Flamuri kërkon shpjegime për shprehjen “koqe kandari”

17 Prill 2012, 20:51Antena TEMA
Flamuri kërkon shpjegime për shprehjen “koqe kandari”

Pasi dëgjoi një deklaratë të Erion Braçes që thoshte mos u merrni me Doktorin se ai është “Koqe Kandari”, Flamuri u vu në siklet, pasi nga anët e tij kjo shprehje nuk përdorej dhe ai nuk ishte i qartë nëse ishte pozitive apo negative. Për këtë iu desh të zhvillonte disa konsultime me njerëz të ndryshëm të kuptonte çfarë ishte.

Si zakonisht të parën mori Jozin në telefon. Ajo sapo kishte zbritur në Japoni dhe linja ishte e keqe.

-Deshta me të pyetë, i tha, ç’do me thënë “Koqe Kandari”, se e kanë përdorë sot për atë Burrin pas konferencës së shtypit.

-Koçe Kanari?!

-E, ashtu, po me q, jo me ç?

-Po pra, Koçe Kanari. Po ç’a di unë, po s’ashtë gjë e mirë më duket. Por nuk ashtë fjalë e pistë, këtë e dij mirë. Ka kuptimin që ai asht njeriu që e ndan muhabetin, aty ky e venos ai koçen e kanarit, aty është e drejta.

-Po pra, po, po kam frikë se është negative, tha Flamuri i mërzitur, se shikoj njerëzit që e tallin. Ja po pyes ndonjë tjetër nga jugu se këta e përdorin shumë.

E mbylli me Jozin dhe mori Ed Halimin.

-Ore, ky Erioni i ka thënë Doktorit “Koqe Kandari”. Ju nga Korça si e përdorni këtë?

-Ka dy kuptime, i tha Edi. Ka një kuptim që i jep rëndësi shumë kufirit deri ku shkon një debat në këtë rast. Fjala vjen po debatonim ne sot se kush do e caktojë nënkryetarin e KLD. Po ta shikosh debatin si një kandar, d.m.th si një peshore, ka shumë rëndësi deri ku e çon atë topin e zigjit, që ndryshe i thonë me shaka dhe “Koqe Kandari”. Në këtë aspekt mendoj që është pozitiv. Ka dhe një vështrim tjetër që po ashtu mendoj që në këtë rast është pozitiv, pasi meqë këtë e kanë thënë këta të opozitës, ata janë të shqetësuar për akuzat që u ka bërë Berisha, dhe ata në vend që t’i thonë Berishës është “Top Zigji”, d.m.th që s’e luan Topi, përdorin këtë kuptimin pak më me humor “Koqe Kandari”, por që unë mendoj se nuk është negativ.

-E mora vesh, tha Flamuri. T’i kthej së prapthi këto që thotë ky, tha me vete.

U kujtua për Ridvanin.

-Ai është devolli tamam dhe nuk gënjen.

-Ore Ritvan, si i thoni ju atij që peshoni patatet apo qepët në Devoll.

-Po zigji o, si i themi. Fillove dhe ti si Irfani që më ka telendisur tek xhaxhesha për qepët tani.

-Jo o, jo, desha të pyes, po atij hekurit që lëviz, si i thoni ju?

-Po top zigji o, si i themi.

-Po kur doni të talleni me ndonjë që e krahasoni me atë, si i thoni?

-Po “Koqe Kandari” o, si i themi. Nuk e ke dëgjuar kur i flas Fatmir Mediut unë?

-E kuptova, tha Flamuri.

-Ça kuptove o byrazer?

-Po ja i paska thënë ky Braçja Doktorit “Koqe Kandari”. E paske me të futur d.m.th.

-Temën e sëmës, po ti mua gjete të më pyesje për këtë o?

-Jo, pyeta Jozin dhe Ed Halimin, por ata ma nxorën pozitive se e morën vesh që ishte për Doktorin.

-Fjalë për fjalë nuk është negative o byrazer, se koqe në këtë rast nuk është fjala për koqe, është për topin e zigjit, dhe kandar, nuk është negative, koqe kandari është pak negative.

-Po Ritvan po, si punë e doganiereve. Çdo doganier është një për një doganier, por duke qenë të gjithë nga Devolli tani quhen doganllarë. S’keni faj ju, kam faj unë që merrem me Ju.

8 komente në “Flamuri kërkon shpjegime për shprehjen “koqe kandari””

  1. TIRONCI. says:

    HAHAHAHAHAHAHA PO MIRE E KA THENE BRACJA SE SALA ESHTE KOQE KANARI.

  2. MEMEDHETARI says:

    Doli nga zyra kur c`te shikoje,perballe po vinte Spartak Ngjela.
    “Pse te mos pyes dhe nje opozitar?”,mendoi ne moment Flamuri dhe ja shprehu “problemin” menjehere…
    “Eshte e kollajte fare,i tha avokati,ja,ti p.sh. je nje koqe kandari…”
    “Edhe une? Je i sigurte,avokat???”
    “Ta jap me vule e firme”…
    “Pra,une jam koqe kandari…njelloj si Ai burri”,mendoi Flamuri dhe e ndjeu vehten te vleresuar perderisa kishte cilesi te njellojta me Kryeministrin…
    Dhe e vendosi:Nuk do te pyeste asnje person tjeter!!!
    Per modesti…

    1. Shtegtari says:

      Hallall te qofte o “Memedhetar” qenke AS. Beji ndonje telefonate Meros se varfer te mbytur deri ne gryke nga puna e nga hallet qe ka, e ofroi ndihmen tende. Jam i sigurt se do ta pranonte me kenaqesi nje bashkepuntor te talentuar si ty.

  3. Shtegtari says:

    Mos vdeksh kurre o Mero, prape me bere te qesh si budalla me vete ne mes te nates.

  4. e verteta says:

    Bracja e ka pas te veshtire te perzgjedhe nje fjale me te bute e me pak te lakueshme.Ne popull pos koqes se kanarit perdoret dhe tope kanari,e keqja eshte se te dyja keto fjale te kujtojne organin mashkullor,i cili per hir te se vertetes duhet thene se tek Sala ka vdekur me kohe e me vakt.

  5. melo says:

    O Antena mos vdeksh kurre.Je i paarritshem.Nuk kam pare humor me te holle se ky.Te Lumte !!! Te ofte a mbare pena dhe shume shendet te uroj!!! JE FANTASTIK.Te lutem mblidhi te gjitha keto shkrime humoristike ne nje permbldhje se jam 1000 % i sigurte qe do jesh best seller.Dite e mbare!

  6. lora says:

    Ballirët e demokracisë (koment per Fahri Balliun)

    Nga Ardian Ndreca

    Në nji vend që mbasi njohu diktaturën e nji tiranie – njohu edhe tiraninë e korrupsionit dhe të shtetkalbjes, e cila gjeti kampionët e vet në nji despot të vetëkënaqun si Berisha dhe në nji vagabond të mirëfilltë si Nanoja, nuk mund të mungonin individë si Fari Balliri.

    Nanoja përfaqsonte përbuzjen që nji vagabond ordiner mund t’i bajë shtetit dhe institucioneve demokratike; Berisha përfaqson tjetërsimin e shtetit demokratik në nji organizatë tribale, gjysmë feudale dhe gjysmë private.

    Por nuk besoj se në këto vite të ketë pasë persona që ta kenë denigrue ma shumë Berishën sesa Fariri ose siç e njohin katundarët e Dumresë: miku i Lalë Hekrit – i cili sa herë duket andej u kujton Lalën që shkoi zemërngopun, mbasi e pa birin e vet në shpirt në majat e demokracisë berishiane.

    Fariri i Lalë Hekrit, quhet kështu në kujtim të shëtitjeve të tija dhe “miqsisë” proverbiale që e lidhnin me ish-ministrin e Sigurimit, Hekuran Isain, pranë të cilit raportonte rregullisht si nji “Ushtar” i bindun dhe i devotshëm i Sigurimit.

    Qe pra, kryeministri aktual i Shqipnisë mbrohet prej njerzish që në nji shoqni normale nuk mund të mbronin kurrë as vetveten e jo ma kreun e qeverisë.

    Që nji shoqni politike dekadente të ketë në mes të sajin kodosha dhe hajdutë, kriminela dhe banditë të të gjitha përmasave, kjo ndodh shpesh edhe pse asht e papranueshme, por që ata që janë betue disa heresh mbi Kushtetutë (edhe pse po aq herë e kanë thye betimin), të shërbehen prej instrumentesh të nivelit të ballirëve – kjo vijon me qenë skandaloze edhe në nji shoqni politike dekadente si kjo e jona.

    Ata që i ban miq plaçka e grabitun prej shtetit shqiptar, i ban anmiq vetëm plaçka e grabitun.

    Tek ata vesi ec krahpërkrah me paturpsinë, korrupsioni me korruptuesit, mnera me vnerin që i ka zanë fytin kombit shqiptar.

    Sot në botë vetëm Nursulltan Nazarbajevi, Llukashenkoja dhe Robert Mugabe përdorin njerëz të nivelit të ballirëve.

    Kush asht ky Fari Balliri? Mundena me thanë se shpifja asht pasioni i tij, mbasi po t’i interesonte e vërteta do të ulte kryet e do t’ikte me bisht ndër shalë. Ai ban pjesë ndër ata shkarpaxhi, bozaxhi e paçaxhi stramastikë dhe të pamoralshëm që pseudo-demokracia shqiptare mori hua prej redaksisë së “Zërit të Popullit”, prej KQ të PPSH dhe prej Sigurimit. Ishte alkimia e yzyrhaneve që kontrollonte Ramiz Alja që bani mrekullinë e shndrrimit të nji pinuci qafëshkurtë në nji model të shtypit demokratik.

    Vetë pamja e tij të kujton atë frazën e famshëm që thohet se ka shqiptue Napoleon Bonaparti kur ka pa Talleyrand-in (njiherë shërbtor i Luigjit XVI, mandej i Revolucionit, mandej i vetë Bonapartit, mandej i Luigjit XVIII): “C’est de la merde dans un bas de soie”.

    Ballirët e demokracisë kanë nji talent fshatar dhe sy urithësh të babëzitun, kanë qafë harkoçit dhe shikimin prej fajtorit që shpërthen prej nënvetdijes së randueme me mëkate të vjetra e të reja.

    Kur i njeh prej afër e sheh se Farirët e kanë shpirtin si nji lëkurë iriqit dhe fytyra-zhallogë nuk u skuqet për asnji arsye.

    Përshtypja që të lanë asht ajo e karrocës së dikurshme të fekaleve, që mbasi mblidhte landën e vet shkruente mbas vetes në tokë historinë e vetme që dinte me shkrue, tue e firmosë po me të njejtin material arkivor.

    Ne, që na vjen ndot me mbytë çimka – ndjejmë neveri prej qenjeve të këtilla, të cilat të shoqnueme prej ndonji kojrrile të shpërvjelun, ndonji pitigone apo ndonji kryeshtame tjetër sjellin kudo erën e mallit të pistë që mbartin mbrenda vedit.

    Kur sheh nji injorant me nji shkollë ruzhdije a me nji kurs partije, që nuk flet asnji fjalë në asnji gjuhë tjetër posë zhargonit të vet – thue se si mundet ky krymbalesh, që ende s’ka shëndoshë pelivromin e kohës kur ishte vorbaxhi, me qenë krahu i djathtë i kryeministrit të Shqipnisë!

    E bija deri para pak ditësh zotnonte miliona në aksionet e nji farë Delijorgji, tjetër monstër me emën gjysëm turk e gjysmë grek, që me ndihmën e ish ministrit të Mbrojtjes (për ironi të fatit mbas Gërdecit ky cilsor tingllon shumë makabër) çoi në botën tjetër nja dy duzina shqiptarësh të pafajshëm.

    E si mund të ishte ba pjestare në biznes ajo – me nji fytyrë të topitun, që edhe elementin femnor e mbart vetëm si tipar atavik – në nji shoqni që vepronte kundër shtetit dhe institucioneve demokratike?

    Vetëm nji prind me sytë si peshk i ziem prej etjes për pare mund të ekspozonte bijën e vet në nji affaire aq të ndytë që mund t’i sigurojë kurdoherë disa kohë pushime me pare të shtetit në ndonji institut të posaçëm sigurie!

    Por aventurat e këtij individi nisin si konsull shqiptar në Maqedoni në vitet ’90, atëherë kur SHIK e çoi me marrë kontakte me do figura të sapombërrijtuna prej Sirie, por ai si gjithnji i pangopun, u dha mbas kontrabandës me makinën e konsullatës, dhe la mbas dore detyrën. Mendoni nji konsull të Republikës që ne ecejaket e tija kalon pa doganë vistra me banane e vargje me salam viçit, terhan hallvasi dhe shishe rakije! Tue qenë se kryetari i atëhershëm i SHIK e hoqi, ai u ankue se ishte shkarkue për aktivitetin e tij patriotik mes shqiptarëve të Maqedonisë.

    Balliri ka korruptue kë ka mujtë, madje edhe vetveten, e s’mund t’i them bandit pse fyej Robin Hood-in, s’mund t’i them zagar pse fyej at’ kafshën fisnike që prej mijëra vjetësh mbledh prenë dhe (pa e hangër gjysmën vetë) ia sjell të zotit, s’mund t’i them nji hiç pse shpenzoj tri shkronja të çmueshme të alfabetit, gja që ai s’e meriton.

    Me paret e kujt mendoni se han e pin e flen ky individ në hotel Ritz të Parisit apo në Sacher të Vjenës? Ky ish gazetar i asaj gazetës që dikur shiste 3 lekë rrena të dhunshme, ky bushiq i sojit të Talleyrand-it – i ushqyem me veleitete letrare – që i përkthen librat e tij me pare të veta, i boton me pare të veta dhe në fund i blen vetë dhe mshehtas i shet për letër!

    Në hotel “Ritz” ai paguen ka 7-8 mijë euro në natë për vete dhe për shpurën e vet me paret e shqiptarëve, me ato që merr prej gjobave të biznesmenëve, me ato që merr si sekserë prej licencave të fabrikave të çimentos, me ato që merr prej taksapaguesve, me ato që merr prej bizneseve të pista me serbët e Bosnjës, të cilët e sajdisën qysh në verën e vitit 2006 tue e pritë në ish-bunkerin e Titos afër Sarajevës, i paguen me paret e përgjakuna që ka marrë prej Gërdecit dhe prej bizneseve tjera …

    Lajmet e shpifjet e stilit komunist, lalë-hekurist – zanë fill qysh se ishte gazetar i së përditshmes “Zëri i Popullit” – e cila, qysh se ka ikë ai, s’ka ba ma hajr.

    Un, për shembull, tashti sapo u bana agjent grek, rus, iranian, serb, sapo u bana komunist, terrorist, anarkist, raskolnik, fashist… pse i tillë bahesh sapo të denoncosh publikisht flligshtinë e sistemit të sotëm politik, i cili në disa aspekte e ka kthye Shqipninë tek terri institucional i shumë dekadave ma parë.

    Edhe sot 99% të lajmeve të së përditshmes së tij vijojnë me qenë rrena që damtojnë demokracinë e vërtetë (mirë që s’punon në Bankën Kombtare se do ta kishte mbushë tregun vetëm me kartmonedha falso). Ma të shumtën e ditëve në at gazetë do të gjejsh të vërtetë vetëm datën. Shpifjet që trumpeton pa pushue ai mund t’ua kumtonte personalisht çdo ditë nadje 100 lexuesve të vet, por jo, duhet nxjerrë gazeta, pse asht nji mënyrë me shpenzue paret e grabituna dhe me rrahë gjoksin para atij burrit.

    Por, damin ma të madh personat si Fariri, ua bajnë atyne për të cilët flasin mirë, në këtë sens ia ka ba shumëkujt – që s’ka mujtë me e ndalë në kohë, por vijon me ia ba me përkushtim sot Sali Berishës, pse ky vetë ia kërkon në vend që me e ndalë.

    Andrra e tij e madhe, si njeri me vokacion hafijet, ishte me u ba kryetar i SHIK, pra me imitue karrierën e Lalës së vet, por serioziteti i dy presidentave të fundit të Republikës ia preu rrugën.

    Thonë se Fariri ynë don me e mbyllë karrierën tue shkrue nji biografi të shefit të tij, thonë se do të donte me iu paralizue gjuha tue lëpi po ato këpucë.

    Nji tjetër specialitet i tij janë patronazhet. Ai zotohet prej vitesh para shefit, se mban afër ketë apo atë intelektual, se nuk i lejon me u ba të “rrezikshëm”, dikund me nji premtim për nji shtëpi, dikund me nji makinë të përdorun, dikund me nji vend pune…

    Kam kuptue se kjo demokraci asht e pashpresë kur kam pa sesa afër kryeministrit qëndrojnë individ si ky i masipërmi, kur kam marrë vesht se si përnatë vetë kryeministri i telefonon këtij bakali të dy regjimeve për me hetue ndonji komplot apo me marrë informacionet e ditës.

    Balliri sot ka shumë anmiq dhe s’e din se prej kah mund t’i vijnë në çdo çast.

    Ai ankohet se Topalli nuk e honeps, se Polloja s’e ka xhan, se Bodoja asht i pabesë, se Besniku asht intrigant e njeri i Nexhmijes, se Ruli asht nji mashtrues komunist…se e bija e atij të madhit ia shpërfill vajzën…

    Ky individ anti-shtet guxon me fye dhe me sulmue publikisht me fjalor rrugaçash kryeprokuroren Ina Rama dhe institucionin që ajo drejton e madje edhe Presidentin e Republikës shqiptare z. Bamir Topi, dhe e ban ketë gja vetëm për me mbrojtë aferat e pista të sistemit.

    Kujt kujton se i shtin frikën me shpifjet e tija ky individ, që duhet të ishte ndër të parët që duhet të kishte frikë ligjin, mbasi për opinionin publik nuk e çan kryet!

    Sot Fariri asht nji kartë e djegun dhe nji peshë e vdekun që në rastin ma të parë, si fitoi si humbi PD, do të hidhet prej barkës dhe do t’i dorzohet drejtësisë së bashku me asetet përkatëse për me mbulue gjynahe tjera ma të mëdhaja. Flitet se asht në kërkim të nji strofulle në Siri për me kalue pleqninë, mbasi ai shtet s’ka marrveshje ekstradimi me asnji vend të botës.

    Por le të thonë çka të duen, ai përfaqson dështimin e nji modeli politik që asht post-komunist vetëm kronologjikisht, por vijon gjithnji me njerëz me ngjyrim dhe me mendësi komuniste e sigurimase.

    Ketë e ka tregue edhe forca qendërikëse e virtytit politik të së djathtës shqiptare: ikja e E. Selamit, zbuemja e Nush Radovanit dhe Ernest Përdodës, largimi i Aleksandër Meksit dhe i avokat Ngjelës, mënjanimi i turpshëm i Pjetër Arbnorit e i shumë të tjerëve që heret a vonë treguen karakter.

    Kjo forcë centrifugale asht ekuilibrue prej thithjes së parvenu-ve dhe horave të të gjitha madhësive.

    E vetmja gja e mirë që ka Fariri asht se mbasi ta kesh njohtë, të gjithë zuzarët që do të takojsh mbrapa do të duken zotni të nderuem e gentlemen-ë të vërtetë.

    Nji tip si ai edhe po të ishte ba i pasun në mënyrë të ligjshme do të duhej t’i vinte turp që ka vu gjithë atë pasuni pa pasë asnji talent. Por hyneret e tija nuk mbarojnë me kaq, ka ma e ma për me thanë e nji artikull i vetëm sigurisht që nuk mjafton…

    Në këto vite shumë kush mund ta kishte shtypë metaforikisht ketë çimkë infektuese – të dalun prej sirtareve të Lalë Hekrit, por ndoshta fati ka dashtë që ai ta damtonte deri në fund padronin e vet për me shijue nji ditë, kur të rivendoset legaliteti, frytet e idhta të të gjitha poshtërsinave që ka ba.

    Tue pritë që drejtësia t’i marrin në dorzim të gjithë farirët e botës, po ia dorzojmë përbuzjes sonë e të mijra e mijra shqiptarëve të ndershëm të cilëve u rrënqethet shtati prej monstrave si Fariri i Lalë Hekrit i cili asht turpi i demokracisë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje