Taksat - Molla e ndaluar e Bashës

4 Maj 2012, 21:52Blog TEMA

Nga Gladiola Bendaj

 

Ndryshe nga ç’iu ishte premtuar, biznesi i vogël kryeqytetas është përballur këtë vit me dyfishimin ose trefishimin e taksave dhe detyrimeve tatimore. Ndryshe nga ç’premtoi Basha biznesi i vogël po shkon drejt falimentimit. Nga 23 mijë të regjistruar në QKR, vetëm 13 mijë prej tyre figurojnë në listat e inspektorëve të tatimeve. Projekte të mbetura pezull e të tjera të miratuara pa votë. Një buxhet i fryrë që zor se mund t’i përgjigjet premtimit për investime të reja. Pas 10 muajve në krye të Bashkisë së Tiranës, për Bashën është koha e bilanceve

 

“Epo kjo punë kështu… Shtet hajdut…! Si mor vëlla kështu…?! Po gjoja do i ulnin?! Do t’i vë kyçin fare, nuk punoj unë për kollaret, më mirë dal e shes banane…!”. Nardi, babaxhani që mbështjell gjysmën e lagjes së tij për kafenë e mëngjesit dhe atë të pasdites, në lokalin e tij në Bllok, nuk është i vetmi që shfryn i habitur. Tani duhet të paguajë më shumë, kur priste të paguante më pak, po s’po e merr vesh pse… Nga 49.620 lekë që ishin taksat e tij si biznes i vogël për vitin 2011, sivjet i duhet të paguajë 107.920 lekë, 58.300 më shumë sesa një vit më parë. Pasi vetëdeklaroi xhiron, njësoj si një vit më parë – 2.000.000 lekë – siç e paraqiste edhe kasa fiskale që përdor, pa e pyetur e pa e kontrolluar fare, inspektorët bashkiakë të tatimeve, që s’u panë kurrë atypari, ia shkruan edhe njëherë vetë këtë xhiro, të zezë mbi të bardhë, plot 4.000.000 – 5.000.000 lekë të reja. Burri, që ka më shumë se dhjetë vjet që punon këtë bar-kafe të vogël në anë të rrugës, nuk di t’i japë ndonjë shpjegim të arsyeshëm vetes.

Çështja e ngritjes së taksave për biznesin e vogël në kryeqytet, për shumë prej tyre qe një surprizë e hidhur. Të paktë qenë ata që e kuptuan se, kur Lulëzim Basha u vu në krye të Bashkisë së Tiranës dhe premtoi rritje të buxhetit të saj, të cilin më vonë e shpalli 70 milionë dollarë (sipas tij më i larti deri më sot), diçka jo fort e pastër po lëvizte nën rrogozin e ri që sapo ishte shtruar. Ku do t’i gjente Basha 70 milion dollarët? Cili preventiv i sillte ndër fletë të tillë shifër? Aq më pak me në mes premtimin se do hiqte 60 taksa e do shkurtonte shumë të tjera?

Ka vetëm pak ditë që përfaqësues të komunitetit të këtij biznesi kanë reaguar, duke e bërë këtë çështje mediatike. Fare pak ditë, sepse gjithçka doli zbuluar pas 20 prillit, datës së fundit të deklarimit të detyrimeve nga ana e bashkisë. Ai i shkuari, kur i zgjedhuri i tyre plot premtime bënte fushatë elektorale, pazar më pazar e kafene më kafene, duhet të ketë qenë i gjithi një Prill gënjeshtar… Biznesi i vogël, që ai e lakoi për ditë e ditë me radhë, jo vetëm që s’u lehtësua gjëkundi, por u zhyt edhe më tej. Në një klimë si kjo e tanishmja, shtuar këtu krizën, papunësinë, fukarallëkun, pesimizmin…, për askënd nuk është më e vështirë të shohë se si mbyllen dita ditës qepena të zhgënjyer marketesh, ushqimoresh, kinkalerish, fast-food-esh, kafenesh, dyqane veshmbathjesh, etj., shpesh për të mos u hapur më. Ndryshe nga ç’pat premtuar i përzgjedhuri, apo i vetëpërzgjedhuri i kryeqytetasve, biznesi i vogël, jo vetëm që nuk po lulëzon, por është zhytur sot në pikën më të fundit të hallit.

Nuk u bë shumë zhurmë për asgjë. Asfare zhurmë nuk u bë. Gjithçka lëvizi tinëz nën rrogozin e premtimeve të rreme. Njësoj si në ato premtimet e lumta paramartesore. Ai, i ëmbël, i butë, i edukuar, familjar i mirë që i mjafton buzagazi për të transmetuar besim dhe siguri, dhe ajo,  shoqëria e tërë civile, të punët e të papunët, si një vajzë e mirë që nuk dyshon aspak në zgjedhjen që ka bërë. Ajo beson, është e bindur dhe e duruar. I kanë mësuar të nëpërdhëmbë se punët e mira bëhen avash-avash, ndaj e vetmja gjë që mund të bëjë për momentin, është të bindet dhe të presë.

Në krye të vitit, të joshur nga ideja që do të paguanin më pak e do të fitonin më shumë, se demek tanimë kishin më pak taksa dhe ato që kishin mbetur do përgjysmoheshin, bizneset e vogla bënë vetëdeklarimet për xhirot vjetore. Pas kësaj, rrinin duke i bërë refresh faqes së internetit që tregon detyrimet personale të secilit subjekt. Asnjë e re deri para pak ditëve. Asnjë detyrim i publikuar, përveç shumës që tregonte xhiron vjetore të vetëdeklaruar, më se të verifikueshme edhe përmes kasës fiskale, e cila raporton direkt në të zyrat e tatim-taksave. Deri sa…, Ai u bëri atyre një surprizë.

Siç ia do dhe zakoni një kavalieri. Jo vetëm që nuk kishte hequr asnjë taksë, – të paktën asnjë nga ato që ata kishin paguar deri tani, – sepse, siç u mor vesh shumë shpejt ato 60 të shumëpërfolurat ishin thjesht dhe vetëm tarifa me të cilat një tregtar përballet njëherë në kushedi sa kohë dhe jo taksa fikse vjetore (vendosja e vulave në mishrat e thertoreve, ngjyrosja e lëkurëve…), por iu kishte dyfishuar taksën e pastrimit dhe 2 ose 3 fishuar xhiron vjetore, mbi të cilën, aplikohet edhe taksa e biznesit të vogël, e përpjesëtuar në të katërt këstet e saj të pagesës vjetore. Besojeni, ka ende nga ata që nuk e dinë akoma se çfarë ka ndodhur. Në përpjekje për të përllogaritur se si është rritur kaq shumë ‘gjoba’ për tu paguar, askujt nuk i kishte shkuar ndërmend të kthente faqen për të parë xhiron vjetore. Nuk ishte parë ndonjëherë që ajo të ndryshohej apriori, aq më tepër nëse askush deri me sot nga inspektorët e vlerësimit të tatimeve nuk ka zbritur në punën e tyre për t’iu bërë ndonjë rivlerësim të deklarimit të bërë. Edhe pse, për më tepër, kjo administratë tatimore nuk mund të bëjë riklasifikime të kategorisë së bizneseve me hamendje, pa pasur më parë një udhëzim të kryetarit të saj për t’i bërë këto subjekte objekt të rritjes së xhiros vjetore.  U pat thënë se zyra e tij do të ishte e hapur për të gjithë, se kushdo mund ta vizitonte, pa drojë. Se kushdo mund të vente e të trokiste e pastaj t’i shtrëngonte dorën e t’i qante hallin, njësoj siç atëherë në fushatë ai shkoi nëpër tezga e shtrëngonte duart me ta, u qante hallet e u bënte premtime lumë. Megjithatë, sot, kur ata rrahin në kokë dhjetëra pyetje të habitura, ai jo vetëm që nuk di t’iu kthejë ndonjë përgjigje, por kujdeset të humbasë gjurmët e të fshihet, gjithmonë duke lënë pas buzëqeshjen e tij prej Monalize. E pat akuzuar Edi Ramën, se në vend që të merrej me hallet e qytetarëve të tij që i kishin besuar votën, i kishte mendjen vetëm tek partia. Në fakt, tani, që nuk ka kaluar as një vit nga zgjedhja në krye të bashkisë së Tiranës, duket se po bën të njëjtën gjë siç për të cilën akuzonte dikur rivalin e tij.

 

Është koha e bilanceve

Për kryebashkiakun Basha, ka ardhur koha e bilanceve. Ka kaluar plot një vit qysh nga koha kur, i veshur sport, xhinse e një pulovër prej djali të mirë hedhur shpatullave, shëtiste me kokën lart, së bashku me shpurën e tij kaçurrele, shtrëngonte duar të palodhura punëtorësh e qytetarësh, rrihte shpatulla babaxhane e ledhatonte koka naive fëmijësh duke u premtuar ngrohje nëpër shkolla dhe siguri të plotë në ambientet e tyre. Në asnjë shkollë nuk u vunë në funksion kaldajat këtë dimër dhe në vetëm pak syresh u vu një gardh hekuri.

Kanë kaluar dhjetë muaj “frenetikë” qysh nga koha e zgjedhjes së tij si qytetar i parë i Tiranës: kohë në të cilën është parë pak ose aspak nga konkretizimi i ideve të tij të panumërta, projekteve largpamëse dhe financimeve lumë që do të zbrazeshin mbi qytet.

 

Të parat ishin taksat

Ulje e tyre me 2 deri në 5 herë, heqja e taksës së gjelbërimit dhe asaj të tabelës, lehtësirat, që do të revolucionarizonin biznesin e vogël, duke e bërë atë që jo vetëm t’i shmangej njëherë e mirë informalitetit, por të lulëzonte më tej, me hapjen, deri në dyfishim të numrit të të vetpunësuarve. Gjithçka për qytetari, gjithçka në shërbim të tij! Ishte kjo parulla magjistare. Por, taksat e këtij viti u 2-fishuan e më tej, taksën e gjelbërimit e pat hequr që Rama në 2010 dhe taksa e tabelës është akoma në fuqi. Premtimi ndaj biznesit u përmbyll me deklaratën se “brenda korrikut të ardhshëm do të kërkohet 2 milionë euro kredi e mbështetur nga bashkia, sikurse ndodh edhe në vendet e tjera të zhvilluara, për të mbështetur biznesin”. A i ka mbetur ndonjë fije besimi biznesit deri atëherë? Të gjithë atyre që sapo paguan këstin e partë të një takse të 2-3 fishuar?!

 

Buxheti

“Është buxheti më i madh që është miratuar deri më sot për bashkinë e Tiranës”, kështu do ta proklamonte Basha buxhetin e 2012-ës, miratuar në Dhjetor të vitit të shkuar, në një mbledhje që kaloi jo pa debate dhe akuza të drejtpërdrejta nga ana e Këshilltarëve të majtë. Sipas tij, ky buxhet vinte i trefishuar dhe do të sillte padiskutim edhe trefishimin e volumit të investimeve. Për të qenë të saktë, buxheti i këtij viti është rreth 70 milionë dollarë. Apriori, shifra dhe deklarata bashkë. Sepse një vit më parë, buxheti që mbeti peng dhe nuk u miratua nga këshilltarët e djathtë të bashkisë ishte 76 milionë dollarë. Shumë më inferior, nëse kthejmë kokën pas, në vitin 2005. Ishte koha kur kahu i tij politik që qeveriste vendin, nuk kishte mundur të ndërhynte ende në autonominë e pushtetit lokal dhe buxheti në fjalë i miratuar ishte plot 93 milionë dollarë.

 

Investimet

2.3 miliardë lekë. Vetëm kaq janë investimet e parashikuara nga bashkia e Tiranës për vitin 2012, ndërkohë që buxheti i një viti më parë, me gjithë ngërçin e krijuar nga mazhoranca qeverisëse, i kishte 3.3 miliardë lekë, rreth 10 milionë dollarë më shumë sesa ky vit. Nga ana e tyre, këshilltarët e majtë e akuzojnë drejtpërdrejtë kryebashkiakun e ri se ai, nga padija ose trysnia e premtimeve elektorale, ka prishur edhe strukturën ekonomike të mirëndërtuar dhe të stabilizuar në bashkinë paraardhëse, duke ndryshuar raportin e shpenzimeve kapitale me ato operative, nga 43% me 57% në 33% me 67%. E përkthyer ndryshe, kjo do të thotë një ulje e investimeve me 10%, dhe jo rritje e tyre, siç ishte premtuar.

 

Tirana 1 miliard Euro

Në katër vitet e mandatit të tij, ky ishte një nga premtimet më ekzaltuese që Basha do t’iu bënte zgjedhësve të tij. 1 miliard Euro investime, që do të thoshte shumë për gjithçka e në çdo fushë. Investimet e parashikuara në buxhetin e miratuar për këtë vit, nuk i kalojnë as 18 milionë eurot. Tiranasit e urtë edhe mund të besojnë përralla të tipit që shumë shpejt në Lanë mund të bëhet plazh, siç bëhet në Amsterdamin që ai e njeh mirë, por zor se mund të besojnë që në tre vitet e ardhshme të plotësohet diferenca e premtimit për investime.

 

Projektet

Gjithçka me të cilën bashkia e tanishme u mburret qytetarëve, është plani i qendrës, projekti i sheshit Skënderbej. Për të gjithë ata që shohin veç ç’është vënë mbi dhe, është e udhës të thuhet se ç’është groposur nën të. Janë plot 4.5 milionë euro që nuk iu mor vesh kurrë fati, që ishin investuar për një qendër që po ndërtohej sipas një projekti të mirëstudiuar, i cili u bë publik për të gjithë, por që kur erdhi Basha në pushtet e përmbysi pa një pa dy.

Mister mbetet edhe çështja e projekteve për parkimet nëntokësore. Sipas studimeve të bashkisë Rama, ishin projektuar dy të tillë në kryeqytet, një tek Taivani dhe tjetri tek Sheshi “Italia”, pranë stadiumit “Qemal Stafa”, projekte këto që të dyja u mbajtën pezull nga këshilltarët e djathtë të këshillit të atëhershëm bashkiak, duke u bllokuar për shumë kohë sepse miratimi i tyre kërkonte jo më pak se 3/5 e votave të këtij këshilli. E megjithatë, me ardhjen e tij në krye të bashkisë, Z. Basha, vetëm pak javë më parë firmosi me koncesionarin miratimin e projektit dhe fillimin e punimeve për ndërtimin e tij, pa e kaluar atë më parë për miratim në Këshillin Bashkiak, sikundër e kërkon ligji, sipas të cilit për kalimin në përdorim të një trullalli publik, projekti i tij duhet të marrë 3/5 e votave. Kësaj radhe, për të njëjtin projekt nuk u nevojitën më këto vota, mjaftoi firma e Bashës.

 

Reformat në administratë

Një nga akuzat e para që Basha ngriti kundrejt bashkisë paraardhëse të drejtuar nga Rama, ishte fakti që kjo e fundit kishte më shumë punonjës se ç’i nevojiteshin. Reforma nisi që ditën e dytë të vendosjes së tij në krye të bashkisë. Të parët që u larguan pa ndonjë motivim të qartë ishin inspektorët e tatim-taksave e pas tyre, bashkë me specialistët, nuk u kursyen as pastrueset e as punonjësit e ngratë të shërbimeve funerale, që e kalonin gjithë ditën e tyre nëpër varreza për vetëm 120 mijë lekë të vjetra. Brenda muajve gusht-shtator, plot 80 vetë u pushuan pa motiv nga puna.

Deri më sot, mësohet se nga personeli i dikurshëm janë pushuar nga puna rreth 400 vetë.

 

Punësimi

Mbase këta të 268 nuk do ishin mërzitur dhe aq, nëse Z. Basha do kishte nisur të vinte në zbatim premtimin për hapjen e 32 mijë vendeve të reja të punës, por këto, sot e kësaj dite, nuk gjenden në asnjë faqe të buxhetit të tij, duke i vënë edhe njëherë, për të disajtën herë, të gjithë para mashtrimit të radhës.

 

Sa janë në fakt të zhgënjyerit?

Në përpjekje për të kuptuar se çfarë realisht po ndodhte, mësuam edhe një tjetër të vërtetë, gjithaq surprizuese. Nga burimi pranë zyrave të bashkisë së Tiranës, të cilat nuk pranojnë të bëhen publike, mësohet se bizneset e vogla jo vetëm që nuk janë formalizuar e aq më pak shtuar në Tiranë, por janë shumë më pak sesa numri i regjistruar i tyre në QKR. Ndërkohë që nga zyrat e kësaj të fundit numërohen plot 23 mijë të tillë, në dosjet personale të inspektorëve të bashkisë aktuale, konfirmohet ekzistenca e vetëm 13 mijë, plot 10 mijë më pak sesa shifra zyrtare e tyre në QKR.

Është tamam koha kur shpresëmirët bëjnë bilance, e kërkojnë që këto t’i bëjë edhe i zgjedhuri i tyre, që i ka bërë tanimë dhjetë muaj në krye të kryeqytetit. Qyteti ka nevojë të dijë se ç’fshihet pas heshtjes, dhe buzëqeshjes së stampuar të Mona Lizës…

4 komente në “Taksat – Molla e ndaluar e Bashës”

  1. Ne tironsve t’vjeter si puna Lymit na knoqin telenovelat, naj mashtrimet i kena si buk e djath e gjize kunsum i perditshem.

  2. Ueee po cne luli vogel kshu gjerash ai eshte edhe yll ne ngjitje..kte shkrim coja cik ati ambasadorit qe ngeli duke u lepij me pushtetin e duke thur levdata nga me te ndryshme..bashkia tiranes ka qen e do jet rrumpall sa te jen kta plerat qe komandojn sot shqiprin..e mori ed rama e betonizoj…e mori luli vogel do e shkatrroj me keq…gjith rinia rri lokaleve me 100 lek shtyn diten..pleqt gjejn ndonje cep per domino..grat ne shpi mbyllur pa pune…burrat e kur jan ne pune i harxhojn leket ne kafe se aq marrin..epo mir e tha ed rama gjithcka mund te ndodh jetojm ne tiron…a mallkuar qoft kush e vuri ne krye ate lul te fushave te hollandes…turp e per ju ne tiran qe e mbani…kam qen ne dilem perher me ik na shqiperia a jo..por tani e shof qe kam ber zgjedhjen me te mir duke qen larg ati vendi te mallkuar…do doja me shpirt te vdisnin te gjith kta politikan dhe te ngrihej nje brez i ri qe e duan shqiperin e te punojn per shqiperin..kta na kan shkatrru kan fut frymen e korrupsionit ku e nje roje e pastrus mer rryshfet..jo me te lartet te grijn..po e vrasin shoqerin po ju vjedhin edhe nderin po ju vrasin indetitetin..e ju e pranoni ulni koken…vdekshin politikanet e korruptum vdekt korrupsioni

  3. ajdin says:

    Keta njerze kur do zgjohen?Akoma nuk e kane kuptuar se kushe eshte Lule m…,t,U them une:NJeriu qe me familje ka 4 pashaporta te huaja per veqe SHQIPTARE o njerze.Eshte per tu habitur se akoma nuk e kuptojne keta njerze,hhhhhhhhhe he hhhhhhhhh te bertas me te madhe.KATER MUAJ NUK DOLI REZULTATI TIRANES NE ZGJETHJE,deri sa i vodhi per tju vjedhur ju.TA MBANI ME SHENDET.JU uroj une jashte shipnie,nje skave i te huajve se shipnia me perzuri.KETA QE U THEM UNE JENE SE U KEMI NEMUN teZOTI se ju mbani ne pushtete HAJDUTAT Mire e keni.PRAP KENI NUK KA PER TU LERE ME SHKU NE SHPITE TUAJA.Me vjen keqe nuk kam cfare te bejme.JU kam xhan bashke lulin e bashes.

  4. Tironsi "Zogu i Zi" says:

    Fytyra jote e vertete duket tek qendra e Tiranes o Baaaaaaaaaaaaaaaaa!
    http://imazheshqip.blogspot.com/2012/05/nuk-duhet-ajnshtajn-kryebashkiaku-basha.html

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje