Sa i keq tremujori i parë 2012!

7 Maj 2012, 20:25Blog TEMA

Nga Ilir Beqja

 

Të dhënat e tremujorit të parë 2012 për ekonominë janë të zymta. Nga burime të ndryshme zyrtare raportohen tregues të përkeqësuar, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2011.

 

Tregtia me Jashtë

Nga qeveria ka muaj që nuk flitet më për eksportet shqiptare. Boom-i vitit të kaluar lidhej mesa duket vetëm me një konjukturë të përkohshme të eksportit të energjisë elektrike. Ky eksport mbaroi, uji në kaskadën e Drinit është i pamjaftueshëm për nevojat e vendit, 300 e më shumë koncesionet për HEC-e janë në shumicën dërrmuese në letër, KESH ndodhet në gjendje shumë të vështirë financiare, ndërsa Shkodra e NënShkodra prej më shumë se 1 viti presin dëmshpërblimet e përmbytjeve.

Eksporti në tremujorin e parë 2012 është 60 milionë dollarë më pak ose me rënie 12 %. Ka rënie jo vetëm në eksportin e minerale dhe energjisë elektrike, por edhe në tekstile e këpucë.

Importi është rritur me rreth 2,2 % dhe vetëm për shkak të importit të energjisë elektrike. Pa këtë import, rënia e importit në sektorë të tjerë tregon për mungesë të kërkesës për materiale ndërtimi, makineri e pajisje. Kjo, padyshim, do të fillojë të ndjehet edhe në punësim.

 

Administrimi Fiskal

Në tremujorin e parë të 2012, të ardhurat e arkëtuara në buxhetin e shtetit janë rritur vetëm me 1,2 %. Nëse marrim për bazë rritjen e taksës së karbonit dhe taksës së qarkullimit bashkë me efektin e tyre në tatimin mbi vlerën e shtuar, si dhe efektin e amnistisë fiskale, duhet të pranojmë se në tremujorin e parë 2012 nuk kemi rritje të të ardhurave nominale. Pra, nuk kemi rritje të aktivitetit ekonomik krahasuar me periudhën respektive të vitit 2011. Edhe analiza e të ardhurave të realizuara nga taksa të veçanta tregon se qoftë konsumi është ndalur, qoftë sipërmarrjet e individët nuk kanë rritje të ardhurash.

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar është rritur me vetëm 0,8 %. Pra nuk pasqyron as shtesën e importeve, gjë që tregon për frenim të aktiviteteve sipërmarrëse në tregun e brendshëm.

Tatimi mbi Fitimin është pakësuar me 22 %, tregues ky që sipërmarrjet po fitojnë më pak. Perspektivë e afërt e zymtë. Më pak kapacitete për investim, më pak mundësi për punësim.

Tatimi mbi të Ardhurat Personale është po aq sa një vit më parë. Pra, as efekti i rritjes së pagave të buxhetorëve në korrik 2011 nuk ka sjellë më shumë të ardhura. Nëse të ardhurat nuk janë rritur, por konstatohet shtrenjtim i jetesës, edhe shumica dërrmuese e atyre që jetojnë me pagë janë më keq.

Mosarkëtimi i të ardhurave të programuara, e ka shtrënguar qeverinë të mosrealizojë programin e shpenzimeve. Shpenzimet kapitale në tremujorin e parë 2012 janë 35 milionë dollarë më pak se e njëjta periudhë e 2011 ose me një rënie prej 18 %.

 

Tregu i Sigurimeve

Rënie e eksporteve, rënieve e fitimeve, rënie e investimeve publike, rënie e të ardhurave personale. Të gjitha së bashku, mesa duket i kanë shtrënguar sipërmarrjet e individët të reduktojnë shpenzimet. Dhe më shumë nga të gjithë e ka pësuar tregu i sigurimeve. Primet e shkruara bruto janë 3,5 milionë dollarë më pak se në tremujorin e parë 2011 ose 15 % më të ulëta. Rezultojnë më të ulëta edhe se tremujorët respektivë të viteve 2009 dhe 2010.

 

Përmbledhtazi, përkeqësimi i treguesve në tremujorin  e parë 2012 është dyshifror:

Rënie e eksporteve me 12 %.

Rënie e investimeve publike me 18 %.

Rënie e sigurimeve me 15 %.

Rënie e fitimit të sipërmarrjeve me 22 %.

3 komente në “Sa i keq tremujori i parë 2012!”

  1. fule says:

    Vetem kjo foto te artikulli te ben mendosh per disekuilbrin e kesaj qenjeje, rrezikshmerine e tij dhe fanatizmin alla-komunist te atyre qe i mbeshtesin ende.

    1. reformer says:

      Ja nje analize shkencore e artikullit!
      Urrejtja patologjike eshte nje keshilltar i keq!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje