Edmond Kapllani te FSV Frankfurt në Bundesliga 2

24 Maj 2012, 18:20Sport TEMA

Edmond Kapllani kthehet në Bundesligën 2, pas një eksperience aspak të lumtur në radhët e Augsburgut. I larguar nga kjo skuadër me përfundimin e sezonit, ai nuk ka vonuar të gjejë një skuadër të re që i ka besuar menjëherë atij, duke i premtuar një vend në formacionin titullar sulmuesit të kombëtares shqiptare.

“Edmond Kapllani ka aftësitë fizike dhe futbollistike të bëhet një sulmues i suksesshëm te FSV Frankfurt. Ai e ka treguar këtë me golat e shumtë të shënuar në 8 vitet që është aktivizuar në dy ligat profesioniste gjermane. Ne jemi të lumtur që arritëm të siguronim praninë e tij në ekipin tonë”, ishin fjalët e shefit të klubit, Uve Stover.

“Shpresoj që në dy vitet e ardhshme, me golat e mi, të arrij të përmbush objektivat e FSV”, deklaroi futbollisti shqiptar pas hedhjes së firmës në kontratë. Është bërë e ditur se Kapllani do të mbajë fanellën me numrin 10 në radhët e skuadrës së tij të re.

Sulmuesi ka regjistruar në karrierën e tij 53 ndeshje dhe 3 gola në Bundesligë, ndërsa në Bundesligën 2 ai regjistron 112 ndeshje dhe 37 gola. Kapllani ka qenë pjesë e pandashme e kombëtares shqiptare të futbollit dhe në periudhën kur ajo drejtohej nga Oto Bariç fitoi vendin e titullarit në formacion. Por rënia e formës dhe kalimi në zëvendësues te ekipet ku aktivizohej në Gjermani bënë që futbollisti të largohej gjithnjë e më shumë nga ngjyrat kuqezi, ndërsa duket se për momentin nuk është në planet e përfaqësueses shqiptare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje