Faleminderit të gjithëve ju, për gjithçka bëtë për t’i dhënë jetë një fushate, që në gjykimin tim, është fushata më e bukur dhe më komplekse që është zhvilluar në Shqipëri gjatë gjithë këtyre viteve!
Sigurisht, që ne ishim të bindur në epërsinë e programit, të skuadrës dhe të koalicionit tonë, por le ta themi sinqerisht, hapur, askush nga ne nuk e priste këtë rezultat. Të gjithë besonim te fitorja, por askush nuk mendonte se fitorja do të ishte kaq e thellë dhe se shqiptarët do të na ngarkonin me një përgjegjësi kaq të madhe.
Kjo fitore përbën një arsye besoj edhe më të madhe se sa një humbje për të lexuar me shumë vëmendje rezultatin. Për të kuptuar deri në fund se çfarë kanë dashur të na thonë njerëzit me këtë mandat, që na kanë dhënë. Kjo do të kërkojë kohën e vet, sigurisht pa humbur kohë, por në këndvështrimin tim dhe në thelbin e vet kjo fitore është shumë e qartë;
Nuk është një votë për të ndryshuar thjesht qeverinë, është një votë për të ndryshuar rrënjësisht Shqipërinë. Këtu shqiptarët na kanë vënë përballë një sfide jashtëzakonisht të madhe, të cilën ne mund ta fitojmë vetëm së bashku. Së bashku si përfaqësues të Partisë Socialiste, në të gjitha nivelet dhe me të gjithë PS-në si organizatë dhe së bashku me aleatët tanë, duke filluar nga aleati ynë strategjik, Lëvizja Socialiste për Integrim. Do të fitojmë së bashku sfidën e jashtëzakonshme të qeverisjes përmes vlerave të atij programi, që i tërhoqi shqiptarët drejt nesh, me entuziazëm dhe me një shpresë të rilindur tek mundësia e ndryshimit përmes politikës. Duhet të jemi shumë të vetëdijshëm se kjo votë nuk është një votë për përsosmërinë tonë, por është një votë që na kërkon të përsosim më tutje partinë tonë. Kundërshtarët tanë na kanë lënë një libër shumë të çmuar, ku janë të rreshtuar dhe të nënvizuara në 8 vite rresht të gjitha gabimet, që ne nuk duhet të përsërisim në qoftë se nuk duam ta zhgënjejmë popullin shqiptar. Edhe ky libër duhet lexuar me shumë vëmendje për të nxjerrë të gjitha konkluzionet e nevojshme në funksion të gjithë ristrukturimit të shtetit shqiptar dhe të rithemelimit të procesit qeverisës dhe të mënyrës se si duhet ta qeverisim Shqipërinë.
Periudha 2005-2013 do të hyjë, besoj unë, në historinë e këtij tranzicioni si periudha e kalimit nga një qeverisje e korruptuar tek kapja e shtetit, një periudhë ku kthimi i partisë në shtet dhe i administratës në zyre partie shënoi një degradim që çoi në rrënimin që shqiptarët e refuzuan me votë. Një periudhë ku politika u shkëput tërësisht nga realiteti, flas për politikën e qeverisë, dhe ku u konsolidua lidhja e pushtetit me përfitimin e paligjshëm, si qëllim i vetëm i qeverisjes. Një periudhë ku u ndërtua një Shqipëri imagjinare përmes propagandës dhe ku u bë çmos përditë që të krijohej armiku përmes demonizimit të opozitës. Një periudhë e braktisjes së çdo vlere programore dhe e rrënimit të figurës së deputetit duke e zhveshur nga çdo sens përfaqësimi të interesave publike dhe komunitare, dhe me radhë të tjera mund të rreshtohen.
Unë nuk kam bërë, këtu, asnjë analizë shteruese të gjithë kësaj periudhe, por duke nënvizuar këto pika, që besoj gjejnë konsensus mes gjithë atyre që me një numër marramendës votash, 1 milionë vota, e refuzuan këtë model dhe na ngarkuan ne që të ndërtojmë një model të ri në qoftë se nuk duam të përfundojmë edhe më keq se ç’përfunduan në gjykimin e publikut kundërshtarët tanë.
Kemi krijuar një frymë të re shprese! Kemi përballë një sfidë të jashtëzakonshme në një realitet ku kudo që të hedhësh sytë, apo të vësh dorë ka nevojë për ndryshim. Jemi thirrur nga shqiptarët të ndërtojmë shtetin modern të tyre dhe koha vrapon shumë shpejt. Vrapon shumë shpejt, duke përbërë edhe sfidën e parë dhe ndoshta kryesoren për ne, që të jetojmë me kohën që vrapon, të mos humbasim asnjë minutë dhe ndërkohë ta sjellim politikën në kohën ku jeton Shqipëria.
Është një kohë tërësisht e re, që solli në refuzimin me një revolucion të heshtur me votë të një pushteti që synoi ta sundojë përfundimisht Shqipërinë me mjetet e një kohe të vjetër. Nuk funksionoi, praktikisht, ky model. Shoqëria, sipërmarrja, komunitetet, administrata, individi, populli opozitar u stresuan përmes presionit deri në atë pikë ku, ndërkohë që pushteti priste dorëzimin përfundimtar mori mbrapsht përgjigjen me një revolucion të heshtur me votë. Një revolucion, që i tejkaloi të gjitha parashikimet tona.
Na duhet të biem në një mendje se ky nuk është një mandat i radhës, për një qeveri të radhës dhe për një grup parlamentar të radhës. Ky është një mandat që ne na vendos përballë dy mundësish: Ose të bëjmë histori, ose të ndëshkohemi pas katër vjetësh në mënyrë historike. Na duhet një reformë tërësore në funksion të sundimit të ligjit dhe një riorganizim i gjithë sistemit të administrimit të territorit, si pasuri kombëtare dhe publike, por edhe si shprehje e gjithë interesave private dhe të parasë publike. Na duhet të fillojmë, menjëherë nga puna për një ndarje të re territoriale të Republikës së Shqipërisë në funksion të një administrimi tërësisht të ri të territorit. Na duhet të fillojmë menjëherë nga puna për të unifikuar policinë në mbrojtje të qytetarëve dhe të territorit si përmbajtje pasurore e popullit shqiptar. Na duhet një ndarje drastike e menjëhershme e policisë nga krimi. Hapja e një beteje pa asnjë kompromis për të bërë që shteti të marrë në dorë territorin, duke çuar drejt reduktimit shpërdorimet e pasurisë kombëtare për përfitime të kujtdoqoftë.
Na duhet të vendosim në një mbrojtje të jashtëzakonshme, me çfarëdo mase të jashtëzakonshme ujërat, tokën dhe gjithë burimet e energjisë.
Na duhet të fillojmë menjëherë transparencën për të siguruar vendimmarrje të drejtë mbi gjithë procesin e çuarjes deri në fund të zgjidhjes së problemit të pronës. Na duhen me çdo kusht dhe me shpejtësinë më të madhe të mundshme legalizimet në të gjitha zonat informale, për të garantuar brenda këtij mandati inventarizimin e plotë të pasurisë dhe edhe të njerëzve. Kjo fushatë na mësoi se njerëzit që jetojnë në Shqipëri, që janë votues në Shqipëri dhe që tjetërkund banojnë, tjetërkund jetojnë, migrantët e brendshëm janë më shumë se emigrantët. Ky është një kaos administrativ që cenon jo vetëm procesin e thithjes së mendimit të popullit në zgjedhje, por cenon integritetin fizik dhe integritetin ligjor të Republikës së Shqipërisë. Na duhet të auditojmë sistemin shtetëror shqiptar, për të pasur një pasqyrë të Shqipërisë reale dhe për të mos vazhduar betejën politike me dy pasqyra; Një pasqyrë e Shqipërisë reale, sipas nesh dhe një pasqyrë imagjinare sipas opozitës. Por, duke kërkuar një pikë të përbashkët referimi me një auditim ndërkombëtar të të gjithë sistemit të funksionimit të shtetit shqiptar, duke e filluar nga auditimi i financave të Shqipërisë dhe i të dhënave të ekonomisë shqiptare brenda këtij viti. Është një proces i domosdoshëm, është një proces që mund të nxjerrë të dhëna drithëruese jo vetëm për ne, por për gjithë komunitetin ndërkombëtar, si komunitet politik dhe si komunitet sipërmarrës. Është një proces i domosdoshëm për të hedhur bazat e një qeverisjeje përmes të vërtetës dhe për t’u ndarë nga një qeverisje përmes gënjeshtrës. Është një proces që është bërë dhe është kthyer në një model suksesi në Sllovaki dhe në vende të tjera në rrugën e integrimit europian. Është një proces që ne duhet ta bëjmë me çdo kusht. Por, na duhet në të njëjtën kohë, që me shpejtësi të reformojmë dhe transformojmë administratën fiskale dhe të ndryshojmë gjithë sistemin e menaxhimit të doganave dhe të taksave, në mënyrë që paraja që publiku e adreson për interesa publike, nga njëra anë, të mund të shkojë në arkat e shtetit në një sasi shumë më të madhe se sa shkon sot dhe, nga ana tjetër, të mos thithet në rrugët e arbitraritetit dhe të dhunës ndaj sipërmarrjes, duke mbyllur sytë ndaj klientëve të pushtetit. Na duhet, me patjetër, t’i japim një sens të ri konceptit të partneritetit publik-privat, sepse buxheti i shtetit nuk është zgjidhja e problemeve të zhvillimit ekonomik të vendit dhe me buxhetin e shtetit nuk mund të përmbushet misioni ynë për të rilindur këtë vend, për të dhënë shërbime sipas nevojës jo sipas xhepit, për të garantuar ujitjen e gjithë tokës bujqësore dhe kullimin e saj, për të mbrojtur popullin shqiptar nga përmbytjet, për të çuar përpara duke ndryshuar standardet e projektit e zhvillimit të infrastrukturës së Shqipërisë dhe me radhë shumë, e shumë, e shumë nga punët që qeveria duhet të vërë në vijë. Për këtë arsye partneriteti publik-privat do të vihet në një mekanizëm aktiv dhe medoemos të suksesshëm dhe jo në një fjalë goje që katandiset në dhënie koncesionesh korruptive dhe propozime të pa kërkuara, si ato që fatkeqësisht vazhdojnë edhe sot e gjithë ditën. Unë dua të përfitoj nga ky rast për t’i bërë një thirrje qeverisë në detyrë, kryeministrit në detyrë, që të pajtohen me realitetin e imponuar nga populli sovran dhe të kalojnë në një fazë kujdestarie, pa marrë më tutje vendime në funksion të vizionit apo të programit të tyre, që u ndëshkua me votën e qytetarëve. Nga ana tjetër jam i detyruar t’u bëj thirrje të gjitha subjekteve, që përfshihen në bashkëpunim me këtë qeveri në detyrë që është ndëshkuar nga populli shqiptar që të mos vazhdojnë bashkëpunimin. Ne do të jemi jashtëzakonisht të rreptë me çdo produkt të bashkëpunimit të subjekteve private me qeverinë aktuale që lidhet me periudhën pas zgjedhjeve të 23 qershorit.
Është e pamundur që të konceptohet për Europën ku jetojmë dhe për Shqipërinë që synon të integrohet në Europë, që një qeveri e ndëshkuar në mënyrë plebishitare nga populli të vazhdojë sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe të marrë vendime mbi pasurinë e përbashkët të këtij populli, në vazhdën e atyre vendimeve që ishin një prej arsyeve kryesore, që e kthyen këtë qeveri në një objekt të gjykimit shumë të ashpër të popullit me votë në 23 Qershor.
Sigurisht, që shqiptarët ndëshkuan një model qeverisjeje, shqiptarët ndëshkuan një proces qeverisës, të konceptuar si shfaqja e një njeriu të vetëm, dhe një trupë përfaqësuese që u soll me ta si një trupë shurdhë memecësh, duke i shkuar pas shurdhërisht dhe verbërisht të vetmit njeri që dispononte shikim dhe këndim. Kjo, duhet të mos përsëritet më, në historinë e këtij vendi dhe ne kemi përgjegjësinë t’u japim shqiptarëve një model të ri komunikimi me ta, një model të ri komunikimi me opozitën, një model të ri komunikimi me të gjitha grupet e interesit të këtij vendi.
Ne na duhet një kryeministër për punë dhe jo për përfundim punimesh. Unë, sigurisht, që do të përmbush me përpikmëri detyrën kushtetuese për të drejtuar qeverinë e Shqipërisë, por i konsideroj çështje të një rëndësie parësore kombëtare dhe prioritete urgjente çështjet e ujit, legalizimeve, mbrojtjes së tokës dhe klimës së biznesit. Për këto çështje do të angazhohem në mënyrë të posaçme personalisht.
Nga ana tjetër, ne kemi marrë një vendim për t’i ndarë mandatet e deputetit nga mandati i ministrit. E, kjo, është bërë për t’i dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve ministra që punojnë me orë të plotë, në krye të punëve të ekzekutivit dhe deputetë, që punojnë me orë të plotë në krye të punëve të komuniteteve që përfaqësojnë dhe punëve të përbashkëta për të mbrojtur interesat e këtij vendi, këtij populli.
Sot, jam më i bindur se asnjëherë se kjo është një zgjedhje e drejtë dhe se vendosja në punë e një qeverie ku çdo ministër do të ketë përgjegjësi të drejtpërdrejt individuale për ecurinë e çdo sektori dhe ku e gjithë trupa parlamentare do të ketë përgjegjësi kolegjiale dhe individuale për të ballafaquar ecurinë e punëve të qeverisjes me interesat e publikut dhe komunitetit do të na japë me patjetër një raport të ri forcash në realizimin e qëllimit tonë të përbashkët. Është e domosdoshme që ne të ndryshojmë rrënjësisht modelin e ministrit në këtë vend dhe modelin e deputetit të shumicës në këtë vend. Deputeti si përfaqësues i interesave të publikut dhe si pikë referimi për zhvillimin e territorit nuk mund të jetë një lypës fondesh qeveritare nëpër dyert e ministrive. Sigurisht, që deputetët kanë detyrimin të marrin pjesë, aktivisht, në të gjithë procesin e hartimit të buxhetit dhe të ndarjes së tij, së bashku me të gjitha grupet e interesit, të cilat duhet të garantohen në procesin legjislativ, pikërisht, nga trupa parlamentare dhe drejtuese. Ne duhet të ndërtojmë figurën e një deputeti që nga kërkues fondesh e tenderësh të kthehet në promotor të investimeve për hapjen e vendeve të reja të punës në të gjithë territorin ku ka kujdestarinë. Skuadrat tona të Rilindjes duhet të vazhdojnë të mbeten skuadrat e Rilindjes në ushtrimin e përgjegjësisë së përfaqësimit të atyre komuniteteve ku kemi shkuar, ku na kanë pritur, ku na kanë brohoritur e ku na kanë votuar, si asnjëherë tjetër nga veriu në jug. Kjo do të thotë se skuadrat e Rilindjes duhet të jenë skuadrat, që duhet të punojnë ditë-natë për të promovuar qarkun e tyre jo tek qeveria, por tek sipërmarrja vendase dhe e huaj.
Pa asnjë dyshim, kjo nuk përjashton, do ta përsëris për të mos lënë asnjë shteg për keqkuptim, nuk përjashton bashkërendimin e opinioneve dhe të punëve në raportin qeveri-deputet, por përkundrazi me ndarjen e mandatit, deputeti forcohet në rolin e tij, ashtu sikundër edhe ministri forcohet në rolin e tij, ndryshe nga sa mund të duket se ministri nuk ka mandatin e deputetit, i cili rëndom është përdorur si mandat kërcënimi për qeverinë.
Ajo që na duhet, miqtë e mi, është të kuptojmë se sot rreziku i parë që na kanoset është që atë që shqiptarët e dëgjuan, e përkrahën dhe votuan si një kërkesë jo për të na dhënë votën që të hiqen ca e të vijnë ca, ne ta lëmë të zhvillohet në sytë e tyre në gjithë territorin e Shqipërisë si një revansh dhe si një rrëmbim vendesh pune në shtet nga ata që ishin tek këta që erdhën. Ky do të ishte fundi i frymës së Rilindjes në çdo territor. Ky do të ishte fundi ynë si shpresa e këtij vendi. Sepse, ne nuk do ta harrojmë për asnjë çast askënd që ka dhënë kontribut për fitoren tonë dhe duhet të vlerësojmë çdo kontribut mbi bazën e meritës, por nuk duhet të harrojmë gjithashtu se ne na kanë votuar 1 milion shqiptarë.
Në këtë masë gjigande njerëzish ne duhet të kërkojmë më të mirët, më të talentuarit, më të zotët, ashtu sikundër duhet të respektojmë çdo zotësi ndër ata që nuk na kanë votuar, nëse duam të ndërtojmë një shtet të besueshëm dhe nëse duam që rruga jonë drejt Bashkimit Europian të përshpejtohet, ne nuk mund t’ia hedhim vetes, sepse vetëm vetes ia hedhim, se botës nuk ia hedhim dot e popullit nuk ia hedhim dot.
Ne nuk kemi marrë një mandat për të bërë sikur. Lavdi popullit shqiptar kemi marrë një mandat për të bërë çdo reformë të mundshme dhe të imagjinueshme në këtë vend. Askush nga ne, unë i pari, nuk ka më asnjë alibi që të thotë këtu na pengojnë këta e aty na pengojnë ata, këtu nuk mundemi se na bllokojnë, këtu nuk duan etj, etj.
Na kanë dhënë shqiptarët të gjitha përgjegjësitë, çdo përgjegjësi për t’i kthyer në vepra ato që u kemi thënë me fjalë gjithë këto ditë. Nëse deri sot, jemi gjykuar nga fjalët, shumë shpejt, brenda dy muajsh ne do të gjykohemi vetëm me vepra. Prandaj, është e domosdoshme që deputetët të ndjejnë të gjithë barrën e jashtëzakonshme të këtij mandati dhe të kuptojnë se nuk është e mundur që Rilindja që kemi premtuar dhe ecja më shpejt drejt Bashkimit Europian të realizohen si projekt dhe veprim i një, dy apo tre individësh, por vetëm si një skuadër ku secili ka rolin e tij dhe çdo pjesë e skuadrës ka misionin e vet.
Kemi premtuar hapjen e 300 mijë vendeve të reja të punës, nuk kemi premtuar për të marrë vota dhe për të harruar dhe as për të marrë pushtetin e për të shkatërruar më tutje shtetin. Nuk kemi bërë sikur, në gjithë këtë betejë ku kemi humbur jetë njerëzish, ku kemi parë me sytë tanë sakrifica nga më të jashtëzakonshmet të njerëzve të zakonshëm, që janë flakur në rrugë, vetëm e vetëm, sepse nuk kanë dashur të rreshtohen me pushtetin. Nuk kemi bërë sikur, kur u kemi thënë të gjithë atyre që sot punojnë në polici, sot punojnë në administratë, sot punojnë nëpër shkolla e spitale, se nëse aty jeni me meritën tuaj duhet të votoni Partinë Socialiste dhe do të jeni të bindur se Partia Socialiste e fitorja e saj nuk është kërcënim për ju.
Nuk kemi bërë sikur, dhe nuk duhet të bëjmë sikur, asnjë moment, sepse ua përsëris, shpresa e madhe që kemi lindur brenda zemrës së këtij populli e besimi i jashtëzakonshëm, që na ka dhënë ky popull është kërcënimi i përditshëm se mund të përfundojmë më keq se sa përfundoi kundërshtari ynë, që kujtoi se mund ta fuste këtë popull në xhep.
Është e domosdoshme që, ne të jemi garantët e këtij mandati dhe të kësaj vote, ne këtu, përfaqësuesit e popullit shqiptar në shumicën e re parlamentare. Duhet të jemi garantët e çdo vajze dhe çdo djali që meriton të vlerësohet, por nuk ka kushëri kryetarin e partisë apo bashkisë, ose deputetin; të jemi garantët e çdo burri dhe çdo gruaje që meriton të respektohet, por që nuk ka lidhje partie, me ata që sot kanë në dorë të marrin vendime për jetën e njerëzve; të jemi garantët e të projektit që kërkuan që ne të nxjerrim, nga thellësia e shpirtit dhe e mendjes së këtij populli, më të mirën. Duhet të ndërtojmë skuadrën më të mirë në çdo institucion. Duhet të ndërtojmë skuadrën e njerëzve më të talentuar, më të zotët e më të aftët, e njerëzve që kanë çfarë t’i japin këtij vendi pa i parë nga mbiemri, pa i parë nga origjina krahinore, pa i parë nga lidhjet që kanë me njërin apo tjetrin, që gabimisht quhen lidhje partie, sepse lidhja e individit me partinë është ajo lidhje që nis sot këtë parti si forca e parë e këtij koalicioni me 1 milion njerëz, në radhë të parë me 1 milion njerëz. Ajo përulësi, ajo dhembshuri dhe ajo zotësi, që të gjithë ju treguat në këtë fushatë, dhe unë ju jam shumë mirënjohës për gjithçka keni bërë në këtë fushatë, nuk mund të mbarojë si vijë sjelljeje me procesin opozitar, por duhet të vazhdojë e të thellohet edhe në procesin qeverisës.
Unë nuk jam naiv. Unë nuk imagjinoj një botë që nuk ekziston. Unë flas për një botë që ne së bashku ua kemi premtuar njerëzve dhe ne së bashku duhet t’ua japim njerëzve, një botë që nuk i ngjan qiellit, por u ngjan vendeve që kemi përreth, i ngjan Kroacisë, që sapo u anëtarësia në Bashkimin Europian, i ngjan gjithë atyre vendeve që ne duam të na hapin dyert e të na ulin në tryezën e Bashkimit Europian.
Ne duhet të jemi garant të çdo talenti dhe të çdo njeriu të aftë. Ne duhet të jemi garant të vazhdimësisë normale të jetës për çdonjërin nga ata që sot merr rrogën e këtij shteti dhe është aty sepse mund t’i shërbejë më mirë se të tjerët këtij shteti dhe qytetarëve të këtij shteti. Parafytyrimi i një fshese politike që i zhduk të gjithë siç i zhduku të gjithë kjo qeveri, do të thotë të përfundosh më keq se sa përfunduan ata. Por, nga ana tjetër ne do të jemi garantë të çdo individi që sot gjendet në opozitë dhe i flakur në rrugë, jo se s’është i zoti për të bërë punën, por vetëm se ka dashur të bëjë thjesht punën. Ne duhet të bëjmë apel publik për të gjithë ata që duan t’i shërbejnë këtij shteti. Duhet të jemi shumë serioz në trajtimin e çdo letre motivimi dhe të çdo CV-je të tyre, ashtu sikundër në të gjithë territorin duhet me shpejtësi, deri në shtator, të disponojmë regjistrin e plotë të burimeve njerëzore, që kemi në dispozicion, burime njerëzore që janë identifikuar, janë zhvilluar e janë shtuar gjatë gjithë këtyre viteve dhe gjatë fushatës. Ata që kanë kontribuar e meritojnë një shans për të shërbyer, por duhet të tregojnë se vendi i punës që kërkojnë është vendi që u takon, sepse ajo punë i kërkon ata dhe jo sepse ne u kërkojmë atyre punë. Kjo është një domosdoshmëri për të vlerësuar gjithë ato vajza e djem, gra e burra që i kemi pasur përreth në gjithë këtë luftim dhe që nuk duhet të ndjehen të fyer, të braktisur e zhgënjyer, se nuk kanë mbiemrin e duhur, se nuk kanë lidhjen e duhur apo se nuk trokasin për shkak krenarie apo modestie në derën e duhur.
Ne duhet në këto dy muaj, në çdo qark e në çdo zonë kujdestarie të deputetëve të bëjmë transparencën e plotë të shpërdorimit të pushtetit në fushatë. Ne do t’i qëndrojmë asaj që kemi thënë, se çdo drejtues që ka shpërdoruar detyrën, që ka kërcënuar e shantazhuar, që ka bërë presion e vendosur në kushte vështirësish psikologjike mësues, infermiere, nëpunës e këdo qoftë rrogëtar i shtetit, duhet të përgjigjet. Duhet të përgjigjet, jo se duam ne dhe as se ne duam ta zëvendësojmë me një tjetër, por duhet të përgjigjet mbi bazën e dëshmive të njerëzve të kërcënuar dhe njerëzve të vënë nën presion. Kemi premtuar se do t’i japim fund historisë së mësuesve, mjekëve, infermierëve dhe nëpunësve që dhunohen psikologjikisht për t’u bërë palë në pushtet. Kemi premtuar t’i japim fund mbylljes së dyerve të universiteteve dhe shkollave për opozitën, jo për të bërë politikë në orën e mësimit, por për të komunikuar lirisht me gjithë trupën pedagogjike, me gjithë trupën e mjekëve dhe infermierëve. Ne do t’i mbajmë këto premtime.
Kemi premtuar se Shqipëria nuk do të ketë më një kryeministër që u kërkon fëmijëve bashkëpunim për të shpëtuar Shqipërinë nga opozita. Ne do t’i qëndrojmë këtij premtimi! Por, ama nëse ne harrojmë të ndëshkojmë, jo penalisht, sepse kjo është një çështje që i takon një instance tjetër dhe të gjithë ata që kanë të bëjnë me këtë instancë të shkojnë edhe atje, por të ndëshkojmë si kulturë këtë kulturë të shpërdorimit të pushtetit, ne do bëhemi shpërdoruesit e rinj të pushtetit. E, kjo do të na ekspozojë përpara një ndëshkimi, po jua them për të katërtën herë gjatë fjalimit, do të jetë më i rëndë dhe më i shpejtë sesa ai që pësoi pala tjetër.
Sigurisht, që ne duhet të vazhdojmë të hapim PS, duhet të vazhdojmë të modernizojmë Partinë Socialiste, duhet të vazhdojmë të kërkojmë përfshirjen e të tjerëve në Partinë Socialiste. Në këtë fushatë kanë pasur një rol të jashtëzakonshëm drejtuesit, organizatat e partisë, por jemi të gjithë të vetëdijshëm se roli ynë ashtu si roli i tyre do të ishte i pamjaftueshëm nëse nuk do të ishin përfshirë kaq shumë koordinatorë të tjerë, vullnetarë, njerëz që u dedikuan në projektin e rrjeteve sociale, me mijëra. Të gjithë këtyre njerëzve ne duhet t’u krijojmë mundësinë që ta gjejnë hapur derën e PS. Kjo është detyra jonë! Ky është angazhimi ynë! Kjo është përgjegjësia jonë, sepse ju e dini shumë mirë që në kushtet kur ne përgatitemi të hyjmë në zyrat e qeverisë dhe të administratës tendenca është që dera të mbyllet jo të hapet, nga frika se po vijnë këta të tjerët dhe po na marrin.
Ne nuk mundet dot të përsërisim gabimet e kundërshtarit dhe nuk mundet dot të harrojmë gabimet që e çuan Partinë Socialiste në atë votë ndëshkimi në 2005. Mjafton që, ne të jemi realistë mbi bazën e atyre gabimeve dhe kemi bërë gjysmën e punës. Na duhet kontributi i më të mirëve, na duhet Shqipëria e më të mirëve. Për këtë arsye secili duhet të jetë i vetëdijshëm për detyrën që ka. Të bëjë çmos për të krijuar kushtet që në çdo proces të zgjidhen më të mirët, të fitojnë më të mirët, të promovohen më të mirët, t’u jepet më të mirëve mundësia që të japin kontributin sipas kualifikimit dhe sipas kontributit që mund të japin. Na duhet t’i japim talenteve të këtij vendi mundësinë e parë në këto 20 e ca vite për të besuar se të jetosh në këtë vend nuk është marrëzi dhe se të jetosh në këtë vend nuk është me domosdo e rëndësishme se me kë je i lidhur. Ashtu sikundër, na duhet t’i krijojmë një mundësi reale të gjithë atyre që janë jashtë Shqipërisë për të dhënë kontribut për këtë shtet. Kanë ardhur si asnjëherë tjetër për të votuar në Shqipëri. Janë përfshirë, si asnjëherë tjetër, në fushatën tonë, edhe pse nuk kanë mundur të vijnë fizikisht, nëpërmjet rrjeteve sociale, nëpërmjet komunikimit me familjet e tyre. Ne nuk mund t’u kthejmë shpinën dhe as nuk mund të bëjmë sikur ata nuk ekzistojnë, ose edhe më keq akoma nuk mund të jemi po kaq mediokër sa ç’ishin paraardhësit tanë në ato projektet “brain gain” apo ku e di unë se çfarë, që praktikisht kanë dështime spektakolare. Ne do t’u japim të gjithëve mundësinë të gjithëve, që nëse duan të japin një kontribut ta japin atë kontribut, nëse duan të kthehen të kthehen, në qoftë se duan të punojnë në këtë vend për shtetin apo në sektorin privat ta kenë mundësinë që të punojnë dhe ka të tillë. Më besoni që ka të tillë. Varet nga ne nëse ata do të na besojnë dhe nëse ne do të dimë si t’i vëmë në shfrytëzim kapacitetet e tyre për të rindërtuar nga themelet këtë vend.
Sot nuk jemi në fushatë, por Shqipëria është realisht në buzë të një gremine në të gjitha aspektet. Çdo inerci, çdo vazhdimësi në sjelljen politike, në metodologjinë e qeverisjes, në mënyrën e ndërtimit të vet menaxhimit të institucioneve është shtyrja drejt greminës. Ne duhet të jemi radikalë në këputjen e çdo filli vazhdimësie kur vjen puna tek sjellja, tek politika, metodologjia dhe tek menaxhimi i institucioneve. I kemi të gjitha mundësitë.
Kjo fushatë mua vetë më ka treguar se ne nuk na mungon askush, që ne kemi njerëz të jashtëzakonshëm. Ashtu sikundër, më ka treguar që shqiptarët e zakonshëm presin nga ne në radhë të parë që t’i trajtojmë si njerëz jo si zgjedhës dhe këtu fillon diferenca. Këtu ne mund të bëjmë diferencën. Përndryshe do t’i japim mundësi dhe të drejtë atyre që thonë se ne të gjithë jemi njësoj, se këtu asgjë nuk ndryshon dhe se tek e fundit pasi të marrim votën të gjithë vazhdojnë të njëjtin avaz. Unë jam i bindur që ju ndani me mua të njëjtin mendim se nëse ne do t’i shtynim shqiptarët në këtë konkluzion, ky do të ishte një ndëshkim i pamerituar për shkakun tonë, i Partisë Socialiste, por ky do të ishte edhe dështimi i jetës sonë politike, individualisht. Unë ftoj, që pa humbur kohë, ne të përgatitemi duke punuar çdo ditë në të gjitha këto drejtime që momenti i marrjes së stafetës mos të na gjejë të papërgatitur, të mos na gjejë pa baza të dhënash për burimet njerëzore, të mos na gjejë të mbyllur ndaj shoqërisë dhe ndaj të gjitha atyre burimeve dhe kapaciteteve që ka shoqëria brenda dhe jashtë vendit. Të mos na gjejë të papërgatitur për të ndarë detyrat dhe për të bërë secili detyrën e vet. Ajo që shqiptarët na kanë dhënë është e jashtëzakonshme! Ajo që ne do t’i kthejmë mbrapsht duhet të jetë e jashtëzakonshme! Çdo gjë e zakonshme është një mospërputhjeve mes arsyeve pse ata na kanë votuar dhe me të qenit tonë në qeverisjen e këtij vendi.
Ju falënderoj edhe njëherë të gjithëve jo formalisht, me gjithë zemër për gjithë çfarë keni bërë 99.9% tuajën këtu, e di vetë kush është ai 0.1%. Në emër të vlerësimit, të kontributeve dhe njëkohësisht të nevojës formale për të plotësuar kryesinë e PS me vendin e lënë vakant, unë do të dëshiroja miratimin tuaj për përfshirjen e Taulant Ballës. I cili meriton vërtet duartrokitjet jo sepse u bë anëtar kryesie po sepse në rrethin e Librazhdit ka demonstruar një aftësi dhe një vullnet që është përkthyer në një rezultat të jashtëzakonshëm dhe unë jam i bindur të papërsëritshëm për Partinë Socialiste në atë rreth.
*Fjala e kryetarit të PS në Asamblenë Kombëtare
Filloje punen me Tiranen qe ke lene jetime dhe shtesat apo shtojcat qe po shqetesojne mijera qytetare keto jave. Tregoji Lulit kush komandon ne kete vend!
me ket fjalim qe ke mbajtur zoti rama e keni seriozisht poo shum seriozisht per te rilindur ket vend te kalbur ka vampiri berisha!! qe dhe minutin e fundit po na e pin gjakun!! po shpenzon lek kudo per cdo gje!! do ti japi shtetin te falimentuar rames qe te krijoj puce shteti sic ka ber dhe ne 2000
JEMI ME TY EDO EC PERPARA
o krrabe e varfer jo 4 vjet po as dimrin zdo e kalosh je mbledhur nje grup mafjozesh dhe doni te qeverisni shqiptaret me keq se tosi do perfundoni funderrina
Z.Rama ben vetem nje gabim,PS gjithmone ka fituar 80 deputete pamvaresishte se Sala ika vjedhur votat , si tha ai komisioneri PD ne fut ne kuti PD ato dil PS, edhe kesaj rradhe Sala ka vjedhurme te drejte nuk ka me shume se 30 deputete, prandaj mbidhe mendjen mos e bej si Tosi Nanos
Per oratori s’ja mer njeri, besoj e dine te gjithe.
E ke mbush me servila mo edo e ke bo partine sic e doje vete me kokeulur e servile dhe nje njeri qe te kundershtonte dhe ishte superior ne cdo drejtim si Arben Malaj arrite ta largosh nga partia e leshit qe ke krijuar
Deri dje Rama thoshte do te rilindim ndersa tani paska edhe nje alternative tjeter; ate te humbjes dhe ndeshkimit me vote…
Ndeshkimi i PS-se,pas 4 vjetesh,eshte i pashmangshem nese nuk delegon rezultatet e pritshme,o ”qwe”,prandaj edhe une nuk shikoj ndo1 gje te keqe ke ky paralajmerim i Rames.
Une jam skeptik per hir te faktit se Rama beri aleance me Ilir Meten,gje qe e imunizon kete te fundit nga Vjedhjet dhe Korrupsioni galopant por, nuk mendon se i duhet dhene pak kohe para se te fillojme ta gjykojme????
Ti do fillosh ta gjykosh Ilir lopen , rilindasin tat lollllll nuk e besoje
Edo me ket vot ke per detyrim qe tè besh histori pasi ky moment plako eshte deciziv per shqipetaret per tè ardhmen e tyre prandaj duhet ta shtrengosh sumen mire dhe qeverise me dinjitet ket komb .je pike riferìmi per shumicen e shqipetareve .sì tè sillesh ti do sillen edhe ata .jep shembullin i pari .
Une jam nje nga Gjirokastritet,qe te kam share deri ne gurin e fundit.
Do vazhdoi te te shaj,deri sa ja te te jap doren dhe te te kerkoi
falje per te sharat,neqofte se ti do te besh histori.Kjo do te qe
deshira me e madhe timija,te te kerkoja falje,per sa nuk te kam kuptuar
dhe te kam share.Te uroi te besh histori,si njerzit e medhenj qe ju
takon ky fat.Sharlatanet qe i vendosi koha dhe formacionet e ereta,qe
e ruajten dhe e mbeshteten per 20 vite resht,nuk ju takoi ky fat te
benin histori,por te bheshin per te qeshur dite per dite ne syte e
njerzeve me te mire te Shqiperise.I burgosur me statusin e te burgosurit politik.
HIATORIA TE THIRRI TI PERGJIGJEMI.!
Historia thirri partin Socialiste per ta ber kete vende. Kam besim qe ashtu si gjithmon edhe kete radhe Partia Socialiste do te tregoi realishte forcen e saj drejtuese dhe organizuase.
Shembuj kemi plote.Vitet 1997 deri ne 2005 partia socialiste ka perballuar tre kriza te medha ,at te 97 ,ate te 98, dhe krizen e Kosoves. Qe te tria u ka perballuar me sukses perkarshi nje opozite tejet te degraduar.
Edhe tani gjendja ekonomike eshte e tille pothuajse si ne vitin 1997 , vete lufte nuk kemi.
Masat qe shpalosi Edi Rama ne kete Asamble tregojn nje seriozitet ne fillesat e realizimit te programit te Rilindjes son Kombetare. Socialistet jane te ndergjegjeshm per pergjegjesite qe kane ne realizimin e ketyre detyrave te medha.
Edi Rama bashke me partnerin strategjik Ilir Meten duhet ta perballojne kete akte madhor qe historia jon te shkruhet me germe Kapitale ne faqet e saje ndryshe nuk eshte fjsal se po dorzoim pushtetin pore edhe nje tradheti qe i bejem eletroreatit te majte qe votuan 1 milon veta per PS dhe te majten shqiptare.
Opozita kete radhe eshte perbysur, ne te vertet keshtu ka qen votuar sa her jane ber zgjedhje ka fituar e Majta pore Ata i vodhen votat.Kete radhe nuk arriten ti vjedhin dhe ne shpetuam.
Berisha e ka te pa mundur te beje greva dhe demonstrata qe te na prishe punet ne realizimin e detyreve te programit socialiste.
Une kam besim te Rilindja.!
Malokeria DHE lokunia e BARBAREVE ka vdekur ,mos ki frike dhe mos pirdh asnje njeri sic dhe nuk pordhe kur NDERTOVE HALENE e MADHE ME emrin TIRANE dhe nga nje SHURRTORE MALOKESH e ktheve ne nje QYTET EUROPIAN .
Fillo menjehere dhe zbato ato ide qe ke ne koke jo vetem ne qytete por qe nga VERMOSHI deri ne THEOLLOGO ,DO APO NUK DO KOKE-LOPA edhe ne se mundohet qe te vere shkopinj ne RROTA se KOKE-LOPA ,ILIRI e di se sa e ka hapin dhe nuk e pjerdh njeri sepse AI ,ILIRI e di qe DEPUTETE qe ka marre jane IREALE DHE SE deputetet QE PER MUA JANE DISA NGA ATA QE UNE NJOH MASKARENJ ,KANE DALE NGA PARTIA SOCIALISTE .
Thirrjet e djalit te BEQIR BALLUKUT ,SOKOL BALLUKUT ((alia olldashi) ,SE demokratet kane votuar L.S.I,jane sa genjeshtare po aq dhe DJALLEZORE ,kinse per te treguar se ja……PARTIA SOCIALISTE ,aq deputete mori sa ne 2009 ,cinizem BERISHIAN per te fshehur RRITJEN E PS dhe njiherit maskim ideal per te fshehur VJEDHJEN MASIVE TE VOTAVE NE 2009 qe na erdhi si “DHURATE tek P.D NGA VEEELEZERIT TANE TE NJE GJAKU MATANE KUFIRIT “.
Vetem keshtu do te te doje sic dhe te do populli sepse te ka pare njehere kur ishje KRYETAR BASHKIE sepse PUNEN ,VETMOHIMIN,KEMBENGULJEN e ke ne gjak ,si asnje tjeter pas vitit 1990.
Beje Shqiperine kantier pune qe ti sjellesh popullit efektin PSIKOLLOGJIK ne radhete pare .
PUNE ,PUNE dhe vetem PUNE .
Me mire opsioni i pare: TE BENI HISTORI !
Fjalimi i Edi Rames ishte vertete i bukur, me drite dhe perspektive.
Nuk bej ironi, kur them se ishte me i bukur se fjalimi i pare i Sali Berishes.
Me kujtoi Refleksionet dikur, atehere kur Sala kujdesej qe t’ja bente qefin edhe Ramiz Alise…
Ajo qe me gervishti veshin e syrin, ishte permendja e Historise> Dakord, vete Edi ka fiksim historine dhe le te perpiqet te hyje ne dyert e saj.
Pse jo? Por socialistet e thjesht, tere shqiptaret e zakonshem, duan te jetojne. Duan nje pune, nje menyre te jetuari dhe te kene fuqi qe te arrijne ne shtepi tek femijet dhe te gezohen me ta…
Kot i ngaterron ata me hyrjen ne Histori, o Ed!
Te pershendes EDI RAMA ,fitore plebishitare,je gjigand , permbyse nje perbindesh.Kemi besim absolut se sic bere TIRANEN tone do te besh gjithe SHQIPERINE.Nga nje grup shqiptaresh nga Tirana qe jetojne mbi 20 vjete ne NEW YORK.Te perqafojme ILIR SHALARI USA shok I VALIT
Ju duhet te mbani premtimet
1-Cmimi karburanteve ulen me 35% ne Shtator
2-Biznesi I vogel me zero taksa.
3-Tvsh e energjise elektrike 6%.
4-Sherbimi spitalor pa leke, por kujdes se mos doctor legenat vazdojne te na marin leke per vizita dhe operacione, na dergojne te marim ilace ne farmacite e tyre ku I kane te skaduara.
5-Do te zhdukni qitapet e borxheve.
6-Legalizim falas te cdo ndertimi informal.
7-Tvsh 0 per cdo product bujqesore te vendit apo importit.
8-300,000 te punesuar deri ne shtator 2017.
9-Autostrada blu me 6 korsi Shkoder-Sarande.
E shume premtime te cilat I kam te shenuara dhe do t’ua kujtojme perdite, sepse ato u shpallen fitues.
Fjalim plot shprese dhe besim i Edi Rames.Njeri qe e njeh realitetin,vizjonar dhe jam e bindur qe shqiptaret zgjodhen njeriun e duhur per te bere vertet histori.Jam e bindur qe sdo jete e larget dita,kur cdo shqiptar brenda dhe jashte vendit do te ndihet me te vertete krenar per atdheun e tij.
z.Ali nga SELENICA,hiqe ate termin “me partnerin strategjik ILIR M…se me duket se e perdor shume…se c’partner eshte ai e dine mire te dy krahet,prandaj me pak tifozllek dhe me shume llogjike.se me duket se ne ate ke qene pak i vogel dhe ske pase as test…
Kam 23 vjet, ndoshta dhe me shume qe kam sakrifikuar, kam punuar dhe kam dhene kontributin tim qe shoqeria shqiptare,kombi dhe shteti shqiptar te ishin aty ku duhet dhe ku e meritojne te jene.
Per here te pare mendoj dhe besoj qe u krijuan mundesite per nje gje te tille.
Besoj me bindje te plote se Edi Rama me stafin e tij me te afert dhe me te gjithe ne qe prej 23 vitesh dhe sidomos keto 3 muajt e fushates morem persiper nje mision te madh dhe te domosdoshem per Shqiperine,qe premtimin solemn duhet ta realizojme qe te begatohet Shqiperia dhe te mos na ndeshkoje historia.
Une jam inxhinier pyjesh.Politikat e deritanishme ne kete sektor e kane cuar fondin pyjor dhe specialistet e mirefillte te pyjeve ne nje degradim te plote.
Ne perkushtim te ketij misioni te madh dhe te veshtire, i bindur qe ne realizimin e ketij misioni duhet te kontribuojne te gjithe pa asnje lloj dallimi, premtoj me shume bindje se me korrektesine time,me aftesite dhe pervojen time profesionale,me idete progresiste dhe efikase qe kam per trajtimin dhe zhvillimin e ketij sektori jetik, me vlera te padiskutueshme ekologjike dhe ekonomike, do te jeme ne balle te punes dhe te cdo veshtiresie e sakrifice qe te behem pjese e ketij misioni te domosdoshem dhe plotesisht te realizueshem ne Rilindjen e popullit dhe te kombit tone te dashur.
nuk ta ha qeni shkopin , sa me pak fjale e me shume pune dhe sa me pak
ne kete media sahanlepiresish.
,
ska dyshim se do besh me te miren .