Pos që liria e shprehjes dhe e shtypit garantohet me Kushtetutën kosovare (nenet 40 dhe 42) këto liri, në këtë botë në lëvizje e që po ndryshon (kosovarët hala duket se janë robër të mendësisë totalitariste dhe me mendjen qykë!) ato mbrohen edhe me konventa ndërkombëtare, madje edhe e drejta e ofendimit, provokimit dhe e thashethemeve!
Në nenin 10 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut (nënshkruar me 4 nëntor 1950 në Romë), por e modifikuar për këta 60 vjet, duke u bazuar edhe në përvojat e interpretimeve që i janë bërë këtij neni në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasbourg, në paragrafin e parë madje thuhet se është karakteristikë për nenin 10 që të mbrojë shprehjen e lirë e që mbart një risk në dëmtimin, apo aktualisht dëmton interesat e të tjerëve. Po në paragrafin e parë thuhet se GjEDNj ka deklaruar se neni 10 mbron jo vetëm informacionin ose idetë që përftohen në mënyrë të favorshme ose që konsiderohen si joofensive, ose si indiferente, por edhe ato që ofendojnë, tronditin ose shqetësojnë; të tilla janë kërkesat për një pluralizëm, tolerancë e mendje të hapur, pa të cilat nuk do të kishte shoqëri demokratike.
Në paragrafin 9 thuhet se liria për ta kritikuar Qeverinë u mbështet hapur nga Gjykata Europiane më 1986, si detyrë e shtypit.
Në paragrafin 12, si rrjedhojë bashkë me informacionin ose të dhënat që mund të verifikohen edhe mendimet, kritikat ose spekulimet që mund të mos provohen si të vërteta, gjithashtu mbrohen nga neni 10. Për më tepër gjykimet subjektive, në veçanti ato të shprehura në fushën politike, gëzojnë një mbrojtje të veçantë… Garantohen edhe mendimet e shprehura me gjuhë të fortë ose të ekzagjeruar, fjalët e rënda dhe kritika të ashpra, po ashtu tolerohen nga Gjykata. Si ilustrim, në rastin “Dalban kundër Rumanisë, 1999” kur një gazetar akuzoi një politikan për korrupsion dhe keqmenaxhim, Gjykata u shpreh se “liria gazetareske mbulon gjithashtu rekurse të mundshme deri në shkallën e ekzagjerimit, ose edhe të provokimit.”
Në këtë kontekst, nëse një gazetar ose një shkrim ka qëllime legjitime të interesit publik dhe janë bërë përpjekje të arsyeshme për të vërtetuar faktet, shtypi nuk do të jetë përgjegjës edhe nëse faktet në fjalë vërtetohen se janë të pavërteta…
Porse sa i përket burimit të informacionit, paragrafi 18 i nenit 10 të Konventës e mbron fuqishëm. Gjykata shpjegon se mbrojtja e burimeve të gazetarëve është një nga kushtet bazë të lirisë së shtypit. Në “Rastin Goodvin” (Goodvin kundër Mbretërisë së Bashkuar, 1996) Gjykata argumentoi se pa një mbrojtje të tillë, burimeve mund t’u prishet mendja të mos ndihmojnë shtypin për të informuar për çështjet e interesit publik.
Paraqitëm këto raste për t’ua bërë me dije ligjvënësve dhe ekspertëve juridikë kosovarë të shkollës së vjetër se sa ka ndryshuar bota dhe sa të vonuar në kohë e të humbur në hapësirë kanë mbetur. Bash sikur sposorizuesi i Kodit Penal kosovar, që për habinë e secilit qytetar të edukuar, nenet fantome 37 dhe 38 i ka kopjuar fjalëpërfjalshëm nga Krivicni Zakonik Republike Srbije (Kodi Penal i RS)
Për atë Zot, a nuk mundet Kosova pa fqinjin verior (armiqësor) të bëjë asgjë të hairit?
Lexuesi i vëmendshëm vëren se sa të ngjashëm janë shqiptarë e serbë kur bëhet fjalë për lirinë e shprehjes dhe e shtypit; vëllezër siamezë, mbi të gjitha në mendësinë turbofolk.
Kosova dhe Serbia kështu janë bërë bashkë, nën “flamurin e diktaturës së proletariatit” për ta luftuar fjalën e lirë dhe shtypin e lirë.
Dallimi i vetëm është se në Serbi ndiqet penalisht autori, kryeredaktori, botuesi, prodhuesi ose shtypshkronjësi nëse vepra e përshkruar është e dënueshme më shumë se pesë vjet, kurse në Kodin kosovar sipas veprës penale të paraparë në nenet 232, 236, 424, 427, ose 428 të këtij Kodi (drafti i parë madje ka sanksionuar gazetarët për veprën e dënueshme vetëm me tre vjet. Kurse pika 6 e nenit 37 është kopjuar fjalëpërfjalshëm nga neni 39 pika 2 i Kodit Penal të Republikës së Serbisë (ngjashëm e ka edhe Kodi penal i Malit të Zi dhe Kroacia me pak modifikime.)
Në anën tjetër Shqipëria nuk i ka këto nene në Kodin Penal, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina e ka vetëm një nen shumë më të avancuar se Serbia, Mali i Zi dhe Kosova, që rregullon sferën mediale.
Republika e Shqipërisë avancon në rajon për sa i përket Kodit Penal, natyrisht që i ka specifikat e veta, por në asnjë mënyrë nuk pengohet liria e medias, pos në rastet e sigurisë kombëtare, sekretit ushtarak si dhe nxitjes së urrejtjes ose grindjeve ndërmjet kombësive, racave dhe feve dhe propaganda për kryerje të veprave terroriste si dhe Neni 267 – Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik.
Madje Shqipëria e sanksionon me ligj pengimin e së drejtës së fjalës së lirë, Neni 261 – Pengimi në ushtrimin e së drejtës për t’u shprehur, grumbulluar apo manifestuar: Kryerja e veprimeve për të penguar shtetasit për të ushtruar lirinë e shprehjes së mendimit, të grumbullimit apo manifestimit, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj. Kur veprimet shoqërohen me përdorimin e dhunës fizike, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.
Por Kosova ndonëse e ka gojën plot bashkim kombëtar, kur është fjala për diçka të mirë i shmanget Shqipërisë, e kur ka të bëjë me diçka të shëmtuar e kopjon Serbinë!
Kjo legjislaturë e Kuvendit të Kosovës përfundimisht është koritur!
Dhe fytyrën nuk ua lanë as mosnënshkrimi eventual i Kodit nga ana e presidentes.
Ekspertët ligjorë të Qeverisë, sponsoruesi i Ligjit penal, Ministria e Drejtësisë dhe ata ligjvënës të çaraveshur e të hallakatur kosovarë (në këtë rast vetëm deputetët e lëvizjes “Vetëvendosje” vepruan me ndërgjegje qytetare), duke qenë se frikësohen nga abuzimet dhe krimet e tyre, për të mos u dalë në shesh, votojnë ligje kundër tharmit të demokracisë, kundër vlerave të përbashkëta europiane, e në anën tjetër i shurdhojnë qytetarët me plot gojën demokraci e integrime europiane. Ky është mashtrim, këta janë armiq të lirisë. Të secilës liri.
Të pafytyrët nuk skuqen.
Këtë soj njerëzish Fridrich Nietzsche i quante “bisha me fytyrë të mërdhezur.”
Se qeverite reciproke kane ne krahe gazetaret e till sahanlepires, prandaj!
http://imazheshqip.blogspot.com/2012/04/zeri-i-pyllit-frrok-qupi.html