Cila parti është e para në sondazhe?

6 Prill 2012, 10:47Blog TEMA

Nga Eduard Zaloshnja

Në një intervistë të Kreshnik Spahiut që publikuam në Respublica.al (http://www.respublica.al/opinion/2012/4/5/kreshnik-spahiu-presidenca-per-berishen-nje-shpetim-nga-turperimi-elektoral), ai deklaroi se sondazhet periodike që po zhvillon Aleanca Kuqezi po tregojnë se, në qarqet kryesore të vendit, PD-ja po renditet e treta si parti (pas AK-së dhe PS-së). Ndërkohë, kemi qenë të informuar se sondazhe të brendshme janë zhvilluar edhe nga dy partitë kryesore. Për të hedhur pak dritë mbi këtë temë, kontaktuam një burim të mirëinformuar në njërën prej tyre, në PS.

Personi i kontaktuar na tha se nuk e kanë praktikë që të diskutojnë publikisht hollësitë e sondazheve që zhvillon PS-ja (për këtë arsye edhe nuk deshi të identifikohej në këtë shkrim), por meqë po bëhet zhurmë kohët e fundit rreth sondazheve të papublikuara, konfirmoi se PS-ja ka kryer, në fakt, një sondazh kombëtar, por të pandarë sipas qarqeve. Në atë sondazh, Aleanca Kuqezi (që ende nuk ishte zyrtarizuar në kohën e sondimit) është testuar në koalicion të përbashkët me partinë e re që pritet të krijojë z.Topi, jo si parti më vete.

Pa dhënë detaje për subjektet e ndryshme elektorale, burimi ynë na tha se PS-ja, ashtu si në zgjedhjet e fundit parlamentare, mbetet partia me përkrahjen më të madhe në rang vendi. (Sipas rezultateve zyrtare të KQZ-së, në zgjedhjet e 2009-ës, PS-ja, pa partitë e koalicionit, mori 620.5 mijë vota, ndërsa PD-ja, pa partitë e koalicionit, mori 610.5 mijë vota).

Për PD-në, burimi ynë tha se ajo, “pa mbledhur në thesin e vet votat e vagonëve që ka rreshtuar përgjatë koalicionit të saj laraman, do të rezultonte në sondazh me kuota më të ulëta se koalicioni hipotetik Topi-Spahiu”. Ndërsa pyetjes nëse ka qenë e bazuar në sondazhin e sipërpërmendur parashikimi i Ben Blushit në emisionin Opinion (Blushi tha se koalicioni aktual i PS-së fiton 71 mandate në zgjedhjet e ardhshme), personi i kontaktuar i dha një përgjigje të gjatë.

Së pari, ai sqaroi se nuk duhet marrë si e mirëqenë që sistemi aktual zgjedhor nuk do të ndryshojë. Sipas tij, Partia Socialiste po bën përpjekje reale që sistemi rajonal zgjedhor të korrektohet në nivel proporcional kombëtar. “Dhe kjo përpjekje nuk po bëhet thjesht për leverdinë e PS-së; eksperienca e zgjedhjeve të 2009-ës tregoi se sistemi aktual cenoi barazinë e votës,” – tha burimi ynë, duke shtuar se “disa parti morën një sasi të madhe votash në shkallë kombëtare, por sidoqoftë, mbetën jashtë Kuvendit”.

Në fakt, deri më sot, PD-ja, e cila i ka numrat për të vendosur veton në komisionin për reformën zgjedhore, është treguar këmbëngulëse për mosndryshimin e sistemit. Por aleatët e saj të vegjël janë më se të interesuar për korrektimin e sistemit, dhe ndoshta trysnia e tyre mund ta bëjë PD-në të tërhiqet nga pozicioni i saj intrasigjent.

Në lidhje me ndryshimet e tjera të Kodit Zgjedhor, burimi ynë sqaroi se, në parashikimin për rezultatin e pritshëm të zgjedhjeve, PS-ja faktorizon edhe përmirësimet e ndjeshme që do t’i bëhen sistemit të identifikimit të votuesve dhe të numërimit të votave. Këto përmirësime, sipas burimit tonë, do t’i minimizojnë vjedhjet në dritën e hënës (si të 2009-ës) apo në dritën e diellit (si të 2011-ës). Dhe ai shtoi me siguri të plotë se, pavarësisht nga sistemi zgjedhor, por varësisht nga përmirësimet që po i bëhen administrimit të procesit zgjedhor, koalicioni aktual i PS-së do të fitojë jo 71, sa ç’ka thënë Blushi, por më shumë se 71 mandate.

Në zgjedhjet e fundit lokale, koalicioni i PS-së numëronte zyrtarisht 23 parti (ndër to, nuk ishte PBDNJ, ndërkohë që ishin parti të vogla si PDIP, e cila mori vetëm 74 vota në rang vendi, por edhe më të mëdha si PDS, e cila mori 53.203 vota). Pyetjes nëse numri i partive në koalicion do të pakësohet (si rezultat i divergjencave të shfaqura kohët e fundit), burimi ynë iu përgjigj se koalicioni jo vetëm që nuk do të zvogëlohet, por PS-ja do të jetë e hapur dhe po punon që koalicioni të përfshijë sa më shumë parti me programe që s’bien ndesh me pikat kryesore të programit të saj dhe që ndajnë me të të njëjtin shqetësim për keqqeverisjen e regjimit të Berishës. Sidoqoftë, pyetjes së përsëritur nëse Aleanca Kuqezi apo “Partia Topi” do të bëhen pjesë e koalicionit parazgjedhor të PS-së, burimi ynë iu përgjigj duke përsëritur fjalinë sferike të mësipërme.

*respublica.al

4 komente në “Cila parti është e para në sondazhe?”

  1. elio says:

    A ha po i beri Zaloshnja sondazhet do fitojme….prrrrrrrr

  2. lexuesi i vemendshem says:

    po kete sondazhin e paska bere PS-ja, jo zaloshnja. zaloshnja vetem po e citon sondazhin e ps-se…

  3. sindi says:

    po partine e TOPIT ku e late sepse nuk e llogarisni askund pra fillojeni edhe nje here nga e para sondazhin sepse pa 35 mandate nuk ndahet ai jo -O njerez zgjohuni se ka filluar nje ”FRYME E RE DEMOKRATIKE”

  4. perlat spahiu says:

    ASHTE PARTEJA E BEJTHES,E PARA E KOOPERATEJVES NE SHKIP-NI OR TEJ ,QE PASKE MERAK TE MADHE,NE SHQIPERI KA PARET APO ORGANIZATA KRIMINALE,QE PO E SHPERBEJNE KETE VENDE .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje