit” e tyre vjedhin vota!!!

  2. lali says:

    eshte e vertet se arsimi ka marr fund ne shqiperi sepse fusin hundet kryetaret e sales dhe jane pa shkoll pervete ne shkoll,ne polici dhe ne ushteri nuk duhet te perzihet politika kure do te perfundoj kjo pune

  3. Horri i bulevardit says:

    Shqiptaret e kohes berishiane, jane analfabete me diploma e mastera universitare.

  4. anda says:

    po,tmerr arsimi ne shqiperi

  5. I liri says:

    Kam djalin ne fakultetin e shkencave te natyres.E pyes, bètè mesim sot.Jo.Keshtu perdite.Ose nuk bejne asnje ore ose bejne ndonje ore.I them te ankohen.Po ku te ankohesh thote,ku gjen njeri ketu.Rrime gjithe diten deri ne shtate te darkes dhe presim,se petagogu thote vij tani,vij me vone.Te gjithe jane te dy apo tre punesuar,japim mesim ne universitete private.Rrezik dhe vet ministri i arsimit jep mesim ne ndonje un.privat.C’pret pastaj te behen reforma ne arsim?E kane degjeneruar arsimin ne nje fare feje,sa me poshte nuk ka ku vete.
    -Nje miku im,qe punon ne nje komune me thote njehere:shkuam per kontroll ne nje shkolle dhe e gjetem shkollen per faqe te zeze.Drejtori u shpreh hapur,sa te jete “baca”,ju s’keni c’me beni.
    He, flisni ju tani…

    1. LORA says:

      Fatkeqesisht e vertete.

  6. valter says:

    Fatekeqesisht e vertet. Sa keq ku jemi katandisur!

  7. dritani says:

    Filozofia ‘Shqiperia 1 Euro’.

    Diplomat vlejne 1 Euro …

  8. merita says:

    Arsimi ne Librazhd 4000 euro dhe je ne rregull, leket bixhoz dhe ndoshta dhe deputeti

  9. merita says:

    Nuk dihet sa te punesuar ka nga vijne,ku kane blere diplomen nuk dijne te shkruajne, nuk ka ngrohje,nuk ka banjo, kur drejtori vete eshte me diplome te blere,po me pas cfare do te behet. agronomi deputeti,ose patate stebleve.

  10. nurten says:

    shum tem me ven hallall vu qoft.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje